“Mes fajtorëve të krizës së rezultateve te Lazio është edhe Thomas Strakosha. Portieri shqiptar, sikurse shokët e tjerë të skuadrës, ka ulur ndjeshëm rendimentin e tij dhe konseguencat janë mëse të dukshme. Lazio është përkeqësuar në mënyrë të dukshme në aspektin e lojës dhe rezultateve. Milinkovic, Luis Alberto, Marusic, janë vetëm disa prej futbollistëve që këtë vit vijojnë të luajnë me frena dore të tërhequra”, komenton “cittaceleste.it”.
“Ky përkeqësim i përgjithshëm është konfirmuar jo vetëm nga reparti ofensiv, por edhe nga mbrojtja. Pa asnjë hije dyshimi, limitet e mbrojtjes ishin shfaqur që në sezonin e kaluar, por sulmi efektiv fshehte problemet defensive bardhekaltër. Këtë sezon, pas javës së 17-të përkeqësimi është i qartë: 10 pikë më pak, të njëjtët gola të pësuar19, ndërsa janë shënuar 17 gola më pak. Shifrat flasin gjithmonë të vërtetën dhe nga këto statistika kuptohet edhe roli thelbësor i Strakoshës në skuadër. Portieri është futbollisti më shumë nën presion, nuk mund të gabojë asgjë. Por numri 1 bardhekaltër këtë vit po bën shumë gabime, më shumë se zakonisht. Paqartësi të ndryshme në dalje dhe në disa ndërhyrje të gabuara nuk i kanë mundësuar Lazios që të hipotekojë maksimumin në rrethana të përcaktuara”, vijon portal lazial.
“Gabimi ishte mbivlerësimi i shqiptarit. Sigurisht, vitin e kaluar, i promovuar si titullar mes skepticizmit të përgjithshëm, çdo ndërhyrje e mirë e tija theksohej me superlative. Për më tepër në një Lazio me mesatare prej përtej dy golave në çdo ndeshje, mund të mbulohej çdo gabim i vogël i portierit shqiptar. Por këtë vit, me bardhekaltërit në vështirësi në zonën e golit, roli i Strakoshës shndërrohet në thelbësor dhe vendimtar, duke bërë që të përfundoj gjithmonë nën lupën dhe dritën e proxhektorëve. Nëse skuadra nuk shënon shumë, është portieri ai që bën diferencën. Me siguri, portierit shqiptar i mungon edhe konkurenca te Lazio. Kështu, rilindja e skuadrës së Inzaghi kalon edhe përmes Strakoshës. Do t’i takojë atij, për të mirën e Lazios që të dëshmoj se nuk ishte mbivlerësuar”, përfundon shkrimi i medias italiane mbi portierin kuqezi të Lazio.