Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Fejsal Behadini ka deklaruar se fillimisht duhet që këto çmimore të miratohen kështu si janë me qëllim që ndërmarrja të fillojë të funksionojë, kurse më pas ka hapësirë për përmirësime
Urim HASIPI
Tetovë, 29 janar – Çmimet e biletave për udhëtarët në transportin publik në Tetovë ka shkaktuar debat në mes të këshilltarëve të opozitës dhe drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Fejsal Behadini. Pas prezantimit të çmimores për një vozitje, e cila do të jetë 20 denarë ka reaguar këshilltari i Lëvizjes Besa, Besar Durmishi, i cili ka patur vërejtje se pse punëtorët në administratë duhet të paguajnë biletë mujore prej 450 denarëve dhe vjetore 4500 denarë, kurse studentët 600 denarë për biletë mujore dhe vjetore prej 6000 denarëve. “Mendoj se nuk është e drejtë që ata të cilët janë të punësuar të paguajnë biletë më të lirë mujore ose vjetore se sa studentët të cilët nuk janë në punë. Sa nuk janë miratuar çmimoret mendoj se duhet që kjo të rregullohet” ka thënë Besar Durimishi, këshilltar i Lëvizjes Besa në këshillin e Komunë së Tetovës.
Në të njëjtën vijë ka qenë edhe reagimi i këshilltarit të Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami. “Në këtë kategorizim nuk janë përfshirë edhe rastet sociale, kurse pajtohem me kolegun se nuk mundet që bileta të jetë e njëjtë si për ata që punojnë dhe ata që nuk punojnë” është shprehur këshilltari Selami.
Në ndërkohë, ka reaguar edhe këshilltari i VMRO DPMNE-së, Goran Jovanovski. Ai tha se në kategorizimin e çmimeve të biletave nuk janë përfshirë edhe kategoria e personave me invaliditet. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Fejsal Behadini ka deklaruar se fillimisht duhet që këtp çmimore të miratohen kështu si janë me qëllim që ndërmarrja të fillojë të funksionojë, kurse më pas ka hapësirë për përmirësime. “Është bordi i ndërmarrjes që përcakton çmimoren dhe të njëjtat miratohen në këshill. Mendoj se fillimisht duhet që të jenë këto çmime, kurse më pas mundet në seancat e radhës të ndryshohen. Sa i përket asaj se pse administrata ka çmim më të lirë, kemi menduar që në këtë formë të stimulojmë punëtorët që të shfrytëzojnë transportin publik dhe mos vijnë me vetura në punë. Kurse sa i takon kategorive të personave me nevoja të veçanta, ndërmarrja ka paraparë kategori edhe atë, personat që kanë shkallë të invaliditetit deri 80 për qind do të kenë lirim dhe ata me shkallë më të lartë do të kenë bileta falas”, tha drejtori Behadini.
Në ndërkohë, kryetari i Këshillit, Bekim Memeti tha se sugjerimet e këshilltarëve do të merren parasysh dhe në të ardhmen do të inkorporohen në kuadër të ndërmarrjes. Pas këtij debati këshilltarët e votuan çmimoren e biletave për transportin publik në Tetovë. (koha.mk)