Ku zyrtarët s’kanë asnjë fije përgjegjësie kolektive por vetëm dhe vetëm përfitime personale, a bëhen dot reformat me BE-në ose jo si motiv? Pyetja naive, përgjigjja shkatërruese: dihet që është jo! Prandaj këtu duhet të ndryshojë mendësia e politikës. E para fare çfarë njerëzish do të na servojë nëpër poste
Nga Nazim RASHIDI
Kur Ambasadori i Francës Kristian Timonie doli para gazetarëve javën që shkoi edhe pse pak ditë para vendimit për mos dhënien e datës për fillimin e negociatave me BE-në, duke e parafrazuar, tha se tani kur kishin ranë emocionet t’i themi ca fakte hapur. Emocionet as atëherë, por as edhe tani s’është që kanë rënë. Madje me caktimin e datës së zgjedhjeve do ulen e ngrihen, por nga ana tjetër disa gjëra duhen thënë. Nga qarqe diplomatike, madje edhe nga zyrtarët e BE-së që janë në Shkup, ka një paqartësi totale se çfarë do të ndodhë më tej.
Zyrtarët tanë pa përjashtim thonë se s’ka alternativë tjetër, dhe anëtarësimi i plotë në BE duhet të jetë në horizont. Por sërish, a do jetë kështu? Tani ky moment, sa do shokant dhe emocionues, aq sa Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, tha se për disa ditë se ka ditur “a ka qenë në qiell a në tokë”, do duhet të na kthejë kah vetja. E pra motivi kryesor që jepte BE, është e qartë se nuk do jetë me fuqinë që ishte. Por a duhet dorëzuar?
Në këtë moment reflektimi, më në fund duhet kuptuar se reformat dhe gjithë ndryshimin që duhet ta bëjnë të gjithë në shoqëri, duhet të vijë për hir të vetes tonë. Këtu s’ka asgjë të keqe. Qartë, insentivi i madh për anëtarësim nuk është më, por a ndryshon dot retorika edhe e ofertës politike. Më kujtohet një slogan i para disa vitesh në Shqipëri i cili thoshte: “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”. Pikërisht kjo. I bëjmë dot vendet tona si Evropa, edhe pa mundësinë e anëtarësimit? Është e qartë se politika tashmë, do fillojë, dhe kjo artikulohet më, që të krijojë më pak pritshmëri dhe të realizojë më shumë. Por sërish dhe sërish e njëjta pyetje, a bëhen dot këta vende pa BE-në si motiv? E para fare, do të duhet të ndryshojë në rrënjë logjika politike. Të ndryshojë qasja ndaj pushtetit. Të ndryshojë madje edhe vizioni se si shihen postet nëpër institucione qeveritare.
Më ka ndodhur shpesh që të takoj zyrtarë amerikanë të niveleve të ndryshme. Në artikulimin e tyre e para që dëgjon është fjala “shërbim”. Edhe pse me poste të rëndësishme, ata thonë, se i shërbej vendit dhe njerëzve. Madje në vizionet për karrierën e tyre, kam dëgjuar të thonë, se e kam pasur për nder t’i shërbej vendit, por pas disa vitesh me përvojën që kam fituar, do kaloj në sektorin privat, ku ka më shumë të ardhura. E parafrazuar kjo kuptohet.
E përmend këtë detaj, sepse jo më larg se para se ta shkruaj këtë tekst, në një bisedë mëngjesi, mu përshkrua një zyrtar që kishte marrë rritje në postin e tij, pranë një ministrie. Sigurisht shumë mirë, zhvillimi është përherë i nevojshëm dhe padyshim që ndjesia se zhvillohesh të mban motivin për punë të mëtejme. Kështu mendova dhe mendoj unë.
Por gabim nga ana ime. Motivi i vetëm i këtij zyrtari që kishte pranuar këtë post, pra rritjen në detyrë me çka edhe rritjen në përgjegjësi (besoj të jetë kështu, se ka plot që kanë poste dhe emërtime të larta po s’bëjnë asgjë) kishte qenë martesa e fëmijëve. PO. Nuk e lexuar gabim. Zyrtari pa pikë ndrojtjeje ka pranuar se i duhet të bëjë edhe dy dasma, dhe si rrjedhojë ka pranuar postin. Konkluzionet e mëtejme i vijoni vetë. Atë që dua të theksoj është, se me një mendësi të tillë, ku zyrtarët s’kanë asnjë fije përgjegjësie kolektive, por vetëm dhe vetëm përfitime personale, a bëhen dot reformat me BE-në ose jo si motiv?
Pyetja naive, përgjigjja shkatërruese: dihet që është jo! Prandaj këtu duhet të ndryshojë mendësia e politikës. E para fare çfarë njerëzish do të na servojë nëpër poste. Nëse e bëjmë thyerjen e madhe si shoqëri, ku të gjitha subjektet (shumë utopike kjo) do të pranojnë një normë të pashkruar, të tërheqin njerëzit më të mirë të mundshëm, atëherë do kemi gjasë. Kjo mendësi duhet të fillojë nga krerët e partive, sepse duam apo nuk duam ato vendosin ende se kush janë drejtuesit partiak lokalë, rajonalë, etj. Në prag zgjedhjesh do shohim ambicie plot, por deri më tani kur shohim ca fytyra të ricikluara, veç shpresë nuk ka. Prandaj ndryshimi duhet të jetë rrënjësor dhe krejt oferta duhet të fillojë nga vetja dhe për veten. Kjo që them sigurisht dhe në asnjë moment, nuk justifikon Francën në mbylljen e perspektivës evropiane. Sigurisht që as nuk justifikon as qeveritarët për atë që s’kanë bërë, apo politikanët për ato që s’do bëjnë. Perspektiva evropiane i duhet rajonit, sa do që të zgjasë procesi i anëtarësimit.
Por paralelisht, ose si do që të vijë ky proces, politika duhet të reflektojë thellësisht dhe ndryshimet duhet të vinë, vetëm e vetëm nëpërmjet modeleve të suksesit dhe ideve nga njerëz profesionist. Vetëm dhe vetëm ata mund ta çojnë shoqërinë përpara. Kurse sa për dasmat, janë bërë e do bëhen me më shumë para e më pak para, por përherë edhe ato dalin të mira nëse dasmorët janë të hairit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)