Shpresat janë që pas zgjedhjeve të gjendet një zgjidhje në nivel qendror edhe për deponinë Rusino. Kasami shpreson se Qeveria e ardhshme të merret më seriozisht me këtë problem
Urim HASIPI
Tetovë, 28 prill – Deponia Rajonale “Rusino” gjatë funksionimit të saj është përballur me shumë sfida, sidomos me mos pagesën e obligimit që kanë komunat ndaj kësaj deponie. Përderisa, komunat kanë marrë përsipër që të bëjnë pagesën megjithatë shpeshherë ata vonohen dhe kjo edhe më tej e vështirëson punën në këtë deponi. Problem në vete është se edhe kjo deponi ka një afat derisa do të duhet të gjendet lokacion tjetër adekuat për një deponi rajonale. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami është shprehur se në kuadër të Qendrës të Rajonit Planor të Pollogut janë biseduar disa zgjidhje por nuk ka asgjë konkrete.
“Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet, të cilën duket që nuk mund ta zgjidhin vetë komunat, apo në këtë rast rajoni i Pollogut. Është fakt evident që të gjitha deponitë rajonale në kuadër të rajoneve planore kanë problem me funksionimin e tyre, prandaj do të duhet një zgjidhje nacionale që nënkupton që këta deponi do të duhet të menaxhohen dhe të gjendet mënyra adekuate e financimit të tyre. Në kuadër të këshillit të komunave të rajonit të Pollogut është diskutuar dhe mundësia e privatizimit të së njëjtës dhe menaxhimit nga partnerë privat por ende nuk kemi vendosur”, deklaroi Kasami.
Shpresat janë që pas zgjedhjeve të gjendet një zgjidhje në nivel qendror edhe për deponinë Rusino. Kasami shpreson se qeveria e ardhshme të merret më seriozisht me këtë problem.
“Për momentin nuk ka ndonjë vendim unanim, sepse komunat rurale e kanë më të vështirë me këtë problematike prandej vlerësoj që duhet një zgjidhje nacionale për çështjen e deponimit dhe trajtimit të mbeturinave. Sigurisht që pas 8 majit do të kemi dhe një mundësi tjetër si pjesë e qeverisë që të gjejmë zgjidhje në nivel nacional që të ua lehtësojmë komunave menaxhimin me mbeturinat sepse e dimë që shumica e komunave kanë problem në pjesën e menaxhimit të mbeturinave dhe pjesa e deponimit paraqet një problem shtesë. Dhe besojmë që pas 8 majit do të kemi një zgjidhje të qëndrueshme dhe për deponinë Rusino”, theksoi Kasami.
Nëntë komunat e Pollogut për çdo ditë në deponinë Rusino dërgojnë 350 ton me mbeturina. Me një sasi kaq të madhe të mbeturinave është vështirë që të menaxhohet një deponi siç është ajo në Rusino. Në këtë rast, me këtë deponi menaxhon Ndërmarrja e Përbashkët Publike Rusino-Pollog. Për mirëmbajtjen e së njëjtës harxhimet janë të mëdha, kurse komunat e Pollogut nuk mbajnë zotimin e tyre se do të paguajnë në kohë detyrimin që kanë ndaj kësaj ndërmarrje. (koha.mk)