Shkup, 22 dhjetor – Bastoret sportive, dyqanet, lokale të ndryshme si dhe marketet, këto ditë kanë qenë caku më i shpeshtë e vjedhësve, të cilët duke kërcënuar me armë të punësuarit, kanë arritur t’u vjedhin të holla nga fitimi ditor. Vala e zezë e grabitësve nuk përjashton posta, barnatore dhe pompat e benzinës, kurse këtu bëjnë pjesë edhe sulmet në rrugë nga banditë dhe vjedhjet nëpër shtëpi, shkruan gazeta KOHA. Buletinet e policisë që nga fillimi i muajit kanë regjistruar 15 grabitje, shumica e të cilave kanë ndodhur në Shkup. Në kryeqytet vjedhësit më shpesh i kanë “vizituar” bastoret sportive. Periudhën e fundit janë plaçkitur tre bastore, të gjitha pasdite ose në mbrëmje. Plaçkitja e fundit ndodhi në bulevardin Kuzman Josifovski-Pitu, ku person i maskuar ka hyrë me pistoletë, ka marrë fitimin ditor dhe është zhdukur. Përderisa për këtë rast kompetentët nuk deklaruan se për cilën bastore bëhet fjalë, për dy tjerat thuhet se janë nga zinxhiri i brendit “Sport Life”. Njëra në rrugën Tale Hristov, kurse tjetra në Bllagoja Stefanovski. Edhe në këto raste plaçkitësit janë kërcënuar me armë. Ndaj këtyre rasteve policia thotë se po merren masa për të zbuluar autorët. Gjithashtu, tre raste të vjedhjeve, siç tregojnë nga policia, nga fillimi i dhjetorit ka pasur nëpër dyqane në qytete të ndryshme. Në Shkup është plaçkitur shitorja “Evropa”. Plaçkitësi ka qenë i maskuar dhe ka mbajtur pistoletë dhe ka arritur të vjedhë pesëdhjetë mijë denarë nga fitimi ditore. Për t’i marrë paratë dhe të ik, plaçkitësi paraprakisht shitësen e ka mbyllur në tualet. Rast tjetër ka patur në Prilep, kur në një shitore plaçkitësi ka mbledhur fitimin ditor i cili është bërë deri në atë moment. Një tjetër grabitje ka ndodhur në Sveti Nikollë, por atje siç deklaruan kompetentët, plaçkitësi i maskuar është ndaluar nga një klient i cili ka hyrë në dyqan. Në plaçkitje tjera, ishte grabitur “Posta- veri” në Shkup, ndërsa nga një barnatore plaçkitësi ka marrë tridhjetë mijë denarë. Policia informoi edhe për rast në një pompe të benzinit, ku dy persona të maskuar duke u kërcënuar me thikë kanë marrë fitimin ditor, ndërsa të punësuarit i kanë mbyll në tualet. Kompetentët raportuan për grabitje në të cilën dy autorë kanë hyrë në shtëpi të një gruaje 63 vjeçare në Tetovë. Përderisa ajo ka qenë në gjumë në njërën nga dhomat, ka dëgjuar zhurmë në një dhomë tjetër, kur ajo shkoi në dhomë, njëri ia ka kapur duart, ndërsa tjetri nga tavolina ka marrë çantën në të cilën ka pasur dokumente, 2.500 denarë dhe dy varëse ari. Siç informojnë nga policia, autorët kanë ikur dhe po merren masa për gjetjen dhe zgjidhjen e rastit. Dhjetë ditët e fundit plaçkitësit për para kanë operuar edhe nëpër rrugë, kurse në një rast plaçkitësi ka sulmuar një vajzë 20-vjeçare në Shkup. E ka goditur në kokë, kurse ajo ka ra në tokë dhe më pas ia ka marrë çantën në të cilën ka pasur kuletë më dokumentet personale dhe 70 denarë. Në Manastir, një burrë 69 vjeçar ka qenë i sulmuar në pothuajse të njëjtën mënyrë, prej të cilit plaçkitësi ka arritur të marrë 500 denarë dhe i është kërcënuar me jetë nëse viktima e paraqet në polici. Para nja marketi në Shtip, dy grabitës kanë përcjellë një grua e cila ka dal nga marketi, e kanë sulmuar atë dhe ia kanë vjedhur çantën në të cilën ka patur kuletë me 250 denarë dhe dokumente personale. Rastet e tilla vetëm e konfirmojnë vlerësimin e ekspertëve se kryerësit e veprave penale të vjedhjeve kryesisht janë individë. Kjo ishte theksuar në vlerësimin rajonal i kërcënimit të krimit të rëndë dhe të organizuar, dokument të cilin e kanë punuar ekspertë nga Ministritë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Gjithashtu, vlerësimet kanë treguar se pse shpesh bëhet fjalë për njerëz të cilët akte të tilla kanë kryer edhe më parë. “Qëllime më të shpeshta të sulmit janë ndërtesat, amvisëritë në zonat rurale dhe periferike si dhe objektet e biznesit në vendet më pak të frekuentuara, ose objektet pa sisteme të përshtatshme për mbrojtje”, shkruan në pjesën për plaçkitje dhe vjedhjet e rënda. Përveç individëve, siç kanë vlerësuar nga policia, në Maqedoni dhe në Serbi janë evidentuar grupet e krimit të organizuar të krijuara me mbështetje logjistike në territorin ku ata operojnë. Gjatë kryerjes së veprave të caktuara të këtij lloji, ku qëllimi i sulmit kërkon përdorimin e aftësive të veçanta apo përdorimi i mjeteve të posaçme dhe burime tjera, që të tejkalohen pengesat, autorët angazhojnë edhe specialistë. (O.Xh)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.