Pretendimet e ngritura kohëve të fundit për përfshirjen e EULEX-it në afera korruptive nga ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it Malcocm Simmons, ka bërë një jehonë të madhe në qarqet politike dhe mediale të BE-së. Britaniku Malcolm Simmons, i cili ka qenë gjyqtari më i lartë i misionit që nga viti 2014, për mediat evropiane tha se ai kishte denoncuar disa raste të korrupsionit në zemër të misionit të EULEX-it, gjatë javëve të fundit dhe pretendoi se organizata, e njohur si EULEX, ishte subjekt i ndërhyrjes politike.
Ndërkaq në lidhje me këto pretendime, në një përgjigje për Indeksonline, Maja Kocijancic Zëdhënëse për Politikat e Jashtme të BE-së dhe Politikën e Sigurisë, ka thënë se në lidhje akuzat për korrupsion brenda misionit të EULEX-it, të ngritura nga ish-gjyqtari Malcolm Simmons Bashkimi Evropian ka nisur një hetim për të shikuar nëse qëndrojnë si të vërteta këto pretendime.
“BE dhe EULEX veprojnë në një politikë zero tolerance ndaj pretendimeve për sjellje të papërshtatshme dhe të gjithë anëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Të gjitha akuzat janë hetuar dhe, sipas rastit, janë referuar në një Bord Disiplinor”, shpjegon Kocijancic. Sipas saj kjo politikë zbatohet pavarësisht nga pozicioni në mision. Rregullat për këtë janë përcaktuar nga Kodi i Sjelljes dhe Disiplina për Misionet Civile të PShB-së të BE-së, e cila u miratua në korrik 2016 nga Këshilli (Shtetet Anëtare të BE-së).