Evis HALILI
Shkup, 8 gusht – Ushtrues detyre, drejtorë të përkohshëm, ndërsa ata ekzistues do të vazhdojnë të qëndrojnë në postet e tyre deri pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, shkruan gazeta KOHA. Marrëveshjet mes partnerëve të koalicionit qeverisës nuk kanë “prekur” asgjë nga ato të mëparshmet sa i takon institucioneve të kulturës që do të drejtohen nga shqiptarë, ose që të paktën duhet të drejtohen nga kuadro të tillë. Në Ministrinë e Kulturës thonë se përveç ndryshimeve të deritanishme, të shkarkimeve dhe emërimeve të bëra, për një periudhë tre mujore nuk do të ketë ndryshime të tjera. Drejtoritë mbeten të njëjta, Galeria Nacionale e Artit, Qendra Nacionale e Konservimit, Muzeu Natyror, Qendra Teatrore e fëmijëve dhe të rinjve, si edhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës. Në këto dy të fundit Bashkimi Demokratik për Integrim nuk arriti që të emëronte një drejtor shqiptar gjatë mandatit të kaluar. Situata është e njëjtë edhe tani. Pak ditë më parë Ministria e Kulturës shkarkoi nga detyra drejtorin e TFR, Bratisllav Dimitrovin, duke emëruar si drejtoreshë të përkohshme, Katarina Ilievskën, ndërsa me Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës vazhdon të udhëheqë e njëjta drejtoreshë, Renata Kutera Zdravkovska, për disa mandate radhazi, që nga viti 2009. Edhe pse ka pasur tentativa për ta zëvendësuar me një kuadër shqiptar, marrëveshja politike nuk ka funksionuar për këtë drejtori, ashtu si edhe për TRF. Me vendim të ministrit Robert Allagjozovski në shumë institucione në varësi të Ministrisë së Kulturës janë vendosur ushtrues të rinj detyre, si Teatri i Komedisë, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Muzeut Arkeologjik, Teatrit të Dramës, Qendrës së Kulturës Grigor Përliçev në Ohër, Filarmonia e Maqedonisë, e të tjerë. Ushtrues detyre po ashtu është emëruar edhe në Teatrin e Tetovës, pas largimit nga ky post të Valmir Azirit. “Drejtoritë do të vazhdojnë të drejtohen nga kuadro të njëjtë. Sa i takon ndarjeve të posteve dhe marrëveshje politike nuk kemi informacione të tjera. Pas tre muajsh do të shihet nëse do të këtë ketë ndryshime, apo emërime të reja”, thotë për KOHA sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri. Numri i institucioneve që do të drejtohej nga shqipatrë supozohej të ishte më i madh. Nuk dihet nëse situata në kulturë do të ndryshojë të paktën sa i takon numrit të punonjësve. Sidomos në institucione elitare të kulturës ku përqindja është e ulët, ndërsa në pjesën më të madh nuk figuron asnjë shqiptar. Kuadrot shqiptarë nuk janë pjesë jo vetëm e ansambleve artistike, apo stafit profesionist të institucioneve përkatësie, por as edhe si pjesë e kuadrit tjetër. Përveç Operës dhe Baletit, Filarmonisë, Muzeut të Artit Bashkëkohor, Shtëpisë Memoriale të Nënë Terezës, numërohen shumë institucione të tjera ku jo vetëm që numri është reduktuar, por punësimet janë të paimagjinueshme. Një prej tyre është edhe Biblioteka universitare “Klimenti i Ohrit”, ku pavarësisht punësimeve të bëra në vite numri i punonjësve shqiptarë është një.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.