Më problematike është situata për fëmijët të cilët kalojnë apo luajnë pranë ujit të ndotur që me raste mund ta përdorin edhe për të larë duart, pasi që ata nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që ju kanoset
Urim HASIPI
Tetovë, 1 mars – Dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe është kthyer në një shqetësim të madh për banorët që jetojnë në Lagjen Drenovec të Tetovës. Banorët thonë se ky problem ka lindur në dy tre vitet e fundit, dhe jo vetëm që ndot mjedisin por është kthyer në një rrezik edhe për shëndetin e tyre, për shkak se mund të përhapet edhe ndonjë epidemi, shkruan gazeta KOHA. Situata më e rënduar paraqitet kur ka të reshura të shiut pasi që uji del nga pusetat në sipërfaqe dhe vërshon bodrumet e shtëpive të tyre, e në muajt e verës nga ky ujë i fëlliqur kundërmon erë e keqe.
“Situata më e rëndë është kur ka reshje të shiut, bllokohet kanalizimi dhe ujërat e zeza dalin në sipërfaqe dhe është gjendje katastrofale. Çdo ditë bodrumet na mbushen me ujë. Të gjitha pusetat janë zënë dhe uji nuk mund të shkojë nëpër gypa dhe del jashtë. Kjo situatë përsëritet vite me radhë. Kemi kërkuar disa herë nga autoritetet e Komunës së Tetovës, kanë ardhur, kanë pastruar dhe janë larguar, por situata sërish mbetet e njëjtë”, thotë për KOHA, Sali Alija, banor i kësaj lagje. Një tjetër banor shprehet se ujërat e zeza vërshojnë në tokat bujqësore të tij, të cilat kanë dalë jashtë përdorimit. Më problematike është situata për fëmijët, të cilët kalojnë apo luajnë pranë ujit të ndotur që me raste mund ta përdorin edhe për të larë duart, pasi që ata nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që ju kanoset. Banorët e kësaj lagje kërkojnë që urgjentisht të ndërmerren masa në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi që mund të kthehet në burim infeksionesh të ndryshme.
“Ky problem është shfaqur dy tre vitet e fundit. Kemi patur probleme para dhjetë vitesh kur u ndërtua sistemi i kanalizimit, kurse tani sërish kemi të njëjtin problem. Unë në katin e parë të shtëpisë nuk mbaj asgjë, sepse çdo herë kur ka shi, kam dëme, prandaj edhe nuk mund të jetoj. Kemi bërë kërkesa edhe me nënshkrime por askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Është rrezik sepse pusetat janë të hapura dhe shumë të thella, dhe mund të bien fëmijët”, shprehen banorët e kësaj paralagje të Tetovës. Ata thonë se shqetësimin e tyre disa herë e kanë ngritur në Komunën e Tetovës dhe institucionet kompetente, por pa gjetur një zgjidhje të përhershme për këtë problem që mbi të gjitha rrezikon edhe shëndetin e tyre.
“Kërkojmë hapjen e një sistemi të ri të kanalizimit, që ujërat të derdhen direkt poshtë lagjes, sepse gypat e tanishëm nuk janë të vendosur si duhet, prandaj shpesh herë ata zihen dhe ka probleme të mëdha. Duhet që të vendoset sistem i ri për tërë këtë lagje, që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, ose në të kundërtën ne do ta bllokojmë këtë kanalizim dhe ujërat të vërshojnë në rrugën kryesore”, thonë banorët.
Sipas tyre, krahas periudhës kur ka reshje, vështirë është edhe gjatë verës ngase kundërmon erë e rëndë në këtë lagje, e cila ndodhet në hyrje të Tetovës, nga pjesa e Komunës së Tearcës. Ky problem ishte shfaqur edhe para dhjetë vitesh kur rruga kryesore Tetovë – Poroj, në këtë pjesë përmbytet nga ujërat e kanalizimit. Në atë kohë, u gjet një zgjidhje e përkohshme, por tashmë sërish i njëjti problem është rishfaqur dhe është kthyer në një problem permanent për këta banorë. Nga Komuna e Tetovës thonë se ky problem është i vjetër dhe se duhet që të vendoset sistem i ri i kanalizimit, por nuk kanë dhënë më shumë hollësi se si do të zgjidhet. (koha.mk)