Shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së dhe këshilltar në parti, Artan Grubi sot përmes një posti të tij në “Facebook” ka bërë disa sqarime lidhur me vendimin e presidentit Gjorge Ivanov për mosdhënien e mandatit për formimin e qeverisë liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Sipas tij vendimi i Ivanovit në esencë nuk ka të bëjë me Deklaratën e përbashkët shqiptare, por me shqetësime tjera. Në shkrimin e tij ai bën disa sqarime zbërthyese të pikave të Deklaratës që qytetarët duhet t’i dinë
Grubi sqaron se deklarata është e hartuar në Shkup nga subjektet shqiptare dhe rrjedh eksluzivisht nga programet zgjedhore të partive parlamentare. “Roli i vetëm i Tiranës dhe Prishtinës ka qenë lehtësimi logjistik i mbajtjes së takimit pas hartimit të Deklaratës për arsye të refuzimit të një subjekti politik që të takohemi bashkë në Shkup”, shkruan Grubi.
Ai gjithashtu thekson se Ligji për gjuhën është në përputhje me kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit si dhe konventat ndërkombëtare. Lidhur me Debatin për simbolet kombëtare, Grubi sqaron se e kanë hapur vetë partitë maqedonase dhe vetvetiu nuk nënkupton ndryshim sepse e para nevojitet shumicë 2/3 plus Badinter, por edhe konsensus shoqëror.
Rezoluta për krimet mbi shqiptarët, citon Grubi, përfshin edhe krimet ndaj maqedonasve që kanë qenë viktimë e shekullit të kaluar, ndërsa më shumë para për komunat përforcon pushtetin lokal dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është obligim ligjor dhe kushtetues, sundimi i së drejtës është zotim i të gjitha partive politike, shqiptare e maqedonase, përfshirja e shqiptarëve në tejkalimin e çështjeve të hapura me fqinjtë është një vlerë e shtuar dhe moment i marrjes së përgjegjësisë formale nga partitë tona”, sqaron Grubi . Ndërsa integrimi në NATO dhe BE është gjithashtu ind përbashkues i komuniteteve në vend dhe prioritet i të gjithë, shkruan Grubi në postin e tij në Facebook duke simuluar se rrëfimet për ndarje, federalizim, kantonizim, ndryshim të rendit kushtetues, janë “përralla për fëmijë”.