Mbrojtësi shqiptar i Real Betisit, Riza Durmishi, ka thënë se do të konsideronte seriozisht kalimin te Liverpooli nëse ka një ofertë zyrtare. Mësohet se 23-vjeçari, që shkëlqeu në barazimin 1 me 1 të Betisit me Barcelonën të dielën, është cak i trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp. “Gjithmonë do të ketë fjalë shumë kur ju luani në një nga ligat më të mira në botë. Gjithsesi, nuk duhet të ndryshojë fokusin tim te Betisi”, ka thënë ai për “Liverpool Echo”. “Tashmë jam në një klub të madh, andaj s’kam arsye që të largohem me çdo kusht. Nëse klubet tjera janë të gatshme të paguajnë dhe Betisi do të më shesë, sigurisht do të dëgjoj ofertat. Kjo vlen për Liverpoolin. Gjithçka tjetër do të ishte idiotësi. Kam biseduar shpeshherë me Daniel Aggerin për Liverpoolin. Ai mendon se Liverpooli është klubi më i madh në botë andaj për këtë arsye ishte atje tetë vjet. Nëse interesimi i Liverpoolit është konkret, do të bisedoj fillimisht me të”. Durmishi iu bashkua Betisit nga Brondby verën e shkuar duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare.