“Bijtë e mi! Mos hedhni gurin në grykë të gjirizeve, sepse ato dinë gjithë lagjen ta kutërbojnë me erë të keqe”! Dhe, kur ne kërkonim sqarime shtesë për këtë thënie, ai na i kthente: “Lëreni të qetë jashtëqitjet tona në vendin ku janë grumbulluar”!
Nga Fadil LUSHI
Disa ditë më parë vëllaçkos tim të dashur i thash: Nëse ti mendon se kjo “shkarravinë” është ndërtuar me fjalor rrugaçërie; nëse mendon se është “toptan tallava”, të lus më ndje…! Por ama, nëse i shkon “qejfit” tënd, atëherë më bëj një “aferim”! Dhe në vend që të më thoshte, “Të lumtë”, ma ktheu si me inat: “Ore, a dëgjon se ç’thonë njerëzit rreth e rrotull për shkrimet tuaja për gazetë…? Ore, ke parë diku kësisoj shkrime me nofka të çuditshme ? Njëherë duken si tallëse e njëherë me përkëdhelje ! Ore, mjaftë më me temsile…! Në do i bësh, bëji me tamam, me dashuri dhe me paqe. Hiq mënjanë edhe nofkat edhe temsilet edhe paralelizmat edhe inatet! Nëse do ia fusësh, para a pas, a… edhe kot shkarravinës, mos shpreso se ajo do të dalë kuptimplote a domethënëse! Mos e bëj njësoj si ai gazetari, i cili për të bërë lajmin për televizionin anonim, ia jep mikrofonin gjithsecilit që takon në rrugë; për të dhënë mendim për çështje politike, ekonomike, shkencore, kulturore e tjera ! Pavarësisht se i intervistuari hiç nuk ka habere në lëmitë e lartpërmendura; pavarësisht statusit dhe përgatitjes profesionale. Ki parasysh, shkarravinat tua duhet të përcjellin mesazhe të qarta tek lexuesi yt! Duhet që të qetësojë mendjet dhe shpirtrat e lexuesve të tu të nderuar. Mandej, duhet të mënjanosh pesimizmin, çrregullimet, turbullirat, pakënaqësitë dhe shqetësimet tua!
Këtij vëllait tim, para se t’ia ktheja “hazërxhevapin”, më duheshte ta mas fjalën në “terezi”, sepse ky, mendjen që ka, nuk pranon “kollaj” çfarëdo arsyetimi t’imin po qoftë ai edhe…! Pasi përfundova komunikimin e “ndërsjellë” me vëllain tim, më iku mendja te ajo “mejhaneja” te ish tregu i gjelbërt i kasabasë sime. E quanin “Shino-bus”. Dhe çuditërisht, në atë “mejhane” tuboheshin të gjithë zejtarët, bohemët, aktorët dhe shkrimtarët e mirënjohur tetovarë. Aty shërbente një kamerier me gjymtime fizike, si dhe në të folur. Por ama ishte shumë inteligjent. Ajo “mejhane” nuk kishte “gjirizin”, “halenë” apo nevojtoren dhe të gjithë ata që shndërroheshin në “tapë a në dysheme prej dërrase”, detyroheshin që të urinonin jashtë skutave të fshehta dhe të errëta të “pazarit”. Atë “mejhane”, para më shumë se pesëdhjetë vitesh, e frekuentoja unë dhe një miku im, që sot e gjithë ditën e Perëndisë, pa “dëshirën time dhe të tij”, kemi filluar të “lajmë leshin”, ndonëse, as unë e as ai, nuk merremi me “punimin e leshit”! Kah shkojmë, e kudo që shkojmë e lëmë “leshin pas”. Ç’është e vërteta, mendjet me gjithë prapanicat tona, në asnjë vend nuk gjejnë “rehatinë” dhe lëre që nuk gjejmë prehjen, por edhe e përgojojmë haxhi-babën me gjithë “bythën e tij prej mikroborgjezi”. Për këtë dhe shkaqe tjera, as unë e as “dosti” im, nuk “qederosemi”. Nuk “qederosemi”, sepse punët tona gjithmonë i bëjmë me “qeder”, njësoj si “qari dhe zarari” që nga ndonjëherë (nuk) shkojnë bashkë. Që ky miku im, është më i zgjuar e më i gjallë se unë dhe të tjerët si unë, nuk ka hapësirë për të dyshuar. Herë-herë bën “vaki” të duket më i trashë nga mendja dhe më i “ngrohët” se unë dhe ca të tjerë njësoj si unë! Edhe këtu nuk ka dyshim. Ky miku im prej “qerratai”, dallon nga ne, me “nënqeshjen dinake dhe ironike të tij”. Është më rebel se unë, por është me mendje “kuturu!” Ka “surratin prej gjynahqari!”, e ka “gungën në ballë”…dhe me sa di unë, ky “dosti” im dallon shumë nga të tjerët, sa herë që do ta “ofendosh” me atë shprehjen denigruese, “shko në t’samës”, po aq herë zgërdhihet! Lëre që nuk “sëkëlldiset” a nuk shqetësohet por edhe me një frymëmbajtje ta kthen përgjigjen: “Ore, unë nuk shkoj e as nuk mund të degdisi atje ku ti më çon! Nuk shkoj sepse, lindja ime është bërë me anë të ndërhyrjes cezariane”! Fare nuk I ha palla e nuk I vjen inat pse asnjeri nga bashkëmoshatarët e tij nuk i përngjajnë, as nga surrati a turinjtë, as nga radakja e as nga rrudhat e ballit. Nuk i “ha palla”, pse unë dhe të tjerët si unë, hiqemi për “superiorë” ! Nuk i “ha palla” pse ne hiqemi si “agai I fshatit dhe si aristokratët e kasabasë sonë”!
Dhe para se unë ta përfundoja shkarravinën e radhës, ky miku im parashtroi një mendim, ku pos të tjerash më tha: “Miku, si thua, ta bëjmë a ta formojmë një parti politike, pavarësisht se këtejpari gjegjësisht në këtë qymez të vogël politik, ekonomik, kulturorë, social e tjerë, kemi me bollëk; pa marrë parasysh se kemi grupe njerëzish të bashkuar përkohësisht me një qëllim të caktuar; pavarësisht se kemi parti politike më shumë seç na duhen… pa marrë parasysh, se janë majtistë e djathtistë, liberal, konzervativ, nacionalistë të rrymave të ndryshme dhe ca të tjerë recidivistë..! Pavarësisht që as unë e as ti nuk kemi ndonjë mendim politik të prerë; pavarësisht se as unë e as ti, nuk kemi vizione të qarta! Pavarësisht se nuk dallojmë ngjyrat, pa marrë parasysh se as unë e as ti, nuk kemi as një qindarkë…! Pa marrë parasysh se as unë e as ti, nuk e kemi sovranin dhe votën deliberative të tij, votën e shenjtë të tij! Votë, që ka filluar të shndërrohet në tallava, njësoj si ajo muzika tallava; njësoj si atdhedashuria tallava, njësoj si shkarravinat tua toptan tallava; njësoj si ai mendimi publik, njësoj si ajo filozofia e jonë provinciale a fshatareske, as mish as peshk… e tjerë… njësoj!?” Meqenëse ideja e mikut tim, mu duk fisnike, humane dhe emancipuese, qesh detyruar t’i parashtroj pyetjen paksa hipotetike: – Miku, pa më thuaj, ku do ia gjejmë selinë? Ma ktheu: – “Mos ki dert, do e vendosim aty pranë Kalasë së Rozafatit”! Nuk e kuptova.
Në fund, unë dhe miku im ramë në ujdi që të heqim dorë nga ideja karshi formimit të partisë së re politike, në momentin kur më shkoi mendja te një këshillë e babait tim, i cili dikur moti, pos tjerash na thoshte: “Bijtë e mi! Mos hedhni gurin në grykë të gjirizeve, sepse ato dinë gjithë lagjen ta kutërbojnë me erë të keqe”! Dhe, kur ne kërkonim sqarime shtesë për këtë thënie, ai na i kthente: “Lëreni të qetë jashtëqitjet tona në vendin ku janë grumbulluar”! Dhe unë, asnjëherë nuk ngrita dorën ta hedh gurin atje ku mbreti shkon në këmbë dhe pa truprojë…, dhe për këtë theva qafën!
Të nderuar dhe ju të dashur lexues! Mos u habitni, pse unë me gjithë shkarravinën dhe mikun tim, një ditë do shkojmë për lesh! Më ndjeni për fjalorin tim paksa të denigruar! (koha.mk)