Në momentin kur një skuadër është pa trajner, gjithkush në rrethin e ngushtë sportiv ka një alternativë dhe një emër që e lidh me pankinën. Momentalisht, dy skuadrat kryeqytetase janë në kërkim të pasuesve për Lerdën dhe Ahmatajn.
E teksa në rrethet sportive në vend po qarkullon edhe emri i ish-bomberit rekordmen të Kombëtares si një alternativë e mundshme, gazeta kontaktoi ekskluzivisht me të.
Për Panorama Sport, transmeton gazeta Koha, Erjon Bogdani, shprehet i gatshëm për të marrë të kuqtë, porse nënvizon edhe cilësinë në skuadër dhe synimin e saj për ta ruajtur titullin kampion. Ndër të tjera, ai komenton derbin, këshillën për klubet shqiptare por edhe ecurinë e Rejas në ekipin kombëtar.
A do të ishit gati për një mundësi të tillë, në rast se ju vjen ndonjë ofertë nga Partizani?
Patjetër që jam gati! Megjithatë, që një trajner të stërvisë një skuadër, duhet të bisedojë disa herë me presidentin apo drejtorin për objektivat që kanë.