Në fillim të viteve të 90-ta, kur Jugosllavia e kontrolluar nga Sllobodan Millosheviqi kishte nisur të futet në valën e luftës shkatërruese, udhëheqësit më me relevancë të shqiptarëve anembanë kësaj federate ishin tubuar në Kroaci për të debatuar rreth të ardhmes së tyre. Të përndjekur në Kosovë, Maqedoni dhe Preshevë e Bujanoc, shqiptarët zgjodhën pikërisht Kroacinë, si republikë më autonome nga regjimi i Millosheviqit, për t’u mbledhur dhe për ta hartuar strategjinë e veprimit gjatë luftës dhe pas shkatërrimit të Jugosllavisë. Gjithçka kishte filluar në Kuvendin e fshehtë mbarëshqiptarë të mbajtur në “Stubiçke Toplice”, ku për herë të fundit kishin arritur të bashkojnë krerët dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare në Jugosllavi, intelektualë dhe përfaqësues të shoqatave qytetare. Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë edhe tre përfaqësues të lëvizjeve ilegale shqiptare në diasporë (Lëvizjes Popullore të Kosovës), të cilët nuk kanë diskutuar dhe, për shkaqe sigurie, nuk kanë pranuar t’u përmendet emri në dokumentimin e ngjarjes. Kuvendi është mbajtur më 19-20 janar të vitit 1991, ku mes tjerash merret vendimi për formimin e njësitit të parë ushtarak të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, i cili do të quhet “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”.
Kjo ngjarje dy decenie është mbajtur e fshehur dhe e harruar, ndërkaq gazeta KOHA ka siguruar stenogramet ekskluzive të fjalimeve dhe diskutimeve të të gjithë pjesëmarrësve.
Aty sillet vendimi që forcat e armatosura shqiptare fillimisht të marrin pjesë në luftën kroate, e cila sapo kishte filluar, si një formë trajnimi për luftën që projektohej të fillojë edhe në Kosovë.

Kyçja në luftë
Si rezultat i këtij vendimi, shqiptarët kyçen në luftë përkrah ushtrisë kroate. Rreth 2118 sillet numri i shqiptarëve të regjistruar nga Vukovari deri në Dubrovnik, të cilët luftuan kundër ushtrisë jugosllave. Regjistrimin e ka bërë veterani i luftës kroate, Xhezair Miftari, i cili beson se ky numër është edhe më i madh dhe se pritet të finalizohet pas regjistrimit të përgjithshëm të pjesëmarrësve shqiptarë në luftën e Kroacisë.
Miftari është edhe themelues i Shoqatës së Veteranëve Shqiptarë të Luftës në Kroaci. Ai është shqiptar nga Gostivari, i cili që në vitin 1981 kishte shkuar në Kroaci për shkak të demonstratave. Deri në vitin 1985 kishin qëndruar dhe vepruar nën hije që më pastaj të kyçet në përpjekjet e para për mobilizimin e shqiptarëve.
Në një bisedë me gazetën KOHA, ai shpalos të dhëna lidhur me organizimin e kuvendit mbarëshqiptar, vendimet për formimin e ushtrisë si dhe trajtimin e shqiptarëve në luftë.
“Më 1985 kam filluar të punoj me priftin shqiptar arvanas Tomisllav Dukën dhe me klerikun e muslimanëve. Në vitet e 90-ta me mbledhjet në Beograd, me ndarjen e Sllovenisë, e pamë se Jugosllavia po shkon drejt shpërbërjes. Prandaj në këtë periudhë u desh të vendosim se kah do të shkojnë shqiptarët dhe çfarë pozicioni do të marrim ne si popull”, thotë Xhezair Miftari. Me fillimin e luftës, Miftari kyçet në formimin e njësitit të pare të armatosur shqiptar në ish-Jugosllavi. Ky njësit, sipas tij, kishte dhe përkrahjen e shtetit kroat, të qeverisë së përkohshme të Kosovës, si dhe të deputetëve të Kuvendit të Kaçanikut, të cilët pas shpalljes së pavarësisë ishin larguar në egzil dhe shumica e tyre ishin vendosur në Kroaci. “U vendos që të bëhet një ushtri për rezistencë, një ushtri e cila më vonë do shndërrohej në mbrojtëse të Kosovës”, thotë Miftari. Në krye të njësitit ishte emëruar Tom Berisha dhe për fillim kishte për qëllim rekrutimin e shqiptarëve që në atë kohë largoheshin nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ). “U formua njësiti me rreth 320 vetë. Lufta sapo kishte filluar. U vendosëm në një kazermë në afërsi të Zagrebit ku edhe po bënim trajnimin e ushtarëve të rinj”, rrëfen Miftari. Ndërkohë është formuar edhe shtabi i njësisë shqiptare, ku përveç Tom Berishës, i cili ishte në krye të Shtabit të përgjithshëm, në shtab u emëruan edhe Frank Berisha, si zëvendës, Femi dhe Xhevë Lladrovci, Xhezair Miftari dhe Nevxhet Haziri. “Ky njësit u emërua si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), me shqiponjën në krah dhe me uniformën e vet. Në atë kohë në Kroaci vepronin gjashtë ushtri të ndryshme kroate. Të gjithë kishin marrëdhënie të mira me ne, edhe pse shpesh përplaseshin ndërmjet tyre. Të gjithë e dinin qëllimin tonë, por e kanë ditur edhe qëllimin se pse neve na fusin në luftë. Ata kanë menduar se shumë shpejt ne do ta fusim luftën në Kosovë dhe kështu ta shpërndajë frontin me serbet dhe ta lehtësojë luftën e tyre”, thotë Miftari.
Marrja e kazermës
Ai thekson se njësiti FARK fillimisht është përkrahur si nga Qeveria e përkohshme e Kosovës në krye me Bujar Bukoshin, poashtu edhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), si lëvizje ilegale. Ndërkohë që po kryheshin trajnimet e ushtarëve shqiptarë, nga Shtabi i ushtrisë kroate u vjen urdhri për të shkuar në frontin e Gospiçit. Miftari thotë se pjesëmarrja në këtë front ishte bërë pa miratimin e Shtabit të përgjithshëm të njësitit shqiptar, anëtarë i të cilit ishte edhe vet ai.
“Dy-tre vetë nga ne deshëm të dimë se pse duhet të shkojmë atje. Na thanë se ishte terreni më i mirë për ne për t’u kyçur në luftë. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës na kishte lëshuar vendimin që mos të marrim pjesë në luftë, por njësiti jonë të vazhdojë ushtrimet në Kumrovec, vend i pakapluar nga lufta. Në atë moment e vërejtëm se diçka po luhet me ne”, thotë Miftari. Atë natë, 320 ushtarë ishin nisur për në Gospiç, ndërsa lufta tanimë kishte filluar në pjesët tjera të Kroacisë. Ndërhyrja e parë e njësitit shqiptarë kishte rezultuar jo vetëm pa viktima, por edhe pa krisma. Kazermën e APJ-së në Gospiç ky njësit e mori në dorë falë një fatmirësie – komandant i saj ishte Ahmet Krasniqi, i cili vet kishte dorëzuar kazermën dhe më pas i ishte bashkangjitur FARK-ut.
“Ky ishte një sukses për ne dhe Kroacinë. Kroatët përfituan shumë nga ky armatim që u morë nga kjo kazermë, ndërsa ne u vendosëm aty dhe e morëm kontrollin e saj. Pas tre ditësh lindi një problem i vogël. Dy eprorë filluan të mendojnë se jemi të tradhtuar dhe thanë ushtarët nuk do t’i lëmë kët,u por do t’i kthejmë mbrapa. Problemi ishte se ata gjithmonë e shihnin veten të tradhtuar prej kroatëve dhe shtabit shqiptarë. Ata mendonin kinse neve na kanë sjellë për të luftuar për Kroacinë. Për të mos ndodh diçka më e madhe, vendosëm që shqiptarët që kanë ardhur këtu të qëndrojnë, ndërsa ata ushtarë që kanë ikur nga ushtria Jugosllave të lëshohen të shkojnë ku të duan vetë”, thotë Miftari. Numri i shqiptarëve që kanë braktisur ushtrinë jugosllave ishte shumë i madh. “Ne paraprakisht sollëm vendim që shqiptarët ta braktisin Ushtrinë e Jugosllavisë dhe ky vendim u soll në bashkëpunim me njerëzit e politikës kroate. Disa nga djemtë tanë si Bekim Berisha, Ramë Cërvadiku dhe të tjerë vazhdimisht kanë futur në mënyrë ilegale materiale propagandistike nëpër kazerma, ku bëhej apel që pjesëtarët shqiptarë të largohen nga ushtria jugosllave. Ua kemi bërë me dije paraprakisht se këtu do të bëhet luftë. Mbi 5000 shqiptarë që kanë qenë në APJ-në në Kroaci janë larguar dhe me ndihmën tonë kanë dalë në Slloveni. Më pas, një pjesë janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, kurse pjesa tjetër në mërgim”, thotë Miftari.

Dëshmorët e parë
Nga ana tjetër, Miftari me bashkëpunëtorët e tij kanë vazhduar përgatitjet e njësitit shqiptar, i cili ishte reduktuar shumë dhe kishin mbetur vetëm 51 ushtarë.
Një natë, kur Tom Berisha dhe Miftari ndodheshin në Zagreb, komandanti i togut të parë Nevxhet Haziri dhe zëvendësi i tij, Samet Bogujevci, vendosin të hyjnë në front për të çliruar një bazament, ku ushtria jugosllave kishte bërë prodhimin e dinamitit për nevojat e saj. Aksioni ka filluar diku rreth orës një të mëngjesit. Samet Bogujevci futet i pari me togun e vet dhe zhvillon një betejë të suksesshme. Kur merret vendimi për tërheqjen e togut që përbëhej prej 12 ushtarëve, ata ndalen afër një druri me ç’rast njëri prej ushtarëve ka ndezur cigare. Pasi serbët i kanë dalluar dhe zbuluar vendndodhjen, menjëherë kanë qëlluar me granata, me ç’rast mbesin të vrarë Samet Bogujevci dhe Fadil Saliu, ndërsa nëntë të tjerë plagosen. Miftari thotë se këta shqiptarë kanë qenë dëshmorët e parë ushtarak të luftës midis kroatëve dhe serbëve. “Sameti dhe Fadili ishin dy dëshmorët e parë ushtarë të Kroacisë. Kroacia edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë një respekt të madh dhe i nderon me nderimet më të larta shtetërore. Edhe varrimi i tyre ka qenë aq madhështor saqë nuk mbahet mend ndonjë varrim i tillë. Nga ky rast kroatët e kuptuan se shqiptarët janë miqtë e tyre, se kanë një armik të përbashkët”, shprehet Miftari. “Kur u vranë këta të dy, njësiti jonë filloi një tërheqje por punën e kishim kryer. Për herë të parë u futëm në front dhe atëherë e kuptuam se çka do të thotë lufta”, thekson Miftari. Koordinimi me ushtrinë kroate ka qenë shumë i mire. Kroatët më pas kanë ndihmuar njësitin shqiptar në tërheqjen e trupave të dy dëshmorëve dhe të plagosurve, të cilët ishin rrethuar nga ushtria jugosllave. “Atëherë unë, Femiu, Xheva dhe Tomor Kuza kemi shkuar në Gospiç. Ushtarët tanë ishin demoralizuar gati tërësisht. Ne punuam tre ditë me ta deri sa i morëm kufomat dhe i varrosëm në Zagreb”, dëshmon Miftari.
Pas këtij aksioni dhe pas varrimit të dy dëshmorëve të parë ka filluar përplasja e parë në skenën politike shqiptare, duke akuzuar se kush është përgjegjës për futjen e ushtrisë shqiptare në luftë, pse u vranë ata… Gjithë kjo, sipas Miftarit, kishte për qëllim hedhjen e fajit njëri-tjetrit, edhe pse të gjithë kanë qenë në rrjedha për veprimtarinë e këtij njësiti. Pas varrimit të dy dëshmorëve, Xhezair Miftari, Femi dhe Xhevë Lladrovci kthehen në Gospiç, ku e ristrukturojnë njësinë shqiptarë dhe në vend të Samet Bogujevcit, si zëvendëskomandant emërohet Femi Lladrovci, ndërsa Xhevë Lladrovci emërohet si përfaqësuese politike e këtij njësiti. Më vonë, njësitit i bashkëngjitet edhe Bekim Berisha (Abeja) dhe Ramë Cërvadiku, të cilët do të bëhen drejtues të aksioneve të ardhshme.
Këto aksione edhe sot njihen si më të rëndësishmet për kroatët. Mbrojtjen e vijës Vukovar-Karllovac, të cilët serbët kurrë s’kanë arritur ta thyejnë, sipas Miftarit, është meritë e shqiptarëve.
Shpërbërja e njësitit
Me largimin e Qeverisë së Kosovës në egzil ka ardhur vendimi që ky njësit të shpërbëhet. Pas përplasjes mes kryesisë së Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci (LDSHK-një degë e LDK-së në këtë republikë) dhe Qeverisë së Kosovës, u ndërpre lidhja e njësitit me institucionet paralele kosovare. Në krye të LDSHK-së ishte Tom Berisha, zëvendëskryetar Muharem Nexhipi, ndërsa në kryesi merrnin pjesë Ali Aliu, Ramush Tahiri etj. Qeveria e Kosovës akuzoi Berishën se qëllimisht ka dashur ta fillojë luftën në Kosovë dhe si të tillë e ka shpallur të dëmshëm. “Një pjesë ushtarëve të njësitit shqiptar FARK nuk e pranuam vendimin e qeverisë. Më pas, me Ramush Tahirin dhe Femi Lladrovcin morëm një vendim që shpërbërja do të bëhet, por do jemi këtu deri sa të fillojë lufta në Kosovë. Por, kjo nuk ndodhi”, thotë Miftari. Sipas tij, njësiti i shqiptar të gjithë armatimin që e kishte më pastaj e ka dërguar në Kosovë. “Shkoni në Drenicë, shkoni në Gjilan dhe pyetni e ata do t’ju tregojnë”, thotë Miftari. Ky njësit, sipas Miftarit, kishte ekzistuar gjashtë muaj me ç’rast dy muaj në front dhe katër muaj përgatitje. Në fund ishte prishur me urdhër të Qeverisë së Kosovës. “Por, vendosmëria e djemve dhe vashave shqiptare për të vazhduar luftën kundër serbëve nuk kishte arritur ta ndalë as Qeveria e Kosovës e as forca jugosllave. Pas shpërbërjes së njësitit FARK ushtarët shqiptarë ishin rreshtuar në njësitet kroate. Kësaj radhe në një numër shumëfish më të madh edhe se në vetë njësitin shqiptarë.”, dëshmon Miftari.
Femrat shqiptare në frontin kroat
Në luftën e Kroacisë kanë marrë pjesë edhe 4 vajza shqiptare, 2 nga Maqedonia, 1 nga Kosova dhe 1 nga Presheva, e cila vritet në luftë si motër medicinale. Në mesin e 4 shqiptareve ka qenë edhe Remzija nga fshati Sellarcë i Tetovës, e cila më herët kishte mërguar me familjen për në Kroaci. Remzija kishte lindur në Sunjë të Kroacisë, ndërsa babai i saj punonte me një ëmbëltore. Ditën kur i gjithë fshati dhe familja e saj kishin vendosur të largohen, ajo kishte qëndruar bashkë me ushtarët për të mbrojtur fshatin. Në një deklaratë për mediat kroate të dhënë pas luftës, ajo thotë se bashkëluftëtarët kroatë ajo i kishte ndjerë si vëllezër, ndërsa luftën nuk e kishte ndjerë si diçka të bukur. Pas luftës Remzija i kthehet jetës së saj private duke gëzuar respektin më të madh të shtetit kroat si një nga ata që ndihmuan në çlirimin dhe mëvetësimin e Kroacisë nga Jugosllavia.
(vijon nesër)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.