Ekspertët thonë se vëmendja e nxënësve është tejet e shpërqendruar si pasojë e varshmërisë së tyre nga teknologjia, sidomos nga telefonat e mençur, prandaj është nevojë urgjente që nga shkollat të largohen këto mjete që e ulin efikasitetin në mësim
Zenel MIFTARI
Shkup, 5 janar – Nxënësit e shkollës fillore ‘Kërste Misirkov’ nga Kumanova, në pajtim me Kodin e sjelljes në shkollë, duke filluar nga gjysëmvjetori i dytë, në orët mësimore do të shkojnë pa telefona celularë. Drejtoria e shkollës ka rezervuar një vend të posaçëm ku do të lihen telefonat, të cilët do të merren pas përfundimit të mësimit. Qëllimi i kësaj praktike të re është që procesi mësimor të mos pengohet nga përdorimi i telefonave celularë, një dukuri kjo mjaft e përhapur nëpër shkollat tona. Ekspertët thonë se vëmendja e nxënësve është tejet e shpërqendruar si pasojë e varshmërisë së tyre nga teknologjia, sidomos nga telefonat e mençur, prandaj është nevojë urgjente që nga shkollat të largohen këto mjete që e ulin efikasitetin në mësim.
Psikologia e kolegjit “Yahja Kemal” – Shkup, Azra Milaimi, thotë se përdorimi i tepërt dhe i pakontrolluar i telefonave të mençur shpërqendrojnë nxënësit dhe për pasojë vjen edhe rënia në mësime. Por kjo nuk është e tëra, sipas saj, pasi që tek nxënësit vërehen ndryshime në sjellje, shfaqje të shenjave të lodhjes te nxënësit, si dhe ndjenjë jo rehatie e moskomunikimi me të tjerët.
“Shqetësuese janë edhe disa lojëra online të cilat qarkullojnë nëpër internet e që stimulojnë sjelljen agresive ndaj fëmijëve. Varësia psikologjike e përdorimit të celularit dhe internetit nga fëmijët, është një dukuri e përmasave globale. Disa shkolla veç më kanë filluar praktikën e marrjes së telefonave celularë në fillim të procesit arsimor dhe kthimin e të njëjtëve te nxënësit në përfundim të orëve. Nuk mjafton vetëm ndalesa e përdorimit të celularëve nëpër shkolla. Megjithatë përdorimi i telefonave celularë duhet t’i nënshtrohet disa kritereve që nuk e dëmtojnë zhvillimin normal psiko-fizik të fëmijëve, kurse prindërit të mbajnë llogari që fëmijët e tyre të mos jenë të varur nga telefoni edhe në shtëpi”, shprehet Milaimi. Sipas saj, prindërit mund ta bëjnë këtë duke e zëvendësuar kohën e harxhuar në celular ose në internet me aktivitete të tjera të lira, përfshi edhe ato sportive, sepse celulari përveç që pengon vijimin e rregullt të procesit mësimor ai gjithashtu mund të sjellë edhe pasoja të dëmshme në formimin dhe socializmin e fëmijëve. Drejtori i shkollës fillore “Bajram Shabani” nw Kumanovë, Mustafa Ebibi, shprehet se për parandalimin e telefonave celularë nuk ka ndonjë rekomandim ose rregullore të posaçme nga Ministria e Arsimit.
“Përdorimi i telefonave celularë i largon nxënësit nga përqendrimi në procesin mësimor, por ka edhe raste kur janë keqpërdorur fotografitë me arsimtarët dhe shokët e shoqet e klasës. Ne në Këshillin e arsimtarëve kemi diskutuar për këtë problem para fillimit të gjysmë vjetorit të dytë dhe kemi vendosur, si masë parandaluese, nxënësit para fillimit të mësimit të vendosin telefonat e tyre në tavolinën e arsimtarit, me qëllim të kemi një proces mësimor më efektiv”, shprehet Ebibi. Por ai fajin e adreson edhe tek prindërit të cilët ua japin telefonat celularë fëmijëve në shkolla. Emrah Xhemajli nga Shkupi, prind i dy nxënësve, tregon për angazhimin e tij dhe të bashkëshortes në mënjanimin e telefonave celular nga duart e fëmijëve.
“Për tu përballur me këtë dukuri së bashku me bashkëshorten kemi vendosur që edhe ne mos ti përdorim telefonat celularë në prezencë të fëmijëve, në mënyrë që të jemi një shembull më i mirë për ata. Përdorimi i tepërt i telefonave celularë, veçanërisht në shkolla është një ves i rrezikshëm në shoqërinë tonë, që do të lë pasoja te gjeneratat e ardhshme”, shprehet Xhemajli.
Ai pretendon se përdorimi i pakontrolluar i telefonave celular i bën fëmijët më asocial. Ekspertët thonë se efektet e vërteta në zhvillimin e trurit nga përdorim i telefonave dhe teknologjive të tjera nuk mund të detektohen tani, por kjo mund të bëhet pasi që fëmijët ta kenë arritur moshën e pjekurisë. Sidoqoftë, gjetjet e tyre fillestare janë shqetësuese për cilindo prind, fëmija i të cilit përdor telefonin një kohë më të gjatë se normalja. (koha.mk)