Njëlloj si në fillim të Kampionatit Europian, pikërisht pas shpalljes së listës përfundimtare të futbollistëve që do të udhëtonin drejt Francës për të mbrojtur ngjyrat kuqezi, edhe mbrëmjen e sotme, gjatë konferencës së fundit për mediat, para sfidës ndaj Izraelit, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, nuk ka mundur dot të menaxhojë si duhet nervat përballë gazetarëve. Pa kursyer arrogancën, ironinë dhe talljen, De Biasi i është përgjigjur “bezdisësve”, mes të cilëve, për një moment ishte edhe një insekt, që tërhoqi vëmendjen e numrit 1 të pankinës kuqezi, që u angazhua seriozisht ta largojë.
“Kjo është vetëm një deklaratë para ndeshjes. Mendoj se më së shumti Izraeli nuk kënaqet me barazimin, për vetë klasifikimin. Jam i kënaqur që futbollistët nuk janë të kënaqur me vëndin e tretë, por synojnë vendin e dytë, pasi edhe unë vetë nuk do të isha i kënaqur me vendin e tretë, pavarësisht se më kanë perifrazuar gabim. Kam thënë që përballë kundërshtarëve të nivelit që ka grupi ynë, vendi i tretë. Kush është ai që nuk do të ishte i kënaqur të fitonte? Me siguri për të formuluar këtë pyetje duhet të kesh qëndruar pa gjumë gjithë natën. Nuk di çfarë ju thotë mendja. Ne futemi në fushë për të fituar, më pas, të shohim cili do të jetë rezultati përfundimtar, nëse do të materializojmë qëllimin tonë. Realisht nesër do të hyjmë në fushë për të kërkuar të fitojmë. Mua pastaj më pëlqen të flas mbi fakte dhe jo mbi hipoteza”, u shpreh kreu i pankinës kuqezi.
“Elbasan Arena kemi luajtur ndeshjet e kualifikuesve të Europianit, çka do të thotë se na sjell fat, ndonëse unë vazhdoj të them që edhe fati duhet ndihmuar. Më vjen keq për tifozët që kishin blerë më parë biletat në Shkodër, ndërsa për ne nuk ka asnjë problem. Siguria, nuk mendoj se ka ndonjë shqetësim të madh në lidhje me sigurinë, pavarësisht masave të rrepta të ndërmarra. Nëse kanë vendosur të ndryshojnë stadiumin, për të ardhur nga Shkodra në Elbasan, mbase për një menaxhim më të mirë të situatës, nuk mendoj se krijon ndonjë problem”, deklaroi ndër të tjera, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi.