Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 gusht – Bizneset në Maqedoni akoma kanë paragjykime ndaj Fejsbukut, duke e cilësuar atë vetëm si modë apo thjeshtë si një zbavitje të të rinjve, edhe pse paraqet një vegël të fuqishme biznesi që është që është shumë më i lirë reklamimi tradicional, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse reklamimi përmes marketingut digjital është një mundësi shume e madhe për të arritur deri tek klientët potencial dhe ka efekt më të madh, akoma bizneset vendore shumë pak e përdorin atë në punën e tyre të përditshme. Sugjerohet që të shfrytëzohet fakti se shumë njerëz fillojnë dhe mbarojnë ditën e tyre duke shfletuar në rrjetet sociale, kurse edhe hulumtimet tregojnë se përdoruesi mesatar kontrollon smartfonin e tij disa qindra herë në ditë. Edhe pse në Maqedoni mbi 94 për qind e bizneseve janë të kyçur në internet, megjithatë shumë pak prej tyre i shfrytëzojnë përfitimet e reklamimit dhe shitjes përmes rrjeteve sociale. Për potencialin e madh të rrjeteve sociale për zhvillimin e biznesit si dhe reklamimin e tij, flasin edhe të dhënat se në botë ka mbi 1.7 miliardë shfrytëzues aktiv në nivel mujor, ndërsa në Maqedoni ka mbi 1.1 milionë shfrytëzues aktiv të Fejsbukut.
Ekspertët e reklamimit në internet thonë se marketingu digjital përkundër atij klasik paraqet një investim që shumë shpejtë dhe sigurt e kthen investimin, mundëson komunikim direkt me blerësit potencial, targetimin e grupeve të interesit, grupmoshave dhe vazhdimisht informon konsumatorët me ndryshimet aktuale apo risitë e ndryshme. “Nëse shtrirja e internetit në Maqedoni është 70 për qind në dy milionë banorë, kjo do të thotë se 1.5 milion banorë të Maqedonisë për çdo ditë kanë qasje në internet, ndërsa 73 për qind e tyre kanë profil në Fejsbuk. Nga ana tjetër, mbi 95 për qind e të rinjve të moshës 15 deri 24 vjeç kanë qasje në internet përmes celularit dhe kanë profil në Fejsbuk. Kjo është një gjeneratë që do të shkojë në fakultet, do të diplomojë, do të punësohet dhe do të ketë para për harxhim, andaj bizneset me ndihmën e marketingut përmes rrjeteve sociale mund të bëjnë para nëse shkojnë në kontot e tyre”, thotë profesori universitar Dimitar Jovevski.
Sugjerohet që bizneset të adaptojnë reklamat e tyre ndaj telefonave celular, për shkak se 55 për qind e njerëzve që kanë qasje në internet posedojnë smart fona apo tableta, ndërsa 65 për qind e reklamave që plasohen ndaj shfrytëzuesve onlajn në Maqedoni ato i shohin në telefonat celularë, përkundër 35 për qind të reklamave që shtrihen në kompjuterët e tavolinës së punës.
“Ju rekomandoj kompanive në Maqedoni që të shfrytëzojnë ueb faqe të adaptuara për telefonat celularë dhe të kenë banera të mirë reklamues, gjegjësisht të mos jetë vetëm një fotografi e thjeshtë që kur do ta shohin shfrytëzuesit vetëm do të klikojnë dhe do të shkojnë më poshtë. Gjithashtu bizneset duhet të punojnë në ueb faqet e tyre për shkak se pjesa më e madhe e tyre nuk janë optimizuar, gjegjësisht të përgatitur për t’u lexuar në telefonat celularë”, shton më tej Jovevski.
Në ndërkohë, ekspertët e tjerë të marketingut thonë se kaloi koha kur pritej që konsumatorët do të vijë vetë në uebfaqen e kompanisë. Tani nevojitet që informacioni direkt të plasohet deri tek konsumatori. Gjithashtu vlerësohet se reklamimi në internet nënkupton edhe uljen e harxhimeve për reklamë. Në varësi të audiencës të synuar prej jush, duke reklamuar në rrjetet sociale ju mund të arrini më shumë përdorues në krahasim me kanale të tjera reklamimi. Njëherazi reklamimi digjital nënkupton edhe targetim të saktë. Nëse ka një gjë që ndan fushatat në rrjetet sociale nga lloje të tjera të reklamimit, është aftësia e targetimit sa më të saktë të përdoruesit të fundit. Gjithashtu ai kur kombinohet me kanalet e tjera si aplikacione mobile dhe ueb faqet, është një ndihmë e madhe në fitimin e besimit të konsumatorëve. Ndryshe, avantazh i reklamimit onlajn është edhe përmirësimi i strategjisë së reklamimit. Kjo për shkak se nëpërmjet rrjeteve sociale, ju menjëherë do të merrni reagimin e përdoruesit dhe jeni në gjendje të përshtatni strategjinë tuaj të marketingut për të përmirësuar fushat ku ju mund të veproni më mirë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.