“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës”.
Kështu tha kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi para gazetarëve pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç – dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak në Bruksel ku u diskutua për çështjen e dinarit.
“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”, potencoi Bislimi.
Tutje, Bislimi ka shtuar se një takim i radhës mes kryenegociatorëve mund të mbahet gjatë javës së ardhshme.
“Jemi dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkovic, ende nuk është deklaruar për media pas përfundimit të rundit të dialogut.
Takimet e kësaj të hëne ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Ndryshe nga herët e kaluara, Lajçaku kaloi direkt në takim trepalësh, pa pasur nevojë për takime të veçanta veç-e-veç për shkak të temës.
Në takimin e fundit që kryenegociatorët diskutua mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore, nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit.
Ndërkaq palët ishin dakorduar që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.