Kukësi do të ketë mundësi të afrojë dhe aktivizojë të tjerë të huaj, jo vetëm ata që ka aktualisht. Kjo për shkak se dy futbollistë shqiptarë nga Maqedonia kanë marrë shtetësinë shqiptare, ndaj tani e tutje ata nuk do të llogariten sit ë huaj, bën të ditur “telesport”. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, pas kërkesës së mbërritur nga klubi verilindor, cikluar nga ministria përkatëse e sporteve, ka hedhur firmën mbi dekret, duke lumturuar Izair Eminin dhe Nijaz Lena. I pari ka ardhur në kampionatin shqiptar sezonin e kaluar, ndërsa i dyti ka vite të tëra që luan në Kategorinë Superiore, fillimisht te Flamurtari, pastaj te Teuta dhe aktualisht te Kukësi.

“Dekret për dhënie të shtetësisë shqiptare, nr. 9764. Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 9, pika 7 e nenit 20 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, bazuar edhe në propozimet e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, dekretoj: Neni 1: U jepet shtetësia shqiptare me kërkesë të tyre personave të mëposhtëm: 1. Nijas Shefqet (Shefket) Lena 2. Izair Bajram Emini 3. Ibrahim Amin Alyasin Neni 2: Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.”

