Shkup, 7 maj – I dëmtuari në rastin “Tortura” Lube Boshkoski pas anulimit të seancës së sotme gjyqësore, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, tha se mendon se i akuzuari i parë Sasho Mijallkov ndoshta është i gatshëm t’i kërkojë falje dhe se kjo pyetje duhet t’i parashtrohet personalisht Mijallkovit.
Boshkoski vlerëson se të falësh është mirë, por të harrohet një, siç tha, torturë e tillë dhe regjim i tillë nëpër të cilin ka kaluar Maqedonia nuk duhet dhe nuk mund të harrohet.
“Ai u ngrit që të më përshëndetë, ndoshta të kërkojë falje për atë që e ka bërë në të kaluarën. Ne për dallim nga ata e kemi atë linjë demokristiane brenda nesh. Ne kemi mirëkuptim. Ata janë në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë, nga njerëzit më të fortë të shtetit tani janë në gjendje që të luftojnë për lirinë personale dhe ne duhet të kemi marrëveshje për situatën në të cilën ndodhen”, tha Boshkoski.
Shpreson se Maqedonia, siç theksoi, u lirua nga regjimi totalitar dhe se kjo kohë është pas nesh.
“Rreziqet nga gabimet e asaj kohe ende ekzistojnë. Por, mendoj se në Maqedoni fillon të funksionojë shteti i drejtë, të kthehet drejtësia dhe shteti fillon të hapërojë drejt një shteti më të suksesshëm, më perspektiv dhe më të drejtë në çdo pikëpamje. Shtet në të cilin pas shumë viteve do të mbisundojë drejtësia”, tha Boshkoski.
Në pyetjen në lidhje me anulimin e seancës së sotme gjyqësore, Boshkovski u përgjigj se është objektive që të ketë situata të tilla, sepse në këtë rast ka shumë persona të akuzuar.
Seanca gjyqësore për lëndën e PSP-së “Tortura” e cila sot duhej të mbahej në Gjykatën Penale në Shkup, ishte anuluar për 13 qershor për shkak të mungesës së të akuzuarit të tretë Novica Stankovski.