Një ndër gazetat më të rëndësishme në Kroaci, “Vecernji” ka publikuar një artikull, ku shprehet se NATO disponon një dokument, me anë të së cilit parashihet se Rusia ka plane për të destabilizuar Ballkanin dhe për të çekuilibruar gjithçka në rajon. Dokumenti sekret, që është publikuar edhe prej mediave ndërkombëtare, pritet që të diskutohet nga ana e ministrave të Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, gjatë këtij muaji. Në këtë dokument, thuhet se janë rritur nivelet e mundshme të agresionit rus, si dhe problem mbetet edhe kthimi i luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku. NATO ka informacione se Ballkani Perëndimor rrezikon seriozisht prej disa mesazheve kërcënuese nga ana e Moskës. Mësohet se NATOja do të parashtrojë problemin se shumë luftëtarë nga Ballkani kanë ikur për të luftuar në vijën e parë të frontit në Siri e në Irak, për organizata terroriste si ISIS apo AlNusra. Nuk mbetet për NATOn vetëm ky problem, por nga ana tjetër është edhe Rusia, shtet ky që me politikat e veta përpiqet të destabilizojë rajonin dhe të prishë paqen. Sipas NATOs, Rusia është duke kryer disa investimë të saj në Ballkan, të cilat përhapin idetë destabilizuese. Në atë dokument thuhet se Rusia gëzon më së pari mbështetjen e serbëve të Bosnjës dhe të Herzegovinës, të cilët duan pavarësinë e njëanshme nga shteti boshnjak. Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik po përpiqet me çdo mjet që të pengojë integrimin euroatlantik të Bosnjës. NATO po e sheh si mundësi, që Bosnjën ta bëjë pjesë të saj, me qëllim që të ketë mbrojtje nga ana e sulmeve serbe dhe ruse. NATOja ka lëshuar deklaratë, duke thënë se mbështet plotësisht Republikën e Maqedonisë dhe atë të Bosnjës, si dhe mbështet dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Ndërkaq, aty flitet edhe për Serbinë, shtet ku mbështetja për Aleancën ushtarake më të fuqishme të botës është tepër e ulët, edhe për shkak se ishte NATOja që e ka bombarduar Beogradin, pas luftës në Kosovë. Konkluzione të tilla janë nxjerrë edhe gjatë Samitit të Varshavës.