Bruksel, 16 tetor – Negociatat për braktisjen e BE-së nga ana e Britanisë së Madhe do të jenë temë qendrore në bisedimet e shefave të shteteve të qeverive të BE-së në samitin e të enjtes dhe premten.
Kryeministrja britanike Tereza Mej është ftuar në mbrëmjen me 27 liderët e tjerë dhe presidentin e Këshillit evropian, Donald Tusk të mërkurën në mbrëmje.
Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk ka bërë të ditur se nëse deri të mërkurën nuk ka ndonjë ujdi, atëherë ai do të ftojë për muajin nëntor një samit të posaçëm dhe do të bëjë publike vendimin për një “No-Deal-Brexit”, pra për një Bregzit pa marrëveshje. Megjithatë për marrëveshje ekziston edhe një termin tjetër i fundit, ai i samitit të BE në dhjetor. Kanë mbetur pra edhe dy muaj për marrëveshje.
“Bekstop” quhet konstrukti i bisedimeve për Bregzit, me të cilin BE përpiqet të sigurojë se Bregziti nuk do të vendos kurrfarë kufijsh të ashpër mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Brukseli ka propozuar rregulla të reja për ndërlidhjen e këtij rajoni me BE.
Unionistët e qeverisë britanike kanë hedhur poshtë ato. Takimi javën e kaluar mes Miçel Barnier dhe shefes së DUP, Arlen Foster, duket se ka kaluar jo vetëm me tendosje, por edhe me zëra armiqësor, njofton DV.
Prej këtij takimi janë ashpërsuar tonet mes kundërshtarëve dhe ithtarëve të Bregzitit. Por, edhe për raportet mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Ka madje edhe kërcënime për shkurtime në buxhetin e vitit 2019.
Mej ka propozuar që vendi deri në gjetjen e një zgjidhje të mbetet në unionin doganor, që do të zbuste edhe regjimin e kontrolleve kufitare. Kontrollet kufitare do të shtyheshin edhe për një kohë dhe do të shtohej koha që ministri i Tregtisë Liam Foks të bëj marrëveshje me vendet tjera.
Madje, kryeministrja Tereza Mej pretendon të zbusë konfliktet me kundërshtarët e saj dhe të kufizojë kohën e mbetjes në unionin doganor me BE. Por, BE-ja ka thënë një jo kategorike për këtë zgjidhje, sepse ky problem do të kthehet pas dy apo tri vitesh prapë në tavolinë.
Asnjëra palë deri tani nuk ka treguar gatishmëri të bëj lëshime. Diplomatët thonë se janë harmonizuar rreth 85% të çështjeve, por 15% i mbetur duket i pazgjidhshëm për momentin.
E gjitha kjo mund të rezultojë edhe me krizë qeveritare në Londër, sepse disa ministra kryesisht të rinj kanë dalë me ide kundër kryeministres Mej.
Britania e Madhe duhet ta braktis BE-në në fund të marsit të vitit 2019. Që ajo të mund të ndodhë në mënyrë të rregullt dhe të shmanget kaos i mundshëm i kufijve, nevojitet marrëveshjes për Bregzitin deri në nëntor, konsideron BE.