Shkup, 12 mars – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore sot e promovoi shërbimin e saj të ri – Desku i shërbimeve për anëtarësinë, i disejnuar dhe i implementuar me mbështetjen e Projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit afarist.
Siç deklaroi drejtori ekzekutiv i Odës, Drilon Iseni, përmes Deskut të shërbimeve i cili është i dedikuar për kompanitë anëtare, do të punohet në tre prioritetet strategjike tanimë të definuara: shteti ligjor, qasje në financa dhe stimulimin e sipërmarrësisë.
Përmes këtij shërbimi, OEMVP do t’u sigurojë anëtarëve të saj të gjitha informatat e nevojshme për hyrjen në tregjet e reja të huaja, qasjen në financa, çështjet lidhur me rregullativën e biznesit si dhe legjislacionin ligjor. Ky shërbim që është zhvilluar ofron mbështetje për organizatat mbështetëse të biznesit (odat, asociacionet dhe shoqatat) me qëllim të krijimit të kushteve adekuate për një zhvillim të qëndrueshëm dhe zhvillim të mjedisit të biznesit dhe ekonomisë kombëtare.
Oda, nga ana tjetër, me zhvillimin e shërbimit synon rritjen e qasjes të kompanive vendase në tregjet e huaja, duke promovuar burimin kombëtar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të biznesit.
“Është për të ardhur keq nëse bizneset mikro, të vogla dhe të mesme të Maqedonisë nuk zgjerohen në tregjet lehtë të arritshme si Shqipëria dhe Kosova për shkak të mungesës së informatave të mjaftueshme. Ne jemi të sigurt se kompanitë tona kanë një përparësi konkurruese dhe për këtë arsye ne vazhdimisht përpiqemi të gjejmë mundësi për të përfituar nga kjo përparësi. Sigurisht, shërbimi për anëtarët është vetëm një hap, një pikë kyçe nga e cila OEMVP do të vazhdojë të ofrojë një vlerë adekuate për të gjitha kompanitë anëtare dhe potenciale të Odës”, deklaroi Iseni.
Desku i shërbimeve për anëtarësinë do të ofrojë mbështetje më të madhe për mbi 100 anëtarë të odës, duke përfshirë bizneset rurale të cilat tradicionalisht lihen pas dore nga organizatat mbështetëse të biznesit. Nëpërmjet këtij desku, kompanitë do të kenë mundësi të gjejnë partnerë të mundshëm në tregjet e huaja, duke caktuar takime, vizita, panaire dhe marrjen e informacionit mbi rregulloret ekzistuese. Përveç kësaj, Desku do të japë njoftime edhe për mundësitë e financimit siç janë skemat shtetërore për subvencione, kredi dhe grante, si dhe informata të përgjithshme të nevojshme për punët e përditshme të kompanive.