Tetovë, 30 tetor – Pothuajse 12 orë ka zgjatur seanca konstituive e përbërjes së re të Kryesisë Qendrore të BDI-së në selinë e partisë në Reçicë të Vogël. Një periudhë e madhe e debatit iu kushtua vlerësimit të punës së anëtarëve të partisë që janë zyrtarë në pushtetin ekzekutiv.
“Debat konstruktiv, seanca e parë konstituive, janë shtjelluar pikat në të cilat janë emërtuar strukturat e Kryesisë Qendrore dhe është dhënë raporti i Pushtetit Ekzekutiv, më pas ka vijuar shqyrtimi i raportit, duke iu përkushtuar nevojave të njerëzve në çdo projekt individualisht dhe si të përmirësohet efikasiteti në realizimin e atyre projekteve në funksion të qytetarëve, andaj debati vazhdon më 19 nëntor për të shtjelluar tërë debatin dhe vazhdojmë më tutje”, tha zëdhënësi i partisë Bujar Osmani.
Debatit për punën e zyrtarëve i ka paraprirë dje zgjedhja e 16 sekretarëve në po aq sekretariate. Në të njëjtën kohë, kryetari Ali Ahmeti ka njoftuar për situatën politike.
Artan Grubi u zgjodh shef i kabinetit të kryetarit Ahmeti, zëdhënës i partisë Bujar Osmani, Arbër Ademi zëvendës zëdhënës i partisë dhe këshilltarë të kryetarit Ahmeti në fusha të ndryshme.
Në mesin e sekretarëve të zgjedhur janë Teuta Arifi për Sekretariatin e Arsimit dhe Shkencës, Nevzat Bejta për Vetëqeverisjen Lokale dhe të tjerë.