Pa presion ndërkombëtar, partitë politike nuk do të bien dakord për Ligjin e Prokurorisë Publike, ndërsa në periudhën parazgjedhore – nuk pritet efikasitet në lëndët gjyqësore ku janë të përfshirë politikanë
Destan JONUZI
Shkup, 31 tetor – Ligji për Prokurorinë Publike është zhvendosur nga agjenda politike, për shkak se partitë politike në Maqedoni janë të fokusuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm. Ekspertët juridik vlerësojnë se pa presion ndërkombëtar, partitë politike nuk do të bien dakord për Ligjin e prokurorisë.
Ndërkohë, sipas tyre, në periudhën parazgjedhore nuk pritet efikasitet në lëndët gjyqësore ku janë të përfshirë politikanë. “Praktika e deritanishme, për fat të keq, ka treguar se për çështje të rëndësishme është i nevojshëm ndërmjetësim ndërkombëtar, madje edhe për kështu ligje dhe projekte, të cilët janë në interes të gjithë qytetarëve dhe në drejtim të plotësimit të standardeve evropiane në rrugëtimin drejt BE-së. Mos gjetja e gjuhës së përbashkët për disa muaj për Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili duhet ta përmirësojë statusin e organeve të drejtësisë, por edhe të gjejë zgjidhje për Prokurorinë Speciale Publike, e cila për momentin është ‘as në qiell, as në tokë’, tregon se elitat politike primare i kanë kalkulimet e tyre politike dhe nuk duan fare që ta shohin fotografinë e madhe”, deklaroi për KOHA, gazetarja Gordana Duvnjak, njohëse e zhvillimeve politike dhe juridike në vend.
Sipas saj, sistemi i drejtësisë nuk do të “tundet” veçanërisht për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi që ai në vazhdimësi është i ekspozuar ndaj ndikimeve të politikës, e cila përpiqet që në çdo mënyrë ta mbajë nën kontroll. “Sidoqoftë, pres që të ketë ngecje dhe anulime të proceseve gjyqësore, për shkak të taktizimit të gjyqtarëve dhe pritshmërive nga rezultatet e zgjedhjeve”, u shpreh Duvnjak.
Natali Petrovska, nga koalicioni “Të gjithë për Gjykim të Drejtë” thotë se është koha që partitë politike ti tejkalojnë interesat dhe mosmarrëveshjet e tyre dhe të miratojnë Ligjin për Prokurorinë Publike. “Sistemi i drejtësisë në një shoqëri demokratike në të cilët praktikohet sundimi i së drejtës, nuk duhet të pëson, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme, të rregullta ose transfer të pushtetit. Pushteti gjyqësor me gjithë sistemin e tij është i pavarur, aspak nuk duhet të bëhet fjalë për goditje ndaj tij në favor të ndryshimeve politike”, deklaroi për KOHA, Petrovska.
Sipas njohësve të çështjeve juridike, udhëheqësit politikë nuk janë të interesuar që energjitë t’i orientojnë në tejkalimin e dallimeve rreth Ligjit për Prokurorinë Publike, që do të zgjidhte edhe fatin e Prokurorisë Speciale (PSP), temë kjo që është kriteri kryesor i Brukselit për çeljen e negociatave. Sipas tyre, zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 12 prill, madje do të ngadalësojnë dinamikën e zhvillimit të proceseve gjyqësore ndaj lëndëve që tashmë i ka ngritur Prokuroria Speciale. (koha.mk)