“Për herë të parë në Dibër – në çerdhen e qytetit, hapet një grup për fëmijët e kësaj kategorie”, tregon Daçi dhe shton se projekti në fjalë synon një trajtim profesional dhe adekuat të fëmijëve me aftësi të kufizuar
Dibër, 9 qershor- Duke marrë parasysh faktin se në Komunën e Dibrës ka një rritje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, institucioni parashkollor – çerdhja “Breshia” është duke realizuar projektin “Dhoma Senzorike”. Bëhet fjalë për një grup të veçantë të edukatoreve që do të punojë në këtë çerdhe të Dibrës me fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa është projekt i mbështetur edhe nga Programi “Erazmus Plus”. Lajmin e ka konfirmuar drejtoresha e çerdhes “Breshia” në Dibër, Ajrie Daçi, sipas të cilës, përveç grupeve aktuale me fëmijë të moshave të ndryshme, shumë shpejt do të fillojë me punë edhe “Dhoma senzorike” ku do të jenë prezent dhe ku do të edukohen fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Për herë të parë në Dibër – në çerdhen e qytetit, hapet një grup për fëmijët e kësaj kategorie”, tregon Daçi dhe shton se projekti në fjalë synon një trajtim profesional dhe adekuat të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Çerdhja tanimë ka një ekip të kompletuar për funksionimin e kësaj “Dhome Senzorike”, meqë siç thotë Daçi, ekipi është i përbërë prej logopedit, defektologut, psikologut dhe edukatorëve tjerë. “Me një ekip të këtillë, ne garantojmë se dhoma në fjalë do të punojë me sukses me këta fëmijë”, thotë Daçi. Ky projekt ka marrë mbështetje edhe nga programet “Erazmus Plus” të Bashkimit Evropian, ndërsa Daçi thotë se mbështetje çerdhja ka gjetur edhe nga shumë donatorë dibranë që jetojnë dhe punojnë në shtetet evropiane si dhe në SHBA.
“Besojmë se ‘Dhoma senzorike’ do të ketë sukses dhe do të garantojë që edhe viteve të tjera – në këtë grup të jenë prezent edhe fëmijët tjerë të kësaj kategorie. Besojmë se me këtë projekt do të ndikohet pozitivisht në integrimin e këtyre fëmijëve në shoqëri. Dy herë gjatë javës nga një orë në ‘Dhomën senzorike’, fëmijët me aftësi të kufizuara do të shoqërohen edhe nga fëmijët e tjerë të çerdhes”. Ndryshe, projekti në fjalë erdhi si nevojë pasi numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në Komunën e Dibrës viteve të fundit ka një rritje. Të dhënat e Qendrës për Punë Sociale tregojnë se numri i fëmijëve me nevoja të çanta në Komunën e Dibër është mbi 130. Për këta fëmijë realizohen edhe projekte të tjera. (koha.mk/V.S)