Titulli i sapo fituar me Interin ishte një çlirim për Hakan Calhanoglu, pasi pa ish-shokët e tij të skuadrës (të Milanit) të triumfonin të parët, por mbi të gjitha ishte një hakmarrje ndaj disa tifozëve kuqezinj. Ka qenë vetë turku që ka shpjeguar arsyen: “Hakmarrja ishte për vuajtjet që ndjeva vitin kur mbërrita këtu, kur humbëm titullin në frymën e fundit karshi Milanit.
Nuk mund të harroj gjithçka që u bë kundër meje dhe familjes sime nga tifozët e Milanit, por në zemrën time isha i sigurt se gjithçka do të përfundonte mirë.
Besoja se do të vinte shpagimi, fitorja e titullit gjatë derbit ishte kënaqësia ime më e madhe. Gjithçka ishte e shkruar kështu, nuk e meritova atë që më bënë pa thënë asnjë fjalë. Kjo fitore më shpërblen për gjithçka.
Jam i lumtur dhe krenar që e kam arritur këtë qëllim të jashtëzakonshëm. Ne e donim këtë yll të dytë me të gjithë potencialin. Një sukses që e merituam falë punës së shkëlqyer të bërë së bashku. Pashë pamjet e ndeshjes, festimet e tifozëve, një gëzim shumë i madh për t’u përshkruar”.
Pas këtij suksesi, edhe zhgënjimi i humbjes së titullit në një sprint ndaj Milanit, para pak viteve, është fshirë: “Unë gjithmonë kam ëndërruar ta fitoj titullin me një klub të madh. Erdhi me Interin dhe nuk mund të isha më i lumtur. Mendoj se është ëndrra e çdo lojtari. Ne patëm një sezon të mrekullueshëm, iu dhamë gëzim tifozëve tanë që ishin pranë nesh me një entuziazëm të jashtëzakonshëm”.