E shtunë, 15 Mars, 2025
20.8 C
Skopje

Borrell i shqetësuar për ofensivën në Rafah

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me ofensivën izraelite në qytetin Rafah të Gazës, duke paralajmëruar se humbjet humanitare do të jenë të larta.

Ai ka thënë se njerëzit nuk kanë asnjë vend të sigurt ku mund të strehohen.

“Kam frikë se kjo do të shkaktojë përsëri, shumë viktima, viktima civile, çfarëdo që të thonë, ka 600 mijë fëmijë në Gaza, ata do të duhet të strehohen në të ashtuquajturat zona të sigurta dhe të lira. Nuk ka zona të sigurta dhe të lira në Gaza”, u ka thënë Borrell gazetarëve nga Brukseli.  

Izraeli ka urdhëruar palestinezët që të largohen nga Rafahu përpara pushtimit të tij tokësor, duke i dërguar ata në kampin Muwasi, banorët aktualë të të cilit thonë se është kamp i improvizuar tendash me kushte të mjerueshme.

Komentet e Borrellit vijnë pikërisht pas marrjes nën kontroll të kufirit në Rafah nga Izraeli, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

E negociatat për armëpushimin me Hamasin mbeten të paqarta.

Grupin militant Hamas të hënën tha se pranoi propozimin për armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari. Izraeli, ndërkohë, këmbënguli se marrëveshja nuk i plotësonte kërkesat e tij kryesore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i bëri thirrje urgjente të hënën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kundër nisjes së ofensivës në qytetin jugor të Gazës, duke rritur presionin për armëpushim.

Borrell ka reaguar gjithashtu edhe për ceremoninë e betimit të presidentit rus, Vladimir Putin për mandatin e tij të pestë në detyrë duke thënë se vendet anëtare të BE-së nuk duhet të marrin pjesë në ceremoni pasi kjo bie në kundërshtim me qëndrimin e BE-së për zgjedhjet ruse.

“Një gjë tjetër e rëndësishme është betimi i Putinit. Pas shumë diskutimesh me vendet anëtare u dërgova një mesazh të gjithë atyre duke u thënë se gjëja e duhur që duhet bërë është të mos marrin pjesë në këtë ceremoni. Këshilla ime ishte të mos e bënin këtë dhe mendoj se shumica e vendeve anëtare nuk do të marrin pjesë”, ka deklaruar Borrell.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm