Shkup, 27 korrik – Pas vdekjes së babë e bir nga fshati Simnicë i Gostivarit, nga po i njëjti fshat edhe tre persona të tjerë janë hospitalizuar të enjten në Klinikën për sëmundje infektive me temperaturë të lartë, barkqitje dhe vjellje. Ata së bashku me katër të tjerë të cilët janë hospitalizuar me simptoma të nejjta në Klinikë janë me pasqyrë më të lehtë klinike dhe nuk janë në gjendje të rrezikshme për jetë, deklaroi të enjten zëvendësministri i Shëndetësisë, Goce Çakarovski. Ndërkohë priten rezultatet nga analizat për përcaktimin e shkakut të vdekjes së dy personave nga fshati i Gostivarit Simnicë të cilët vdiqën në Klinikën për sëmundje infektive pasi që ishin sjellur në gjendje të rëndë shëndetësore. Çakarovski tha se janë bërë hulumtime në Maqedoni dhe se priten rezultatet nga qendrat e huaja. “Ekipet dje nuk arritën të ngjiten drejt stanit, sepse ai është terren i pakalueshëm. Sot siguruam automjet terreni. Ekipet tona janë në terren”, theksoi Çakarovski. Ai tha se janë lëshuar mostra edhe në qendrat referente dhe kur do t’i bashkojnë dy rezultatet do të dalin në opinion. “Komisioni për sëmundje infektive vazhdimisht mban mbledhje. Shpresoj se deri në fund të ditës, më së voni deri nesër opinioni do të marrë informatë konkrete për të gjitha ngjarjet me rezultate definitive për shkaktarët”, shtoi Çakarovski. Ndryshe, ditë më parë VMRO ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, ndërsa ky i fundit tha se kërkesa ka motive politike dhe për rastin në fshatin Simnicë po ndërmerren të gjitha masa e nevojshme, njëherit duke i shprehur ngushëllime familjes për vdekjen.