Viti 2008 nga kumanovarët do të mbahet mend si një prej datave më të këqija kur është në pyetje sporti. Pikërisht në këtë vit u shua Klubi Futbollistik “Bashkimi”, klub i cili asokohe identifikonte këtë qytet. Sukseset derisa ky ekip merrte pjesë në Ligën e Parë nuk mungonin. Ata, jo vetëm që fituan Kupën e Maqedonisë, por morën pjesë edhe në garat Evropiane, por për shkak të problemeve financiare, ky klub tashmë më nuk ekziston. E njëjta gjë ndodhi edhe me skuadrën tjetër – KF “Milano”, i cili gjithashtu për një kohë të shkurtër arriti rezultate të mira dhe që përfaqësoi Kumanovën në garat evropiane. Dhe për arsyet e njëjta, edhe ky klub u shua, por emrin e këtij klubi po mundohet ta mbajë gjallë Akademia “Milano”, ku mbi 300 fëmijë nga 11 gjenerata të ndryshme janë pjesë e saj. Koordinator i kësaj Akademie është Erkan Jusuf, ish-trajner i dy skuadrave shqiptare “Bashkimi” dhe “Milano”. Pikërisht për Akademinë dhe shuarjen e dy klubeve dhe sukseset e tyre, gazeta KOHA zhvilloi një intervistë ekskluzive me Jusufin. Ai, me keqardhje flet për momentet dhe arsyet e shuarjes së Bashkimit dhe Milanos dhe kujton momentet më të mira që ka pasur me këto dy ekipe.
KOHA: Erkan, keni qenë trajner i tre klubeve kumanovare: KF “Kumanova”, KF “Bashkimi” dhe së fundmi, KF “Milano”, por për fat të keq – asnjëra nga këto klube sot nuk ekziston. Si e shihni ju këtë situatë?
JUSUF: Unë Kumanovën e shoh pa ardhmëri kur është në pyetje futbolli, sepse interesimi për këtë sport më të popullarizuar në botë, veçmë ka marrë fund. Ndoshta në të ardhmen shpresoj se do të bëhet më mirë, pasi ka shumë lojtarë dhe shumë shkolla të futbollit. Është rëndë për mua, por edhe për të gjithë kumanovarët ta shohësh një qytet si Kumanova, ndër komunat më të mëdha në Maqedoni, të mos ketë asnjë klub në elitën e futbollit vendor.
KOHA: Ku qëndron problemi që një qytet si Kumanova, nuk përfaqësohet në Ligën e parë apo të dytë të Maqedonisë?
JUSUF: Shumica e sponsoreve merren me punë të kota ose me politikë dhe nuk financojnë tek fëmijët, respektivisht nuk e ndihmojnë ardhmërinë e fëmijëve ose sportit që tashmë u bë një jetë në jetën moderne. Interesimi i popullit veçmë po shuhet, edhe pse Kumanova ka pas ekipet më cilësore në Maqedoni.
KOHA: Nga klubet kumanovare, më gjatë keni qëndruar te KF “Bashkimi”, plot dy 12 vite. A mund të na e përshkruani atë periudhë dhe sukseset që ky klub i arriti derisa merrte pjesë në gara?
JUSUF: Në vitin 1991 erdha si përforcim nga “Kumanova” te KF “Bashkimi”, por më pas stafi teknik më dha mundësinë që të marrë dhe të udhëheqë ekipin dhe të jem trajner i tyre. Në vitin 1995 e zhvillova ndeshjen e fundit kundër ekipit të Kumanovës, ndërsa të nesërmen – fillova si trajner i parë. Sukseset e mia në klubin futbollistik “Bashkimi” janë dërgimi i klubit nga Liga e tretë deri në Superligë, ndërsa në vitin 2003-2004, u plasuam në elitën e futbollit. Pastaj në sezonin 2005, ekipi fitoi edhe Kupën e Maqedonisë. Pas trofeut të Kupës u kualifikuam në Kupën e UEFA, ku atje u përballëm me skuadrën nga Bosnja dhe Hercegovina – “Zhepce” nga Zenica. Me këtë skuadër zhvilluan dy ndeshje dhe arritëm që ti eliminojmë, ndërsa në raundin tjetër u përballëm me ekipin “Hapoel Pettah Tikva” nga Izraeli. Në këtë ballafaqim, fati nuk ishte me ne dhe u eliminuam.
KOHA: Sa ishit te “Bashkimi”, keni pasur bashkëpunim me shumë trajnerë të njohur. Na tregoni se kush kanë qenë ata dhe si ka qenë raportet me ta?
JUSUF: Me secilin trajner që kam punuar te “Bashkimi”, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet kanë qenë në nivel profesional. Bëhet fjalë për trajnerë që edhe sot e kësaj dite mbajmë kontaktet.. Nexhat Shabani, Nexhat Husein, Edmond Miha, Hysni Maxhuni, Burhan Beadini, Mensur Nexhipi dhe Bylbyl Sokoli.
KOHA: Pse u shua KF “Bashkimi”, sidomos kur e dimë se sukseset nuk i mungonin, luajtën shumë futbollistë të njohur, fitoi trofeun e Kupës dhe mori pjesë në garat evropiane, ndërsa pas vete kishte një armatë të madhe të tifozëve “Ilirët”.
JUSUF: Ishte kënaqësi të udhëheqësh një ekip, i cili pas vete kishte një armatë siç ishte grupi i tifozëve ‘Ilirët’. Më kujtohet si sot atmosfera të cilën e krijonin ata kur luanin derbin lokal me KF “Milano”. Por, për fat të keq, klubi i tyre i zemrës u shua, ndërsa arsye kishte shumë se pse ndodhi kjo.. Megjithatë, njëra prej arsyeve ka qenë ajo financiare. Atë që dua ta potencojë është se as unë si trajner, por as “Ilirët” nuk e braktisëm klubin deri në shuarjen e saj.
KOHA: Më pas, kur në skenë doli KF “Milano”, u shpërngulët aty dhe ishit trajner për dy vite. Cilat janë të arriturat tuaja, por edhe të ekipit gjatë kësaj periudhe?
JUSUF: Pas një periudhe të gjatë me KF “Bashkimi”, Bylbyl Sokoli i cili ishte trajner i “Milanos”, më kontaktoi dhe më tha se dëshiron të jem edhe unë pjesë e stafit teknik, gjë të cilën e pranova. Pas një sezoni të mrekullueshëm, përfunduam në pozitën e tretë dhe u kualifikuam në Kupën e UEFA-s dhe aty u ballafaquam me skuadrën e njohur “Omonia” nga Qipro, ku edhe u eliminuam që në xhiron e parë. Në sezonin e ardhshëm, Sokoli dha dorëheqje dhe Kryesia e klubit pozitën e trajnerit të parë ma besoi pikërisht mua. Ishte një kohë kur të gjithë futbolldashësit dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë prisnin momentin se kur do të shuhet edhe “Milano”, por ndodhi e kundërta. KF “Milano” edhe me më shumë u forcua dhe në sezonin pranveror u plasua në pozitën e dytë me një humbje dhe dy barazime… Në fund përfunduam në pozitën e tretë në tabelë duke arritur kështu të plasohemi në Garat Evropiane. Mirëpo, prej asaj dite, në klub filluan problemet financiare. Ndaj “Slaven Belupos” luajtëm me ekipin e juniorëve, ku normalisht edhe u eliminuam.
KOHA: Pasi u shua edhe ekipi i parë i KF “Milano”, a ka pasur deri më tani përpjekje që të paktën njëra nga këto dy ekipe të rikthehet përsëri? Ose, a keni kontakte me ish-lojtarët e Bashkimit dhe Milanos dhe a diskutoni për shuarjen e këtyre dy klubeve?
JUSUF: Çdo takim që e kemi me ish-lojtarët e “Milanos” dhe “Bashkimit”, tema kryesore është nostalgjitë e klubeve që sot fatkeqësisht nuk ekzistojnë më. Sigurisht se diskutojmë për sukseset që i kemi arritur, dhe tek ata vërehet qartë një zemërim i madh. Është vërtet keq që në Kumanovë, të shtunën ose të dielën nuk dëgjohen zërat e tifozëve, siç dëgjoheshin kur ato ishin pjesë e futbollit vendor. Por e gjithë kjo ngel në diskutim, pasi jemi të pafuqishëm që të bëjmë diçka më tepër.
KOHA: KF “Milano” është shuar, por jo edhe Akademia “Milano”, ku ju jeni koordinator i saj. Sa vite ekziston kjo Akademi, sa është numri futbollistëve që stërviten dhe a mund të presim që nga aty të dalin lojtarë, të cilët do të ndjekin hapat e Armend Alimit, Taulant Seferit e disa të tjerëve.
JUSUF: Akademia e KF “Milano” ekziston nga viti 2010 dhe merr pjesë në Ligën e Parë të Maqedonisë. Kjo Akademi numëron mbi 300 fëmijë, respektivisht 11 grupmosha. Me këta fëmijë punojnë katër trajnerë, të cilët janë të licencuar si Qenan Ameti, Xhelal Ademi, Ismet Zeqiri dhe Oktaj Jusuf. Ndryshe, sukseset që po i arrijnë këta djem janë evidente. Gjenerata e vitit 2009 arriti që nga Liga e Dytë të plasohet në Superligë. Në vitin 2010 jemi shpall Kampionë me gjeneratën 1996 (kadetë), në 2013 pionierët e gjeneratës 1998 fituan Kupën e Maqedonisë, tre vite me radhë luajmë në finale të Kupës së Maqedonisë me gjeneratat 1998/1999/2000. Nga shkolla jonë ka dalë lojtari i mirënjohur Taulant Seferi, që sot mban fanellën e ekipit zviceran Jang Bojs, si dhe disa lojtarë që janë pjesë e Shkëndijës, Rabotniçkit dhe Vardari
KOHA: Ku i zhvilloni stërvitjet dhe ndeshjet. Dhe si është gjendja aktuale e stadiumit të “Bashkimit” dhe atij të “Milanos”?
JUSUF: Stërvitjet dhe ndeshjet i zhvillojmë në stadiumin e qytetit të “Milanos”. Gjendja aktuale e stadiumit apo e qytetit, është në gjendje të mjerueshme dhe me shumë vështirësi e mbajnë emrin e “Milanos” që të mos shuhet, edhe atë me vetëfinancim nga lojtarët.
KOHA: Para se të kyçeni si trajner dhe tani si koordinator, keni qenë edhe futbollist. Si ka rrjedh karriera jote?
JUSUF: Rreth 12 vite kam luajtur për ekipin e Kumanovës në ish-Jugosllavi, ku edhe kam luajtur në Ligën e Parë të Maqedonisë. Pastaj karrierën e vazhdova te ekipi i “ÇIK Kumanovës” në Ligën e Dytë të Jugosllavisë dhe pastaj në vitin 1991 u transferova te KF “Bashkimi”, ku kam luajtur për pesë sezone, ndërsa më pas përfundova karrierën si futbollist po te ky ekip. Derisa ndeshja ime e fundit si futbollist ka qenë ndaj Kumanovës.
KOHA: Keni dy djem, Oktajin dhe Alpajin. Me çka po merren ata?
JUSUF: Edhe Oktaji, por edhe Alpaji merren me sport, me një fjalë po ndjekin hapat e mi. Oktaji, i lindur në vitin 1995, ka ushtruar futboll te Bashkimi dhe Milano, mirëpo pas një lëndimi shumë të rëndë, u detyrua ti japë fund karrierës si futbollist. Tani ai është duke udhëheq gjeneratën 2007/2008 dhe njëkohësisht është në vitin e tretë në Fakultetin “Kirili dhe Metodi” ku studion kulturën fizike. Sa i përket Alpajit (1998), me futboll merret që 10 vite dhe është kapiten tek juniorët e Milanos dhe njëkohësisht është pjesë e Akademisë së futbollit të Maqedonisë në Shkup. Gjithashtu, ai është edhe anëtar i reprezentacionit të Maqedonisë deri 19-vjeç.
KOHA: A ke pasur deri më tani ofertë nga ndonjë skuadër tjetër shqiptare që të jeni trajner apo nuk dëshiron të largohesh nga Kumanova?
JUSUF: Kam pasur oferta nga klubet e Maqedonisë dhe të Kosovës, por sinqerisht nuk kam dashur ta lë klubin, respektivisht Akademinë.
KOHA: Si i vlerësoni rezultatet dhe paraqitjet e ekipeve shqiptare që janë pjesë e elitës së futbollit vendor?
JUSUF: “Shkëndija” është hit në futbollin vendor, me atë sponsor që janë të rrallë në futbollin tonë. Secili qytet kishte pas dëshirë të ketë një sponsorë si pronarin e “Ecologut”, por mos ti harrojmë edhe dy skuadrat tjera që janë pjesë e elitës së futbollit vendor – “Shkupi” dhe “Renova”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.