Nga 31 Maji Antonio Conte është zyrtarisht trajneri i ri i zikaltërve të Interit, por edhe në kaq pak ditë, puna për të ringjitur këtë skuadër në nivelet më të larta të futbollit europian, është në kulmin e saj.
Ish tekniku i Juventusit, në një prononcim të fundit për mediat, prek disa tema të rëndësishme për këtë projekt të ri, ambicioz, që sapo ka nisur, si dhe famën e tij që i njeh meritën e një trajneri fitues.
“Totali i rezultateve të suksesshme dhe intensiteti më të cilin ato janë shënuar, më kanë veshur përsipër një mantel prej fituesi. Gjithsesi personalisht mendoj se jam ai tip trajneri që krijoj aspirata dhe ndez pasionin për t’i rritur ato. Kur vendos të nis një aventurë, pritshmëritë ndaj meje janë shumë të mëdha, jo vetëm nga drejtuesit e një klubi, por edhe nga vet lojtarët, çka nënkupton se presioni ndaj meje është shumë i madh, ndaj dhe zgjedhjet e mia duhet bërë më kujdesin maksimal”, shprehet Conte.
Vullneti i trajnerit italian tashmë për këtë klub është ta ngjisë atë në majën e klasifikimit, duke qenë një rival potent në luftën për titull të Serisë A dhe mbi një objetkiv të tillë trajneri shton.
“Inter është në vetvete një klub shumë ambicioz, ku të gjithë pjesëtarët tij punojnë në të njëjtin drejtim, por në tetë vitet e fundit, përveç përjashtimeve të rralla, në Serinë A nuk luftohet më për titullin kampion, pasi supremacia e Juventusit ka qenë absolute. Ky Inter është i vendosur për t’i ndryshuar tanimë gjërat, me dëshirën për të qenë më kompetitiv dhe i rrezikshëm”, deklaroi trajneri i ri i zikaltërve.