E hënë, 21 Prill, 2025
12.8 C
Skopje

Aspiratat e Rilindjes mbeten të shenjta

Delvina KËRLUKU

Remzi Nesimi Remzi (1933) gjuhëtar, u lind në fshatin Odri të Tetovës. Kreu gjimnazin në Tetovë. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për albanologji në Universitetin e Beogradit(1960);po aty përfundoi dhe studimet pasuniversitare(1971). Mbrojti doktoratën në Universitetin e Prishtinës(1989). Ka punuar si lektor i gjuhës shqipe në Katedrën Albanologjike të Universitetit të Beogradit(1962-1964), pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjik në Shkup (1964 – 1975, profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin e Shkupit (1975 -1999). Është autor i shumë veprave gjuhësore; bashkautor të teksteve universitare, autor tekstesh shkollore për gjuhën e letërsinë shqipe në Maqedoni. Si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit ka mbajtur referatin: “Procesi i njësimit të shqipes letrare në Maqedoni”.

 

KOHA: Prof. Remzi Nesimi, brezi i vjetër i burrave përdor në një masë të madhe fjalë turke, ndërsa brezi i mesëm përdor mjaft sllavizma nga serbokroatishtja e maqedonishtja, si e komentoni këtë?

NESIMI: Rrethanat gjeografike, historike dhe politike kanë implikime edhe në procesin e zhvillimit të një gjuhe. Njerëzit e kulturave të ndryshme, për arsye të ndryshme mësojnë dhe përdorin gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare. Gjatë procesit të përdorimit të një gjuhe tjetër, por ndonjëherë edhe thjesht për të tejkaluar dallimet gjuhësore, kontakti gjuhësor prodhon ndikime të ndryshme në gjuhët përkatëse. Kontaktet gjuhësore të shqipes janë shumë të vjetra dhe rrjedhimisht edhe ndikimet gjuhësore lidhen me periudhat përkatëse. Kështu shqipja ka fjalë të burimit romak e grek, të rrënjosura thellë e që në një mënyrë janë edhe të një rëndësie të veçantë për faktin se dëshmojnë lashtësinë dhe autoktoninë e gjuhës sonë. Pastaj, nga koha e Perandorisë Osmane, ashtu si edhe shumë popuj të tjerë ballkanikë, kemi mjaft fjalë të burimit osman. Me ardhjen e sllavëve në Ballkan fillon edhe depërtimi i sllavizmave. Gjuhësia këto ndikime i njeh me emrin huazime. Huazime ka çdo gjuhë pavarësisht nivelit të zhvillimit. Dhe kjo nuk është diçka që duhet të na brengosë. Në ditët tona, në sajë të globalizimit të përgjithshëm, gjuha angleze pa ndalë zgjeron ndikimin e saj mbi të gjitha gjuhët me të cilat bie në kontakt. Ajo që pyetni ju besoj se ka të bëjë me dukurinë e përdorimit të fjalëve të gjuhëve të tjera, për të cilat ekziston fjala shqipe. Shqiptarët e Maqedonisë, duke përdorur në komunikimin zyrtar e shoqëror maqedonishten dhe një kohë të caktuar edhe serbokroatishten, me dekada në leksikun e tyre kanë futur shumë fjalë sllave. Bëhet fjalë për nocione, për të cilat shqipja ka fjalët e veta, por në mungesë të mbështetjes institucionale të gjuhës shqipe, një pjesë e qytetarëve kanë përvetësuar fjalët sllave. Kështu p.sh. kur një qytetar, le të themi i paarsimuar mjaft, shkon në një institucion dhe atje i thonë se duhet të plotësojë një Lutje dhe formulari që i jepet mban titullin Mollba, për të lutja bëhet mollbë, çertifikata bëhet izvod, ankesa zhallbë e kështu me radhë. Mendoj se te gjeneratat e reja kjo dukuri dalëngadalë do të zhduket. Qëndrimi im rreth huazimeve në përgjithësi është që gjithnjë kur për një huazim kemi fjalë shqipe, duhet të përdorim fjalën tonë.

 

KOHA: Shumë vendbanime të’ rajonit i karakterizon jeta kurbetçare e burrave, si në të kaluarën ashtu edhe sot, dhe si pasojë e saj vërehen në një masë të konsiderueshme ndikimet e gjuhëve të huaja të atyre vendeve. Si e komentoni këtë?

NESIMI: Kur në një ambient gjuhësor gjuha juaj rrethohet nga një gjuhë tjetër dhe gjuha tjetër njëkohësisht paraqet gjuhën e shoqërisë, është e natyrshme që gjuha juaj t’u nënshtrohet ndikimeve. Por ju, me ketë pyetje, shtroni një çështje shumë më të ndjeshme. Flisni për kurbet, kurse ajo që po ndodh në fakt është një emigrim i mirëfilltë i brezave të tërë. Duke mos parë asnjë perspektivë këtu në vendlindje, shumë të rinj bëjnë çmos që të shkojnë në vendet e zhvilluara. Dikush ndoshta shkon thjesht për një jetë më të mirë. Pavarësisht motiveve, mbetet fakti se shpërngulja është më se e theksuar. Jeta larg vendlindjes ka çmimin e vet. Në qoftë se për të parit që kanë emigruar dashuria e madhe për vendlindjen, gjuhën e atdheun është e pritshme, po aq e pritshme është që kjo ndjenjë të fillojë të zbehet nga brezi në brez. Ne si komb kemi një fuqi të çuditshme të mbajmë gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Vetëm shihni arbëreshët! Me shekuj e deri më sot kanë ruajtur këtë ndjenjë e në veçanti gjuhën amtare. Kjo më jep shpresë se, sado që gjuhët e mjedisit do të kenë ndikime mbi gjuhën amtare shqipe në rrafshe të ndryshme gjuhësore, prapë se prapë do të jetë ai delli ynë i mosnënshtrimit që do ta mbajë gjallë gjuhën dhe atdhedashurinë. Gjithsesi kjo nuk do të ndodhë pa angazhimin e prindërve. Madje në kushtet e sotme mund të organizohen edhe arsimtarë për mësim plotësues.

 

KOHA: Dialekti në secilin katund të vendit, duke vënë në dukje në mes njërit dhe tjetrit vendbanim edhe ndryshimet ekzistuese fonetike, morfologjike e leksikore dhe të gjitha këto së bashku janë një pasuri që përbëjnë një sistem gjuhësor me këtë të folme. Si mendoni Ju?

NESIMI: Është fakt se në rajone e në vendbanime të ndryshme përdoren edhe të folme të ndryshme. Dy dialektet kryesore të shqipes gegërishtja dhe toskërishtja kanë një numër të konsiderueshëm të folmesh. Në dialektin e gegërishtes ka më shumë se në atë të toskërishtes. Të gjitha këto të folme përbëjnë thesarin leksikor të gjuhës sonë. Në pasurimin e fondit leksikor shërbejnë sidomos fjalët e rralla dhe shprehjet karakteristike të të folmeve të ndryshme.

 

KOHA: Frazeologjizmat shpalosin pasurinë e gjuhës sonë?

NESIMI: Është më se e vërtetë se edhe shprehjet frazeologjike janë thesar i çmueshëm i leksikut të shqipes. Ndonëse këto shprehje specifike përbëhen të paktën prej dy ose më shumë fjalësh, në të shumtën e rasteve janë të barasvlershme me një fjalë të vetme. Karakteristikë e tyre është edhe fuqia e madhe shprehëse. P.sh. Nuk e merr në dorë dikë do të thotë nuk e përfill; Ia ha bukën dhe ia përmbys kupën do të thotë mosmirënjohës. Gjuha shqipe është ndër gjuhët më të pasura me shprehje frazeologjike. Mjafton të përmendim Fjalorin frazeologjik të linguistit të shquar akademik Jani Thomai me afër një mijë e dyqind faqe ku janë përfshirë më se dhjetë mijë e dyqind njësi frazeologjike.

KOHA: Trualli shqiptar i Maqedonisë së sotme dhe antikitetit ilirik ruan një fond të pasur e të mëvetësishëm fjalësh dhe emër-vendesh të lashta, visare leksikore, frazeologjike e toponimike me vlera të shumanshme gjuhësore, etnografike, folklorike, kulturo-historike, çfarë keni zbuluar nga studimet tuaja?

NESIMI: Studimet e mia nuk kanë pasur për objekt studimi çështje që lidhen drejtpërsëdrejti me toponiminë dhe etimologjinë. Por për opinionin e gjerë dua të theksoj se shkencat historike, arkeologjike, gjuhësore etj, kanë zbuluar shumë elemente të lashta ilirike në kuadër të toponimisë. Konstatimet sidomos mbështeten në makro toponimet e hapësirave gjeografike të Maqedonisë dhe të shteteve të tjera të Ballkanit, si p.sh tek emrat Shkup, Sharr, Nish, Shtip etj. Këto emra shpjegohen nëpërmjet të gjuhës shqipe, në të cilën me kalimin e kohës tingulli s në shumë fjalë ka kaluar në sh: Shkupi nga Skupi, Nish nga Nisus, Shtipi nga Astibus, shëndet nga sanitas, gusht nga augustus etj.

 

KOHA: Dialektet tona po vdesin për shkak se populli u është nënshtruar shkollimit leximit të gazetave, librave, dëgjojnë radion, shohin televizor, apo..?

NESIMI: Sikurse gjuhët që vdesin, ashtu edhe dialektet mund të vdesin. Por, ky është një proces shumë, shumë i gjatë. Aktualisht gjuha shqipe lexohet e shkruhet në formën e standardit, por njëkohësisht dialektet apo të folmet e saj përdoren mjaft gjallë. Kjo është një tregues se të folmet tona do të jetojnë edhe në vitet në vijim.

 

KOHA: Mediat dhe institucionet, a duhet të kenë kujdes ndaj gjuhës?

NESIMI: Ashtu si në arsim edhe në institucione e në media duhet të zbatohet vetëm gjuha standarde. Standardizimi i një gjuhe paraqet shkallë të lartë të zhvillimit të gjuhës. Ne, që e kemi arritur këtë shkallë, tani duhet të flasim për një traditë të përdorimit dhe të përpiqemi që kjo traditë të jetë sa më e mirë. Kuptohet që edhe gjuha popullore do të përdoret në raste e situata të caktuara. Por gazetarët duhet të përdorin standardin. Shmangie ndoshta mund të ketë vetëm në situata kur komunikimi e kërkon këtë (p.sh. bashkëbiseduesi flet në dialekt dhe nuk e kupton mirë standardin) dhe eventualisht në ndonjë emision argëtues të të rinjve. Gjuha e të rinjve në këtë rast është më e natyrshme dhe prandaj bëhet disi e pranueshme. Kurse në institucione nuk duhet të ketë alternativë.

 

KOHA: Prof. Nesimi, keni prurje edhe në gramatikë, sidomos si autor dhe koautor tekstesh shkollore të gjuhës për fëmijët e një moshe mjaft delikate, ku nxënësi duhet të zhvillojë aftësitë e tij për përdorimin e gjuhës për të komunikuar idetë me efektshmëri. Sa i shfrytëzon tekstet tuaja Ministria e Arsimit sot?

NESIMI: Disa nga tekstet akoma janë në përdorim. Koha rrjedh dhe natyrisht që botohen tekste të reja, nga autorë të rinj. Për mua ka qenë kënaqësi që disa nga tekstet e mia janë ribotuar nga disa herë, që një nga tekstet e ima u shpall si teksti më i mirë i vitit dhe që arsimtarët këto tekste i kanë cilësuar si të qëlluara dhe të dobishme. Madje edhe sot e kësaj dite më drejtohen me kërkesë që t’i ribotoj.

 

KOHA: Njerëzve të mëdhenj Atdheu u është mirënjohës!? Sa mirënjohës është populli shqiptar për kontributin tuaj të devotshëm?

NESIMI: Shumë mirënjohës. Ndonjëherë mendoj se vlerësimet për kontributin tim janë të tepruara.

KOHA: Roli juaj në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik si profesor është i njohur. A po e ndjek brezi i ri shembullin tuaj, përkushtimin tuaj?

NESIMI: Kolegët që sot punojnë në Katedër vazhdojnë të përmbushin standardet e Universitetit më të vjetër e më të mirë në vend, të punojnë me shumë përkushtim si në fushën arsimore ashtu edhe në atë shkencore dhe me këtë e vazhdojnë edhe traditën e një institucioni që njihet për reputacionin e mirë, të fituar që nga koha e profesorëve të njohur si Petro Janura, Olivera Jashar Nasteva, Xhevat Gega, Shefqet Pllana, Latif Mulaku, Haki Ymeri, Zihni Osmani.

 

KOHA: Ju konsiderojnë si profesor që i ka dhënë shumë gjuhësisë shqiptare. A ndani edhe Ju këtë mendim apo akoma keni për të thënë e shkruar?

NESIMI: Kam punuar me seriozitet gjatë gjithë jetës sime. Nuk them që i kam dhënë shumë gjuhësisë shqiptare, por them se kam bërë aq sa më kanë lejuar kushtet. Një temë e trajtuar një herë nuk nënkupton se është mbyllur. Përkundrazi. Sa më shumë studime aq më shumë dritë hidhet mbi të.

 

KOHA: Kontributi juaj është i madh në fushën e gjuhësisë shqiptare, por njëkohësisht kontribut keni dhënë në fushën e pedagogjisë edhe të arsimit shqip, a do të thotë kjo se e keni përmbushur misionin e rilindësve tanë?

NESIMI: Për mua aspiratat e Rilindjes mbeten të shenjta dhe do të mjaftonte që veprimtaria ime të mos jetë në kundërshtim me këto aspirata. Synimi im kryesor gjatë gjithë veprimtarisë sime ka qenë ruajtja e gjuhës dhe e pastërtisë së saj.

 

KOHA: Çfarë mund të na thoni për vitet e studimeve në Universitetin e Beogradit. Bëmat. Aktivitetet. Sukseset?

NESIMI: Universiteti i Beogradit ka tradita edhe në studimin e gjuhës shqipe. Në këtë Universitet Seminari i Gjuhës Shqipe ka funksionuar edhe para Luftës së Dytë Botërore. Pas Luftës, në vitin 1947, u hap Katedra e Albanologjisë, nga e cila kanë dalë një numër i madh kuadrosh të gjuhës shqipe. Nga ata edhe një plejadë e tërë shkrimtarësh e studiuesish si: Murat Isaku, Enver Gjergjeku, Besim Bokshi, Latif Berisha, Ali Aliu, Mahmut Hysa, Hamza Reka, Rexhep Hoxha,Ahmet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Din Mehmeti, Fahredin Gunga etj., të cilët paraqesin ajkën e kulturës, arsimit dhe shkencës. Në Universitetin e Beogradit u formua edhe shoqata e studentëve Përpjekja, e cila organizonte manifestime nga më të ndryshmet. E veçanta e kësaj Katedre është se ajo ishte një qendër që bënte bashkë të gjithë studentët shqiptarë të Beogradit të asaj kohe. Ishin ditë në të cilat ndihma, solidarizimi dhe përkrahja kishin kuptimin më të plotë të fjalës.

 

KOHA: Keni qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit? Si do ta përshkruanit këtë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët?

NESIMI: Idetë dhe përpjekjet për njësimin e dy dialekteve kryesore të shqipes kanë filluar që nga Rilindja. Këto përpjekje u intensifikuan gjatë shekullit të kaluar. Vetëm gjatë dy dekadave u hartuan afër dhjetë projekte të drejtshkrimit, në të cilat jepeshin rregulla në dy variante. Në Rregullat e Drejtshkrimit të v.1967 rregullat u botuan në një variant. Ishte Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972 që përfundimisht unifikoi gjuhën tonë dhe prandaj unë këtë Kongres e shoh si një ngjarje të rëndësishme jo vetëm gjuhësore, por edhe historike. Në këtë Kongres morën pjesë 87 delegatë dhe një numër i madh të ftuarish. Nga Maqedonia ishim tre delegatë: Petro Janura, Sefedin Sulejmani dhe unë. Të ftuar ishin edhe Xhevat Gega, Kimete Agai, Ali Aliu, Shahe Sulejmani, Mahmut Hysa, Emin Pustina, Hamza Reka, Hatixhe Qylafku Nesimi. Delegatë dhe të ftuar kishte edhe nga Kosova. Nga delegatët, akademik Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, unë si dhe Josif Ferari nga Italia ishim anëtarë të Komisionit Organizues dhe anëtarë të Komisionit për hartimin e Projekt Rezolutës së Kongresit. Për mua kjo ngjarje është e rëndësishme edhe për faktin se aty i njoha personalitetet më të shquara të shkencave albanologjike. Përveç figurave më të njohura, albanologut Eqrem Çabej, Shaban Demiraj dhe Mahir Domi, të cilët i kisha takuar që më parë, aty pata mundësinë të takoj edhe studiues e emra të mëdhenj si: Selman Riza, Aleks Buda, Androkli Kostallari, Dhimitër Shuteriqi, Jani Thomai, Jorgo Bulo, Bahri Beci, Jup Kastrati, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Remzi Përnaska, Enver Hysa, Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Ali Dhrimo, Sterjo Spase, Vebi Bala, Nasho Jorgaqi, Muzafer Xhaxhiu. Kongresi ishte ngjarja që na takoi e pastaj ne i zhvilluam dhe i mbajtëm lidhjet profesionale dhe miqësore për vite të tëra.

KOHA: Si ndodhi që standardi i gjuhës shqipe të përdoret në Shkup para Kongresit të Drejtshkrimit?

NESIMI: Qëndrimi i intelektualëve shqiptarë të Maqedonisë gjithnjë ka qenë që drejtshkrimi dhe gjuha letrare të përdoret siç përdoret në vendin amë. Këtë qëndrim e treguan edhe intelektualët Petro Janura, Xhevat Gega e Mureteza Peza në një Konferencën për gjuhën të mbajtur në Prishtinë në v. 1963. Pas botimit të Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1967, gazeta Flaka e vëllazërimit, katër vjet para mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit filloi t’i zbatojë këto rregulla. Ndërsa në institucionet e tjera dhe në arsim në atë kohë zbatohej varianti i gegërishtes.

 

KOHA: A kishit shokë shqiptarë, me të cilët keni studiuar. Kush janë ata?

NESIMI: Po, gjatë studimeve kam pasur shumë shokë. I përmenda më parë studentët e Beogradit dhe përveç tyre do t’i kisha përmendur edhe Musa Arifin, Nehat Bellçishtën, Ditar Qamilin, Mentor Dishën, Mehmet Surdullin, Shaban Gecin, Azir Shalën, Avni Lamën. Me të gjithë këta raportet e miqësisë i kam ruajtur gjatë gjithë jetës. Na kanë lidhur edhe veprimtaria edhe miqësia e sinqertë.

 

KOHA:Çfarë fëmijërie keni pasur?

NESIMI: I rrethuar me shokë e kushërinj të një moshe, kam kaluar një fëmijëri të lumtur. Fshati si fshat ofron gjëra të bukura. Kujtoj gëzimin e pamasë kur binte bora e parë, sepse e dija që gjyshi do të më bënte sajë që të rrëshqas me shokët. Shtëpinë e kisha rrëzë kodrës dhe ishte kënaqësi e madhe të lëshohesh prej lart.

 

KOHA: Kush ishin prindërit tuaj dhe cilat ishin sakrificat e tyre për fëmijët?

NESIMI: Babai im Esati dhe nëna ime Fatime ishin njerëz shumë të dashur dhe vërtet na kanë rritur me sakrifica. Ne ishim katër fëmijë, tre djem: Nafiu, Taipi dhe unë dhe një vajzë, motra ime Shadie. Kushtet e atëhershme janë të pakrahasueshme me këto të sotshmet, por ne edhe përkundër kësaj, ishim të lumtur. Nënën e humba në moshë shumë të re. Kjo ishte një goditje për mua, por ngrohtësia dhe përkrahja e familjes nuk munguan asnjëherë në jetën time. Ngaqë me vëllain e madh kishim shumë vite dallim në moshë, ai në një mënyrë kishte edhe rolin e udhërrëfyesit tim. Ishte hoxhë me profesion, shumë atdhedashës dhe ia dinte vlerën arsimit. Edhe vëllai tjetër, njeri që mbi supe bartte përvojën e hidhur të burgut më të keq Goli Otok, e ku kishte përfunduar si atdhedashës, gjithnjë ka qenë një mbështetje e madhe për mua.

 

KOHA: Cila është familja juaj?

NESIMI: Jetoj me bashkëshorten Hatixhe, apo si e thërrasin të gjithë Tixhe, djalin Ilir dhe të shoqen Siana. Ata janë njerëzit që çdo ditë më kushtojnë shumë kujdes, mbështetje dhe më dhurojnë edhe shumë dashuri. Iliri ka kryer gjuhën dhe letërsinë shqipe, po kur u punësua në Postat e Maqedonisë u kualifikua edhe në fushën e ekonomisë. Nga natyra nuk është konformist dhe prandaj edhe ka pasoja. Por mua do të më vinte keq po të ishte e kundërta. Siana që gjithashtu ka kryer gjuhën dhe letërsinë shqipe, punon në arsim dhe me të shpesh diskutojmë rreth çështjeve të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Shtëpia jonë është një ambient ku hyjnë e dalin shumë vetë. Janë Tixhja, Iliri dhe Siana ata që me ngrohtësinë dhe me dashamirësinë e tyre bëjnë që mysafirët tanë të vazhdojnë të na vizitojnë. Kam dhe vajzën Valbona me fëmijët e saj Valonin e Brikenën. Valbona ndjek rrugën e profesionit tim e kohët e fundit është angazhuar edhe në politikë. Është nënkryetare e Partisë Demokratike Shqiptare të udhëhequr nga z. Menduh Thaçi. Kur e diskutuam këtë mundësi, isha unë ai që e inkurajova, sepse vlerësoj që përfshirja e profesionistëve në sektorët përkatës, vetëm mund të sjellë dobi. Gjithnjë kam menduar se fuqitë intelektuale duhet të vihen në shërbim të interesave kombëtare. Kurse nipi dhe mbesa, ashtu si për çdo gjysh, për mua janë gëzimi im. Valoni sivjet po i kryen studimet dhe këto ditë morëm lajmin që është pranuar për studime pasuniversitare në një universitet të njohur në Itali. Brikena mbetet shumë e veçantë për mua. Edhe pse akoma e vogël (12 vjeçe), ajo tanimë e flet shumë rrjedhshëm anglishten dhe po mëson me zell edhe kinezishten. Që të dy janë shumë të mbarë dhe unë uroj që në jetë të arrijnë t’i realizojnë synimet e tyre.

 

KOHA: Bashkëshortja është përkrahësja juaj më e madhe në jetë?

NESIMI: Jo vetëm përkrahësja më e madhe. Ajo është bashkëvepruesja më e përkushtuar. Në jetë e në veprimtari. Vetë ka qenë gazetare, por, meqë ishte edhe daktilografe shumë e shkathët, të gjitha shkrimet e mia i ka shtypur ajo. Është dibrane e fisme, së cilës i jam shumë mirënjohës për gjithë atë që ka bërë për familjen tonë. Për gjithë respektin që ka shprehur ndaj familjes sime, ndaj miqve të mi të shumtë, të cilët ajo gjithnjë i ka nderuar me mikpritjen e njohur dibrane. Ajo thjesht është shtylla e shtëpisë sonë. Jemi mbi 53 vite bashkë dhe unë akoma nuk e kuptoj ku e gjen gjithë atë energji dhe forcë për t’u ballafaquar me jetën. Është dhe një nënë e një gjyshe e përkushtuar që bën shumë sakrifica për të gjithë ne. Madje viteve të fundit bën edhe një përkujdesje të jashtëzakonshme për shëndetin tim.

 

KOHA: Keni qenë rektor në USHT. A krenoheni me këtë Universitet dhe si e vlerësoni sot këtë tempull?

NESIMI: Kam qenë ndër të parët që kam ligjëruar në Universitetin e Tetovës. Nëpër duart e mia kanë kaluar shumë studentë dhe kam qenë mentor i shumë kandidatëve në mbrojtjen e temave të magjistraturës e të doktoratës. Tani ata janë emra në këtë Universitet. E çmoj shumë punën dhe kontributin e këtij tempulli. Sidomos ndikimin e tij në emancipimin e femrës. Gjithmonë kam thënë se zogut për të fluturuar lart i duhen dy krahë. Edhe familjes i duhen dy anëtarë të shkolluar e të emancipuar që të mund ta rrisë e ta përgatisë brezin e ri për sfidat e jetës bashkëkohore. Unë krenohem me Universitetin e Tetovës dhe me Tetovën në përgjithësi.

 

KOHA: Përse zgjodhët që të jetoni në Shkup?

NESIMI: Në kohën që me bashkëshorten time u ndodhëm në udhëkryq dhe duhej të zgjedhim mes Shkupit, Beogradit dhe Prishtinës, ne zgjodhëm Shkupin për faktin që të dy i kishim familjet më afër dhe e menduam si vend më të mirë për të rritur e ngritur fëmijët tanë.

 

KOHA: Cili është shkrimtari juaj i preferuar, këngëtarja dhe cila është figura më emblematike shqiptare?

NESIMI: Nga shkrimtarët do ta veçoja Murat Isakun. Ndërsa, nga bota e muzikës, Nexhmije Pagarushën. Për mua figura më emblematike shqiptare është heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm