Urim HASIPI
Tetovë, 8 shkurt – Rruga për në Banjat e Tetovës është në gjendje katastrofale. Pjesa më e madhe e saj është e paasfaltuar, ndërsa krahas kësaj gjithnjë shemben gurrëz të cilët paraqesin rrezik permanent për kalimtarët, shkruan gazeta KOHA. E njëjta po ashtu ka qenë e bllokuar mëngjesin e ditës së sotme si pasojë e reshjeve të shiut dhe shembjes së dheut dhe të gurëve. Banorët që jetojnë në këtë lagje shprehen se gjithnjë është rrezik për kalimtarët, kurse disa punë që janë filluar nuk janë përfunduar dhe kanë ngelur përgjysmë. Ata shprehen se nëse nuk merren masa banorët e kësaj pjese të Tetovës do të bllokojnë rrugën në shenjë proteste. Një banor i kësaj lagje që për momentin pastronte rrugën thotë se shembja e gurëve kishte rrezikuar edhe disa banorë që kishin lëvizur në këtë rrugë.“Çdo herë kur ka reshje shembet dheu, bien gurrëz të mëdhenj dhe bllokohet rruga. Rreziku ekziston çdo ditë, madje një ditë ishin duke kaluar një fëmijë me prindin dhe guri për pak sa nuk i ka goditur. Deri tash nuk ka pasur të lënduar qytetarë, por nëse nuk merren masa të menjëhershme mund edhe të ketë viktima, kur dihet se në këtë rruga kalojnë edhe fëmijë, edhe të moshuar”, thotë për KOHA, Ramiu, një banor i kësaj lagje. Sipas tyre, ata vet kanë punuar në orët e mëngjesit për të pastruar rrugën e bllokuar ndonëse kanë kërkuar ndihmë nga institucionet por megjithatë në vendngjarje askush nuk ka dalë.
“Në mëngjes ka qenë e bllokuar rruga për shkak se kanë rënë shumë gurrëz, por vet banorët kanë bërë pastrimin e rrugës, por kjo nuk është e sigurt, sepse sërish mund të ketë shembje. Shohim që kohë pas koha bien gurë më të vogël dhe kjo mund të ketë përmasa më të mëdha. Është kërkuar ndihmë dhe presim që të merren masa, sepse ka rrezik permanent në këtë rrugë”, thotë Petrit Osmani, banor në këtë lagje. Në ndërkohë, lidhur me situatën e krijuar në rrugën e Banjës në Tetovë, nga shtabi emergjent i Komunës së Tetovës kanë nënvizuar se kanë dalë në terren dhe janë duke sanuar shembjen e dheut dhe të gurëve.
”Me të marrë informacionet për shembjen e dheut, Shtabi emergjent pranë Komunës së Tetovës ka dalë në teren për të larguar dheun dhe gurët. Ne vazhdojmë të ndjekim situatën me vëmendje dhe jemi gjithnjë të gatshëm që të intervenojmë jo vetëm në këtë rrugë por edhe në pjesë të tjera. Dihet se intervenimi është shumë i vështirë për shkak të motit dhe do të presim që kur të lejojnë kushtet klimatike të intervenohet për të rregulluar atë rrugë dhe të shmangen rreziqet nga erozioni i dheut”, tha Uka Aliti, nga Shtabi emergjent në Komunën e Tetovës. Edhe pse për momentin qarkullimi në këtë rrugë zhvillohet në kushte shumë të vështira, megjithatë kërkesa e banorëve është që në këtë pjesë të Tetovës të bëhet një investim më I madh dhe njëherë e përgjithmonë të mos ketë rrezik për shembjen e dheut.
Ndryshe, rruga për në Banjat e Tetovës është dëmtuar gjatë vërshimeve katastrofale në gusht të vitit 2015. Ndonëse vetëm një pjesë e vogël është rregulluar, pjesa tjetër e kësaj rruge është lënë në mëshirë të fatit dhe pa u rregulluar. E njëjta tashmë është shumë e rrezikshme për qarkullim. Jozyrtarisht mësojmë se edhe fëmijët që shkojnë në shkollë kanë pasur probleme edhe gjatë së hënës, por edhe gjatë ditës së marte.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.