Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 mars – Tregtarët dhe përpunuesit të shkurtojnë afatet e pagesës së prodhimeve të tyre nga 90 ditë në 15 -30 ditë. Kjo është kërkesa e prodhuesve bujqësorë, të cilët po këmbëngulin edhe për rritjen e kontrolleve gjatë pagesës ose ndryshime ligjore, shkruan gazeta KOHA. Ata po kërkojë që të ketë afat ligjore prej 15 ditë nga data e dorëzimit të perimeve të grumbulluara deri në datën e pagesës së prodhimeve bujqësore.
“Nevojitet që ekzekutivi i ri të gjejë mënyrë që në një afat sa më të shkurtër të paguhen të hollat për prodhuesit bujqësor, ndërsa duhet të mendohet edhe për vendosjen e çmimeve garantuese të grumbullimit. Një zgjidhje e tillë imponohet edhe për shkak të faktit se nëse dëshirojmë të kemi rritje të prodhimtarisë, në atë rast patjetër është që mjetet e prodhuesve bujqësor, në bazë të prodhimeve të shitura bujqësore, të paguhen jo më gjatë se 15 ditë, për shkak se prodhuesi bujqësor në fazën e prodhimtarisë paguhet me para të gatshme”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Bujqve të Maqedonisë.
Bujqit ankohen se një pjesë e grumbulluesve, përveç se nuk i respektojnë marrëveshjet me prodhuesit, ata edhe i ulin çmimet e kontraktuara me bujqit. Prandaj kërkohen ndryshime ligjore që do garantonin pagesën me kohë të mundit dhe djersës së tyre.
Edhe fermerët në terren ankohen se afati i tanishëm është shumë i gjatë dhe kërkojnë që ai të shkurtohet, për shkak se shpesh ndodhë që të hollat nga viti i kaluar të paguhen në vitin e ardhshëm. Përveç vonesave të tilla , bujqve iu krijohen telashe të tjera edhe me tatimin, ku të hollat mund ti marrë edhe Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Përveç vonesës me muaj të tërë të pagesës së mallit të grumbulluar, bujqit janë të pafuqishëm edhe në në aspektin financiar, që borxhet e tyre ti kërkojnë në gjyq, andaj një nga zgjidhjet është edhe ajo që çdo grumbullues të ketë garanci bankare.
“Vonesa të tilla të pagesës nuk ndodhin askund në botë për shkak se në ekonominë e tregut vlen parimi blej dhe paguaj. Bujqit askush nuk i pyet se a kanë të paguajnë me kohë lëndën e parë, plehrat artificial e kështu me radhë , kështu që mendoj që afati i pagesës duhet të jetë 30 ditë”, thotë Vanço Mitev nga shoqata e kultivuesve të perimeve Eko Perime nga Strumica.
Nga ekzekutivi i ri kanë premtuar se do të punojnë që të sigurojnë plasman të sigurt për bujqit, ndërsa qeveria pritet të jetë edhe partner i fermerëve në negociatat për çmimet grumbulluese.
Në takimin fundit me bujqit në Strumicë, Ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski theksoi se krahas takimet me të gjitha palët, po bëhen edhe analiza serioze që do të kontribuojnë që me ndryshimet adekuate ligjore të mundësohet edhe pagesa e sigurt e mjeteve që grumbulluesit ju kanë borxh bujqve.
Ndryshe, bujqit në Maqedoni për çdo vit janë në hall me shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore, koston e lartë të punës që shpesh nuk i mbulon as harxhimet, çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimin e kontratave për shitblerje,si dhe vonesat në pagesa të pemë-perimeve të grumbulluara. Viteve të fundit kishte ndër të tjerash probleme edhe me mosgrumbullimin e rrushit, si dhe çmimin e ulët i blerës të specave që sipas Lidhjes së Sindikatave të bujqve në vend prej 20 deri 24 denarë siç është kontraktuar , grumbulloheshin prej 10-12 denarë . Gjithashtu për problemet me grumbullimin me çmim të ulët janë ankuar edhe prodhuesit e grurit si dhe më shumë prodhues të tjerë bujqësor. Në vitet paraprake , problemi me plasmanin e domateve u zbut me dhënien subvencione prej 6.5 denarë për një kilogram të domateve të dorëzuara në fabrikat konservuese, ndërsa kishte edhe subvencione shtesë në të holla edhe tek prodhuesit e tjerë.
Në ndërkohë, ekzekutivi i ri në Ministrinë e Bujqësisë në vitin e kaluar intervenoi me qëllim të stabilizimit të tregut të pjeshkave dhe bostanit me vendosjen e plus 6 denarë subvencione për pjeshka të dorëzuara tek grumbulluesit dhe me dy denarë shtesë subvencione për kilogram të bostanit të dorëzuar tek tregtarët.
Nga ana tjetër akoma nuk është paguar tërësisht borxhi i Bodrumi të verës ”Povardarie”, ndaj prodhuesve të rrushit për vitet 2014, 2015 dhe 2016, përkundër angazhimeve qeveritare se një gjë e tillë do të realizohet deri në fund të vitit 2017. Kjo kompania para pesë muajve është zotuar se nga shitja jashtë e rezervave për eksport do të realizojë pagesat ndaj vreshtarëve. Nga Federata e Fermerëve para një muaji, kanë paralajmëruar se do intervenojnë ndaj “Povardarie” që të paguajë borxhin për rrushin e grumbulluar dhe ndaj institucioneve shtetërore që të ndërmarrin masa ligjore ndaj këtij grumbulluesi. (koha.mk)