Delvina KËRLUKU
Agni Dika ka lindur në Strugë në vitin 1950. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka kryer në vendlindje, kurse në vitin 1973 i ka përfunduar studimet pesëvjeçare në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës. Menjëherë pas diplomimit zgjidhet si asistent në të njëjtin fakultet, në lëndë të ndryshme që kryesisht ndërlidhen me fushën e kompjuterikes. Njëkohësisht, i ka vazhduar studimet e shkallës së tretë, pranë Fakultetit Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, në fushën e shkencave kompjuterike, ku edhe e ka mbrojtur punimin e magjistraturës. Në vitin 1982, Agni Dika ka qëndruar nëntë muaj për punë kërkimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Fakultetit Elektroteknik të Universitetit “George Washington” në Uashington D.C. Kurse në vitin 1989 e ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoraturës në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit nga fusha e shkencave kompjuterike, duke i përfshirë në punim kryesisht rezultatet e punës kërkimore të tij në Uashington. Në vitin 1994 është zgjedhur në Komisionin tre anëtarësh për themelimin e Universitetit të Tetovës, ku pas themelimit të tij ka qenë prorektor i Universitetit, dekan i fakultetit si dhe ushtrues i detyrës së Rektorit të Universitetit, për rreth gjashtë muaj. Prej themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Agni Dika ka mbajtur mësim në studimet baçelor, master dhe të doktoraturës. Gjithashtu është ftuar të mbajë mësim në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike pranë Universitetit të Prizrenit. Për shumë vite Agni Dika ka qenë Shef i Departamentit të kompjuterikes, si dhe Shef i Qendrës kompjuterike të Fakultetit Teknik në Prishtinë. Ka qenë njëri prej themeluesve dhe anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës “Nëna Terezë” të Kosovës, pastaj sekretar i Komitetit Kosovar të Helsinkit, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve Universitarë etj. Agni Dika ka publikuar një numër punimesh, të cilët janë prezantuar në konferenca shkencore, ose janë botuar në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Ai është autor edhe i dhjetëra librave universitarë nga fusha e kompjuterikes, pastaj autor ose koautor i shumicës së librave të botuara për nxënës të shkollave të mesme në Kosovë nga fusha në fjalë si dhe autor i disa librave tjerë. Vlen të veçohet përfshirja e tij në përpilimin e Fjalorit të Informatikës, i publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Rreth publikimeve të Agni Dikës, ose për shkarkimin e disa librave universitarë në formatin pdf, mund të shfrytëzohet portali agnidika.net.
KOHA: Z. Dika jeni autor i shumë punimeve shkencore, librave universitar dhe shkollor, si dhe i publikimeve tjera nga fusha e kompjuterikes. E gjithë puna dhe jeta juaj është dedikim ndaj shkencës?
DIKA: Në jetën time, krahas angazhimeve rreth problemeve ekzistenciale të vendit tonë, përkushtimi im kryesor ndërlidhet me kompjuterët, përkatësisht me përgatitjen e librave dhe punimeve shkencore nga fusha përkatëse. Por, në të njëjtën kohë, është dashur të punoj me ngarkesë të shtuar në procesin mësimor në universitet. Nuk jam munduar që shkenca të jetë qëllim në veti, por përmes saj jam munduar që edhe ne të jemi prezent në rrjedhat gjithmbarshme shkencore. Në fillim, meqë kompjuterikja ishte një fushë e re, për mua ka qenë rëndë, sepse është dashur që çdo gjë ta filloj prej fillimi, pa pasur mundësi që të më ndihmojë edhe dikush tjetër. Në kohën para Internetit, e vetmja mënyrë për ndjekjen e zhvillimeve botërore në fushën e kompjuterikes kanë qenë librat e shtrenjta të botuesve botëror. Nga ana tjetër, duke shkruar libra në gjuhën shqipe, jam munduar që gjeneratave të reja t’ua lehtësoi mësimin, p.sh. teknikën e programimit në gjuhë të ndryshme programuese (e bërjes së kompjuterëve të mençur, sepse mençuria e tyre mbështetet në algoritme, të cilët pastaj përmes programeve përkthehen në komanda të kuptueshme për kompjuterët), ose dizajnimin e qarqeve digjitale mbi të cilët mbështetet logjika e punës së kompjuterëve. Më vonë, me publikimin e librave në formë elektronike përmes Internetit, u bë e mundur që librat e mija t’i shfrytëzojnë mijëra lexues, kudo nëpër botë, të cilët përmes mesazheve të tyre falënderuese, më kanë inkurajuar dhe më ka dhënë forcë për punë edhe më intensive.
KOHA: Keni qenë pjesëmarrës direkt në themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke shërbyer një kohë si prorektor, por edhe si ushtrues i detyrës së Rektorit të Universitetit. Çfarë do të veçonit nga kontributi juaj dhe si e shihni sot këtë Universitet?
DIKA: Fillimisht kisha thënë se para se të lind ideja për Universitetin e Tetovës, një Grup punues nga Maqedonia tentoi që problemi i arsimit universitar të zgjidhet me hapjen e degëve të veçanta në gjuhën shqipe nëpër fakultetet e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit. Pavarësisht premtimeve që u dhanë nga zyrtarët e Qeverisë së Maqedonisë, përfshirë edhe presidentin Gligorov, nuk u bë asnjë hap përpara. Prandaj, në mbledhjen e fundit të këtij Grupi punues, konstatuam se bisedimet e mëtejshme me Qeverinë, janë të pafrytshme dhe njëkohësisht propozuam që të fillojë procedura për hapjen e një universiteti të veçantë, në gjuhën shqipe në Maqedoni. Diku në muajin maj të vitit 1994, përmes ftesave, u njoftuam se do të mbahet Kuvendi i intelektualëve rreth iniciativës për themelimin e Universitetit. Pavarësisht përgatitjeve tona që i kishim bërë (listat e profesorëve të mundshëm, fakultetet, drejtimet dhe planë-programet), ne vendosëm që t’i bashkangjitemi kësaj iniciative. Në Kuvendin në fjalë, i cili u mbajt në Tetovë, pas shumë diskutimesh u vendos për hapjen e Universitetit, ku si bashkëthemelues do të paraqiteshin Komuna e Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës. Njëkohësisht, në këtë Kuvend u zgjodha si anëtar i Kryesisë së Universitetit, bashkë me Fadil Sulejmanin dhe Murtezan Ismailin. Gjatë punës së Kryesisë kishte momente të angazhimit maksimal për gjetje të lokaleve ku do të mbahej mësimi, takime të shumta me popullatën shqiptare nëpër Maqedoni dhe jashtë vendit, vizita në përfaqësitë diplomatike, pritje të delegacioneve nga vende të ndryshme etj. Si anëtarë i Kryesisë, qindra herë jam ndaluar nga policia gjatë kalimit të kufirit me Kosovën (kryesisht edhe në prani të anëtarëve të familjes), si presion për t’u tërhequr nga kjo iniciativë. Gjithashtu, bashkë me kolegun Murtezan Ismaili, një natë para shpalljes së aktit për themelimin e Universitetit, u morëm nga policia dhe u dërguam në burgun e Velesit dhe të Shtipit. Me këtë rast, u demolua plotësisht banesa e motrës time, ku qëndroja në atë kohë në Tetovë. Ëndërruam për një universitet të mirëfilltë, me nivel të krahasueshëm me të tjerët. Për këtë qëllim i angazhuam kuadrot më të mira që i kishim në atë kohë, shumica e të cilëve erdhën nga Universiteti i Prishtinës. Por, kishim edhe probleme në ecjen përpara. Problemi më i rëndë në Universitet lindi gjatë procesit të zgjedhjes së udhëheqjes, kur pa i zbatuar procedurat për zgjedhje, si dhe pa dijen e Kryesisë së Universitetit, gazetarëve iu shpërnda lista e “të zgjedhurve”, gjë që u kundërshtua nga shumica e pjesëmarrësve në Kuvendin zgjedhor. Momente të kontributit tim maksimal në Universitet, ishin ato kur u emërova ushtrues i detyrës së Rektorit. Në këtë kohë, bashkë me prorektorin Murtezan Ismaili, kishim shumë takime të suksesshme me përfaqësues diplomatik në Maqedoni, delegacione të ndryshme nga jashtë. Me rëndësi të veçantë ishte realizimi i një vizite të një delegacioni të Universitetit në Amerikë (në Departamentin e Shtetit, në Senatin Amerikan, u organizua një protestë para selisë së Kombeve të Bashkuara si dhe një konferencë për shtyp në Selinë e Kombeve të Bashkuara). Për mua, i një rëndësie të veçantë për Universitetin ishte edhe hapja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, ku mu dha mundësia që si dekan dhe si profesor ta organizoj mësimin ashtu siç është më së miri, me shumë kompjuterë dhe pajisje tjera laboratorike. Kualiteti i mësimit në Universitet u degradua kur pa arsye u larguan nga procesi mësimor një numër i madh profesorësh “të padëgjueshëm” (u larguan 194 profesor), të cilët vite me radhë patën punuar me përkushtim të plotë në këtë Universitet. Prof. Ramiz Abdyli, si rektor i porsazgjedhur, pa sukses tentoi që t’i kthej këta profesorë, sepse për shkurt kohë pas marrjes së detyrës, u detyrua të japi dorëheqje. Besoj se këto probleme dhe shumë të tjera ndikuan direkt në marrjen e vendimit për hapjen e Universitetit të Evropës Juglindore. Pavarësisht kësaj rruge tejet të vështirë të zhvillimit të tij, sot Universiteti i Tetovës ka një infrastrukturë të shkëlqyeshme të hapësirave mësimore. Prandaj, është koha që ta gjejë rrugën e tij drejtë ngritjes së kualitetit në mësim, të avancimit të punës shkencore dhe hulumtuese si dhe përzgjedhjes së kuadrove të cilët me nivelin e tyre arsimor, shkencor dhe intelektual i meritojnë thirrjet universitare. Ky do të duhej të ishte angazhimi permanent i të gjithë atyre që ia duan të mirën Universitetit të Tetovës, sepse me te ndërlidhet ardhmëria e shumë gjeneratave të studentëve që do të studiojnë aty.
KOHA: Ju keni studiuar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit. Çfarë përvojë fituat, duke e ditur se Zagrebi është qendra kulturore, shkencore, ekonomike, politike dhe administrative e Republikës së Kroacisë?
DIKA: Isha për shumë vite për studime në Universitetin e Zagrebit, i cili radhitet si njëri ndër universitetet më të vjetër në Evropë. Sigurisht se studimi në një universitet të tillë me traditë disa shekullore, ka ndikuar në formimin tim profesional e shkencor. Mundësia e studimit në Zagreb, veçanërisht për studime të doktoraturës në fushën e Shkencave kompjuterike, në kohën kur rrugët për studime për ne kanë qenë të kufizuara, është një moment tejet i rëndësishëm për mua, por edhe për edukimin e gjeneratave të para të studentëve tanë në këtë fushë. Qyteti i Zagrebit, bibliotekat, institucionet kulturore si dhe niveli kulturor evropian, kanë ndikuar edhe në formimin tim të përgjithshëm. Aty ka pasur mundësi të kesh qasje direkte në libra të botuesve botëror në bibliotekë, por edhe t’i blesh ato, ose të ndjekësh shfaqje të ndryshme në Teatër apo në Operën e Zagrebit.
KOHA: Shëtitja nëpër botë ju ka mundësuar të kontaktoni me shumë njerëz. Uashingtoni, Irlanda, Franca, etj., është një përvojë ku keni shfrytëzuar njohuritë e kolegëve, disiplinën dhe mënyrën praktike të menaxhimit të punës?
DIKA: Bota sot ec shumë përpara në ngritje profesionale dhe shkencore të të rinjve. Zhvillimi tejet i hovshëm i teknologjisë kërkon kuadro të specializuara në fusha të ngushta. Prandaj, është e logjikshme që të mos kemi universitete me drejtime të njëjta, por që secili prej tyre të ketë orientim për specializim në fusha të caktuara. Gjatë qëndrimit me disa kolegë në universitete të Irlandës dhe Francës, vërejtëm profilizimin e instituteve dhe universiteteve në fusha të caktuara. Nga profesorët në Irlandë dëgjuam se qeveria e tyre i ka tre prioritete: arsimin, arsimin dhe arsimin. Prandaj, edhe zhvillimi i tyre është më i suksesshmi në Evropë. Sa i jepet rëndësi dijes, p.sh. në kryeqytetin Dublin, në një rrugë pamë shumë librari, të furnizuara jashtëzakonisht mirë me libra të botuesve botëror.
KOHA: Ne po shkojmë drejt një periudhe ndryshimesh të mëdha në fushën e arsimit e të kushteve të punës me një shumëllojshmëri kursesh për karriera profesionale, ku arsimimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm përbën një obligim të qartë. Cila është rruga e duhur për të ndryshuar?
DIKA: Rinia jonë ballafaqohet me shumë dilema sa i përket zgjedhjes së fushës që duan të studiojnë. Gjatë marrjes së vendimeve të tyre, ato nuk kanë ndonjë udhëzues të mirëfilltë. Për këtë qëllim duhet të kemi ose të funksionalizohen institucionet për orientim të nxënësve, duke i pasur parasysh afinitetet e tyre, por edhe nevojat e tregut të punës. P.sh., sot shumë është i kërkuar profesioni i programuesve (atyre që merren me programet për udhëheqje të afarizmit përmes kompjuterit). Për këtë profesion, kërkesa të mëdha ka jo vetëm te ne, por edhe në Evropë dhe kudo nëpër botë, ku përveç rrogës së mirë, ofrohet edhe leje qëndrimi të përhershëm. Shkollimi nuk përfundon me përfundimin e studimeve. Por, ai duhet të jetë i përhershëm, duke shfrytëzuar publikime të ndryshme që ofrohen edhe përmes Internetit. Në fushën e kompjuterikes ka një dinamik të jashtëzakonshme zhvillimi, prandaj është e pamundur ruajtja e nivelit profesional pa ndjekje të risive të cilat janë të përditshme.
KOHA: Në kohën kur studiuesit ngrenë çështjen se vendet evropiane synojnë drejt një paradigme të re arsimore si në vendet e zhvilluara apo përpiqen për përshtatje pragmatike në shërbim të zhvillimeve ekonomike, vërehet se në vendin tonë përgjegjësia për të iniciuar dhe transmetuar në çdo hallkë të sistemit edukues sot (vallë) troket ne dyert e Universiteteve. Si mendoni Ju?
DIKA: Sot, arsimi te ne nuk shkon në drejtimin e duhur dhe kemi rënie permanente të kualitetit në mësim. Fatkeqësisht, trend kryesorë është hapja e universitete dhe degëve të tyre kudo, ku si qëllim kryesor nuk është dija, por shpërndarja e “diplomave” për përfitime materiale. Në këtë mënyrë rritet piramida e letrave të pavlerë që quhen diploma, pa u mundësuar bartësve të tyre që të gjejnë punë. Në botë kërkohen njerëz me dije, kurse për diplomat e tilla as që pyet kush. Duhet sa më parë ta marrim parasysh thënien e njohur se “nëse dëshiron ta shkatërrosh një popull, shkatërroja arsimin”, sepse dikur do të jetë vonë të korrigjohen gabimet të cilat i bëjmë ne sot.
KOHA: Edukimi për gjatë gjithë jetës është koncepti kryesor që duhet të drejtojë politikë bërjen, organizimin e arsimit dhe zbatimin e tij?
DIKA: Duke e pasur parasysh dinamikën e zhvillimeve në çdo fushë të jetës, në kontinuitet duhet t’i përcjellim të arriturat e fundit, ashtu që të mundemi t’i shfrytëzojmë edhe në punën tonë të përditshme. Por, gjithashtu nuk duhet lënë pas ngritjen kulturore, si dhe njohjen e të arriturave të përgjithshme njerëzore. Bindja se me përfundimin e shkollimit, niveli i dijes është i mjaftueshëm për punë të mëtejshme është e gabuar. Sot, mundësitë e mësimit permanent janë të mëdha, veçanërisht përmes mësimit elektronik në Internet.
KOHA: Çfarë e dallon rinin e sotshme nga rinia e juaj?
DIKA: Në kohën tonë, në arsim, është punuar me më shumë idealizëm. Kjo ka ndikuar që edhe nxënësit, si dhe studentët të kenë angazhim maksimal jo vetëm për nota, por më shumë për dije. Edhe sot kemi studentë të përkushtuar për mësim, për të mos thënë se në fushën e kompjuterikes kemi student të jashtëzakonshëm. Kjo shihet edhe gjatë vazhdimit të studimeve të tyre diku nëpër botë, ku këta student rangohen mes të parëve. Por, rinia e sotshme është dekurajuar për shkak se gjatë punësimit zakonisht nuk është me prioritet përgatitja profesionale, por përkatësia partiake dhe lidhjet familjare. Duhet të insistohet në stimulimin e atyre që kanë kualitete, duke u mundësuar punësim me prioritet, sepse përpara mund të shkohet vetëm me njerëz që kanë dije.
KOHA: Struga dhe Prizreni, dy qytete që i lidh tradita shqiptare. Çfarë do të thonë për Ju, këto dy qytete me histori të pasur?
DIKA: Sigurisht se vendlindja ime Struga është gjithnjë në mendjen dhe zemrën time. Aty është e kaluara dhe e tashmja familjare. Por, valët e jetës më dërguan në Prishtinë. Si qytet i veçantë padyshim se duhet përmendur Prizrenin e bukur, me shumë monumente historike, por edhe si qendër e lëvizjeve të mëdha kombëtare, duke e veçuar Lidhjen e Prizrenit. Kontribut në këtë lëvizje kanë dhënë edhe të parët tanë, në Degën e Ohrit të Lidhjes së Prizrenit, ku si anëtar ka qenë edhe stërgjyshi im. Për ne, i një rëndësie të veçantë është Shkupi, si për nga historia, gjithashtu edhe për shkak të mundësive të shumta që ai i ofron. Por, nuk duhet harruar Ohrin me një histori të tij mijëvjeçare. Ja edhe historia e shkurtër që më solli në Prishtinë: Si nxënës kam ëndërruar të studioj arkeologjinë ose shkencat politike. Por, shumë më ka pëlqyer edhe elektronika. Prandaj, në momentin e fundit u regjistrova për studime në Fakultetin e Elektro-Makinerisë në Shkup. Në ditën e parë të studimeve, dekani ua shpërndau indekset të gjithë studentëve, përveç një grupi të vogël studentësh, të cilët i kishin plotësuar ato me shkronja latine. Në mesin e tyre isha edhe unë, si dhe disa student nga Kosova dhe Palestina. Pavarësisht se në kolokviumet e para kisha rezultate të shkëlqyeshme, pritja jokorrekte në ditën e parë të studimeve, por edhe hapja në Prishtinë e Fakultetit Elektroteknikës, si degë e Universitetit të Beogradit, na shtyri që të transferohemi atje, ku i vijova studimet si student i gjeneratës së parë.
KOHA: Në moshën e rritur ne gjurmojmë të kaluarën tonë. Çfarë kujtime mbani nga fëmijëria e juaj?
DIKA: Fillimet të cilët i mbajë në mend ndërlidhen me shkuarjen në klasën e parë të shkollës fillore, në moshën pesëvjeçare dhe si mësues e kisha babin tim. Gjatë shkollimit tetëvjeçar, meqë shkolla në Strugë ishte menjëherë pranë brigjeve të Drinit të Zi, njëri ndër preokupimet tona si nxënës, ka qenë larja qysh në ditët e nxehta të pranverës, ose noti me tentativa për kalimin prej njërës në anën tjetër të Drinit, garat për zhytje sa më të gjatë nën ujë etj. Preokupim e kam pasur edhe peshkimin, qoftë me grep, ose më vonë edhe me maskë për zhytje nën ujë dhe peshkim me pushkë nënujore. Kurse në kohën kur rregullohej shtrati i Drinit të Zi, u zbulua një banim parahistorik i ndërtuar mbi lum. Gjatë kësaj, duke kërkuar në mbeturinat e nxjerra nga lumi, si nxënës pata gjetur vegla të ndryshme të punuara nga guri (thika, sëpata, shigjeta, gjilpëra prej ashti etj., me pamje jashtëzakonisht interesante). Këto zbulime, më vonë i dorëzuam në Muzeun Arkeologjik të Strugës, por nuk i kam parë të ekspozuara asnjëherë dhe nuk di asgjë për fatin e tyre. Këto ishin edhe momentet që më shtynë ta dua arkeologjinë.
KOHA: Sa e rëndësishme është familja për Ju dhe sa i përkushtoheni?
DIKA: Sado që të jemi të suksesshëm, nuk do të ndihemi të lumtur pa mirëqenie në jetën familjare. Nënkuptohet se shtylla mbi të cilën qëndron e palëkundur familja ndërlidhet me bashkëshorten, përkatësisht nënën e fëmijëve tanë. Bashkëshortja ime, Lunikja, përkundër asaj se në profesionin e sa, si juriste e diplomuar, ka qenë e suksesshme, gjë që e ka treguar edhe gjatë punës në Ministrinë e Drejtësisë (shërbimi për falje të të dënuarve), viteve të fundit i është përkushtuar plotësisht familjes. Gjatë jetës tonë familjare, ajo e ka pasur barrën e rëndë të shtëpisë, por edhe të rritjes së tre vajzave tona të mrekullueshme (Penestës, Flakës dhe Andës), të cilat sot janë të suksesshme në profesionet e tyre. Ajo ka qenë aty pranë fëmijëve tanë, kur unë kam munguar për shkak të udhëtimeve të shumta nëpër botë: shumë vite udhëtimi për në Zagreb, qëndrimi në Uashington, pjesëmarrja jashtë vendit në shumë konferenca, seminare, prezantime etj., sigurimi i përkrahjes për Universitetin e Tetovës (Zvicër, Gjermani, Vjenë, Nju Jork, Uashington etj.), puna jashtëzakonisht e madhe në Shoqatën “Nëna Terezë”, pritja e delegacioneve të ndryshme në Komitetin Kosovar të Helsinkit etj. Realisht, përkushtimi im ndaj familjes ka qenë i kufizuar, për çka më vjen keq dhe nuk ndihem mirë. Siç duket, vonë e kam kuptuar thënien se familja është e shenjtë dhe ajo duhet të ketë përparësi edhe në momentet e obligimeve të shumta të punës profesionale dhe shkencore. Me plotë të drejtë, mund të them se suksesi im do të ishte i pamundur pa ndihmën e jashtëzakonshme të bashkëshortes time, prandaj e meriton t’i them publikisht faleminderit, për mua dhe për fëmijët tanë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.