Vetëm 10 vite më parë, Chelsea bënte bujë me blerjet në merkato, si klubi më shpenzues falë perandorisë financiare të Roman Abramovich, por në tre vitet e fundit “Blutë e Londrës” janë shndërruar në mjeshtrat e anës së kundërt të merkatos. Shitja potenciale e Oscar te skuadra SIPG Shanghai për shumën 62 milionë euro ka tërhequr vëmendjen, por kjo është thjeshtë lëvizja më e fundit e Chelseas, si dhe një tregues i suksesit të korrur nga Blutë e Londrës në shitjen e futbollistëve duke nisur që nga qershori i vitit 2013. Që pas asaj date, Chelsea ka gjeneruar një shumë çmendurisht të madhe prej plot 376 milionë euro në të ardhura nga shitja e futbollistëve, më shumë se çdo klub tjetër në Premier League. Transferimi i Oscar në Kinë është gjithashtu një tjetër shembull se si klubi nga “Stamford Bridge” ka menaxhuar që të fitojë më shumë vlerë nga disa futbollistë se sa pritej. Në fund të fundit ishte i njëjti nivel edhe në transferimin e Ramires janarin e fundit, kur kaloi te Jiangsu Suning, me vlerën e mesfushorit në vetëm 30 milionë euro. Ekspertiza e Chelseas në këto tre vite është zhvilluar shumë edhe në tregun e huazimit, pasi ekipi nga Stamford Bridge rriti vlerën futbollistëve të cilët nuk janë ende gati për ekipin e parë të Bluve të Londrës, duke i transferuar ata provizorisht në ekipe të tjera, çka ka sjellë gjithashtu të ardhura të reflektuara në arkën e klubit. Një shembull konkret është ai i Romelu Lukakut dhe transferimit të tij te Everton. Ai fillimisht kaloi një sezon në huazim te West Brom, përpara se të niste një fushatë në “Goodison Park”. Me të çelur merkato e verës, ai u konsiderua aq i pazëvendësueshëm për ekipin e Everton, sa që drejtuesit u treguan të gatshëm të thyejnë rekordin e tyre të transferimit, duke blerë futbollistin nga Chelsea për plot 33.5 milionë euro. Përpara shitjes potenciale të Oscar, shitja më e shtrenjtë e realizuar nga Chelsea me një futbollist të vetëm ishte rasti i brazilianit David Luiz, në momentin e transferimit të tij te Paris Saint-Germain. Mbrojtësi Brazilian i kushtoi PSG plot 60 milionë euro kur nënshkruan në qershor të vitit 2014. Një transferim i vënë shumë në dyshim asaj kohe që duket akoma më shumë i pabesueshëm tani që Chelsea rimori në ekip brazilianin, duke fituar falë transaksionit të realizuar në momentet e fundit të merkatos së kësaj vere. Chelsea arriti gjithashtu që të gjenerojë 44.3 milionë euro nga shitja e Juan Mata te Manchester United në një transaksion të realizuar në vitin 2014. Ndërkohë që ai arriti të bëhet i suksesshëm në “Old Trafford”, atij iu deshën disa vite që të përshtatej dhe të bënte impakt te të kuqtë. Ndërkohë që ka patur edhe gabime të kushtueshme. Kevin De Bruyne u transferua te Ëolfsburg për vetëm 20 milionë euro, për tu transferuar vetëm një vit e gjysëm më vonë te Manchester City për shumën 62 milionë euro. Klubi londinez humbi para edhe pas shitjes së Filipe Luis të transferuar te Atletico Madrid, vetëm një sezon pasi e kishin blerë nga i njëjti klub.