BQ më doli njëra ndër pushtetet më diskriminuese të shtetit. Kjo Kala, na qenka erbape dhe namqorre, em na e vjel dhe korr bereqetin, em na diskriminon si në sistemet e bujk-robërisë. Hallall i qoftë kësaj guvernatores, për nime paskësh pasur topa për diskriminim. Ose, thjesht nuk do t’ia prishë rehatinë e atij pjesëtari të “… më së paku 20 %”. Një Zot e di!
Nga Shaqir ISLAMI
Diaspora erdhi; na pa; u çmall, e u çmallëm … dhe, më kryesorja dhe më jetikja, na e mbushi arkën e Bankës Qendrore me valutat e nevojshme, … si ajri; dhe shkoi. Për të ardhur sërish stinën tjetër. Një mëngjes Kallnori, na tha: Hasta la vista. Mu si në filmat Holivudiane të me trimin e panjohur; i cili sikur pikon nga askundi, e çliron katundin e harruar nga vet Zoti, ua zgjidh hallet dhe telashet; dhe sërish vazhdon rrugën e vet, pa e parë kush dhe pa e përshëndetur, as falënderuar njeri.
Diaspora iku si era! Ndërsa na, sërish u strukëm në lertargjinë dhe apatinë ngulfatëse tonën. Mu si Arrusha kur futet në strofullën e saj, dhe nis hibernacionin së bashku me këlyshët-lazdranë. Dhe Na, të braktisur në pashpresë do mbijetojmë deri në stinën e verës, duke i numëruar ditët një-për-një, se, kur do na kthehen gurbetqarët . Kjo është e gjitha, nga jeta jonë e rëndom apatike dhe e heshtur nga fukarallëku material, mendorë e shpirtërorë dhe pafuqia ekonomike, sociale dhe politike. Këto janë tipare të shoqërive të shtypur dhe të sunduar me dhunë psikike. Askush nuk bëzan në këtë shoqëri të dhjerë dhe impotente. Heshtja është vegla e vetme e mbijetesës. Heshtja na bën të gjithë Ne, që të jemi të zhytur thellë në haram dhe bashkëfajtorë në zullumin politik-social-ekonomik me përmasa historike. Jemi brum i përsosur barcoletash.
Banka Qendrore është më e kënaqura dhe më e lumtura në këtë dramë. I fërkon duart si xhambazi-Usta, yll i pazareve të bagëtisë. Ajo e vjel dhe korr bereqetin, pa punuar tokën dhe pa mbjellë farën. Denarët e shtypur në ndonjë shtypshkronjë të huaj, thjeshtë i zëvendëson me valutat e forta, aq shumë të nevojshme. Ngaqë, borxhet ndërkombëtare nuk paguhen me Denarë, për shkak se, nuk e ha pazari i madh (global). Denarin tone nuk e njeh pazari i dynjasë së parave! Dhe, botërisht dihet se, industria jonë axhami sjell sasi jo të mjaftueshëm valutash nga tregtimi i mallrave me etiketën Made in North Macedonia. Kështu që pjesa më e madhe e çekmexhes së Bankës Qendrore mbushet nga Industria e bekuar e gurbetit (qoftë edhe i zi).
Por, deri më sot, ky pushtet; guxoj ta them, se është i katërti me radhë, dhe më i pushtetshmi nga të tjerët; akoma,nuk ka bërë një njoftim falënderues për gurbetqarët. Bile, nëse jo nga aspekti njerëzorë (me sa duket BQ është e pushtuar nga paragjykime dhe stereotype),ose nga magjiae zezë), ekonomik apo politik; le ta bëjë sa për kurtoazi, një gjest falënderimi mirënjohësie! Jok more, fare nuk bëzan, as plaç, as flm! Vallahi, paskëshim pasur një Guvernatore, baksuze dhe ogurzezë! Banka Qendrore na del si kala ’ Kafkiane’ e mbrojtur dhe heshtur, që të mos e zbulojnë namqorrët “ … më së paku 20%” rëndësinë, peshën dhe diskriminimin e saj që loz në jetën e tyre! A shqiptarët, … si shqiptarë!
Ajde, thash, t’i hedh një sy, sajtit të kësaj banke, ndoshta ka diç positive (!), .. i thuhet edhe Popullore) të Maqedonisë së Veriut, por meqë nuk i shërben gjithë popullit, por vetëm një pjese, le të mbetet Qendrore. “Mirë se vini në faqen zyrtare të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut!
Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut është bankë qendrore, dhe rrjedhimisht banka e vetme për emetim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i saj kryesor është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Bankën Qendrore e udhëheq Guvernatorja dhe tre ndihmës-Guvernatore/ë, pastaj, ka një këshill prej nëntë antarësh. Nga e gjithë kjo turmë, më shumë grash se burrash, vetëm një kishte me një emër me germen F. “nga pakica … më së paku 20%”. Ky emër shfaqet disa herë, ky, na është duke shijuar edhe mandatin e tretë, bëni hesap, një mandat 7 (shtatë) vjetë here 3, ky me germën F. paskësh lëshuar rrënjët e thella në këtë Kala mistike dhe të heshtur.
Dhe hop, pas personit me germen F., një boshllëk si humnerrë. Me sa duket, ky është ndonjë Supermen, dhe, ani se, ka të tillë në këtë dynja të vdekshëm, dhe normalisht se, kush ka topa, ta zëvendësojë një krijesë të tillë. Ajde, i thash vetes mos u bë cinik (ashtu më quan shoku im Luli-Poeti), dhe skeptik (të tjerët), le ta shohim strukturën organizative, me radhë, brenda do ketë haber tëmirë! Hopaa, nuk u besoja syve, ndonëse kurrë s’më kanë lënë n’baltë, BQ i ka 13 (trembëdhjetë) drejtori. Nga trembëdhjetë sektore, me trembëdhjetë drejtora, asnjë nuk e pashë nga këta që i përkasin “… më së paku20 %”. Le të mos bëhem cinik, (siç e thotë Luli-Poeti), ka nga ata të “…më së paku 20%”, si hamall, si çajtorexhi, si pastrues, si roje, si berberë, qoftexhi, si numërues besnik të parave letra dhe monedha, si roje … ua merr mendja se edhe ato janë poste politike!
Pa hiri, BQ më doli njëra ndër pushtetet më diskriminuese të shtetit. Kjo Kala, na qenka erbape dhe namqorre, em na e vjel dhe korr bereqetin, em na diskriminon si në sistemet e bujk-robërisë. Hallall i qoftë kësaj guvernatores, për nime paskësh pasur topa për diskriminim. Ose, thjesht nuk do t’ia prishë rehatinë e atij pjesëtari të “… më së paku 20 %”. Një Zot e di!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)