Aktori Xhevdet Jashari, i njohur edhe si Arifikmeti i serialit “O sa mire”, në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, ka folur për fëmijërinë dhe karrierën. Ai për herë të parë ka zbuluar se në fëmijëri gjyshërit kanë patur qejf që ai të bëhet hoxhë, por që më vonë në ndikimin e filmave shqiptarë ka vendosur të zgjedhë profesionin e aktorit. “Unë rrjedh prej një familje religjioze. Babai i nënës sime ka qene hafiz gjithashtu edhe gjyshi hafiz edhe kam qenë shumë i afërt me të dy edhe si fëmijë ata më mësuan leximin e Kur’anit. Normalisht, edhe dëshira e tyre ishte që unë të bëhesha hoxhë. Por, në të njëjtën kohë unë si fëmijë isha i lidhur shumë me filmat që prodhoheshin në Shqipëri. Nga dëshira e madhe i shikoja edhe nga tre here në ditë. Në vitin e katër, në gjimnaz, m’u dha mundësia që të merrja pjesë në një shfaqje që e bënë profesorët e mi të gjuhës shqipe. Aty unë fillova ta dashuroj profesionin e aktorit, edhe pse thellë profesioni i aktorit nuk dallon shumë nga ai i hoxhës. Vendosa që të vazhdoj të shkollohem si aktor dhe mendoj se nuk kam gabuar, sepse fenë e kam në shpirt”, ka deklaruar mes tjerash, aktori Xhevdet Jashari, në intervistën për gazetën KOHA, që është botuar në numrin e ditës së premte.