Ademola Lookman ka shpërthyer me tre gola për t’i dhënë fund serisë impresive të Bayer Leverkusenit. Skuadra gjermane kishte 51 ndeshje pa humbje. Nuk kishte pësuar disfatë që nga fillimi i edicionit. Rrugës vendosi shumë rekorde dhe fitoi titullin e parë të kampionit të Gjermanisë.
Por të mërkurën mbrëma në Dublin të Irlandës, Leverkuseni i Xabo Alonsos u shkatërrua. Skuadra italiane, Atalanta, dominoi plotësisht në fushë dhe e fitoi 3:0 finalen e Ligës së Evropës.
Kështu ëndrra e tifozëve dhe lojtarëve të Leverkusenit për ta përfunduar gjithë edicionin pa humbje dhe me tre trofe, u shua. Leverkusenin e pret finalja e Kupës së Gjermanisë dhe mundësia e madhe për trofeun e dytë të edicionit.
Ndërkohë Atalanta ka fituar trofeun e parë evropian në histori. Deri më tani është mburrur me Kupën e Italisë të fituar në vitin e largët 1963.
Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ishte kapiten i Atalantas në ndeshjen finale, në mungesë të kapitenit të parë të skuadrës italiane. Mbrojtësi Gjimshiti kishte ndeshje stabile. Por ylli i mbrëmjes ishte sulmuesi nigerian, Ademola Lookman.
Ai nisi serinë e golave në minutën e 12-të. Për 2:0, Lookman shënoi në minutën e 26-të. Goli i tretë ishte edhe më i bukur. U shënua nga Lookman në minutën e 75-të.
Atalanta ka shfaqur shumë më tepër dhe rezultati e dëshmon këtë. Granit Xhaka ishte në fushë te Leverkuseni, por nuk kishte ndonjë ndeshje për ta mbajtur mend, njëjtë si e gjithë skuadra e Bayer Leverkusenit.