Largimi i mundshëm i Kristiano Ronaldos nga Real Madridi ka bërë që Mançester Junajtedi të planifikojë për të bërë një megaofertë, shkruan “Mirror”. Gazeta britanike thotë se nga “Old Trafford” mund të arrijë një ofertë e vështirë për t’u refuzuar: 175 milionë sterlina (200 milionë euro) dhe David de Gea. Interesimi i “Los Blancos” për portierin spanjoll nuk është diçka e re. Transferimi i portierit në “Bernabeu” dhe 200 milionë euro plus për portugezin 32-vjeçar është ofertë e mjaftueshme për menaxherët e ekipit anglez. Kështu,
Kristiano do të jetë nën komandën e Hoze Murinjos dhe në klubin ku nisi të bëjë famë. Mançester Junajted është një nga disa ekipe, që mund të trajtojnë një lëvizje të kësaj shkalle, ndërsa ofron edhe garanci sportive (liga kineze, për shembull, mund të ofrojë të holla, por jo garë të fortë konkurruese). Ndryshe, thuhet se Ronaldo i ka dërguar një mesazh menaxherit të tij Jorge Mendes, nga i cili ka kërkuar që ta transferon te Junajtedi. “Më ço te Mançester Junajtedi”, është ky mesazhi që Ronaldo i ka dërguar menaxherit të tij Jorge Mendes, pasi siç thamë ylli portugez ka vendosur të largohet nga Reali i Madridit pasi ka fituar gjithçka me Los Blancos në këto 8 vite dhe nuk ka më stimuj për të qëndruar në kryeqytetin spanjoll.
Në fakt, të gjitha klubet duan të hidhen në sulm për futbollistin portugez dhe sipas “Express”, Çellsi nuk do të rrijë duarkryq. Nga “Stamford Bridge” do të përdorin interesin e madrilenëve për Eden Hazard, të cilin mund t’ia propozojnë Zinedin Zidanit në transfertë. Mesfushori belg do të shoqërohet me të holla të tjera, në rast të një negociate të mundshme. Ndërkohë, për Kristianon interesohen edhe PSZ, por edhe Bajern Munihu që ishte gati ta bënte një tentativë.