Nga Jason TOMES
Pasi la Londrën e mjegullt, mbreti Zog shkeli Egjiptin midis një pritjeje shumë të ngrohtë, nga vetë mbreti Faruk i cili rridhte nga një dinasti me origjinë shqiptare. Atij dhe mbretëreshës iu ofrua e gjithë mikpritja e duhur. Megjithëse ndodhej shumë afër trupave angleze mbërritja e Zogut ndeshi në indiferentizëm tek këta të fundit. Ai u gjet shumë shpejt midis dinastive të tjera evropiane në ekzil me të cilët ndau edhe ditët e permanencës në Egjipt. Kur mbreti Zog dhe Geraldina shkelën në molin e Portit Said më 23 shkurt 1946, përfaqësuesit e mbretit Faruk dhe mbretëreshës Farida udhëhiqnin komitetin e pritjes. Kur mbërritën në stacionin e trenit të Kajros, ata e gjetën atë të stolisur me flamuj shqiptarë. Në hotelin “Mena House”, ku dhomat e tyre kishin pamje nga piramidat, Faruku telefonoi personalisht për t’i ftuar në një banket në pallatin “Koubbeh”. Kjo ishte shumë larg indiferencës britanike dhe rreptësisë së post-luftës dhe akoma më larg Shqipërisë komuniste (ku bulevardi Zog u bë bulevardi Stalin). Edhe pse Leka e Geraldina ndenjën ca kohë të shtrirë nga dizenteria, qeveria mori masa t’u ofronte atyre penicilinë. Kur ajri i Gizës u bë shumë i thatë për mushkëritë e pamësuara, një princeshë u ofroi vilën e saj në Aleksandrinë e freskët.
Zgjedhja për të shkuar në Egjipt ishte dukur e çuditshme në fillim, por kishte kuptim. Egjipti kishte një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh që datonte në shekullin e 18-të. Për më tepër, nuk kishte reshtur kurrë së njohuri mbretërinë e Shqipërisë. Në Londër, Zogu kishte pasur kontakt me ambasadorin egjiptian, Hassan Nashaat Pasha. Nuk ishte e dëmshme që thuhej se themeluesi i dinastisë kishte qenë me origjinë shqiptare. Stër-stërnipi i tij ishte mjaft i ngrohtë me mbretin Zog. Në vitin 1946 ata takoheshin një ose dy herë në javë. Faruku shfaqej panjoftuar dhe e ftonte për darkë. Ishte e lehtë të bisedoje me egjiptianin e vetëkënaqur, i cili insistonte të luante me letra deri në agim. Si miq të mbretit, familjes mbretërore shqiptare i duhej të frekuentonte rregullisht festat e tij luksoze. Luksi i papërmbajtshëm i oborrit egjiptian ishte në një nivel krejtësisht tjetër krahasuar me ekstravagancat e tij të shkuara. Pallati “Koubbeh” kishte 400 dhoma. Në një pritje ishin të pranishëm njëherë pesë mbretër (i Egjiptit, i Greqisë, Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Bullgarisë) dhe si ndaj atyre në fron, si ndaj atyre të rrëzuar u tregua kujdes njëjtë. Egjipti ishte si magnet për mbretërit e dëbuar të Evropës lindore dhe qendrore: Këtu Zogu mund të ndeshej me Romanovët dhe Koburgët. Zogu mësoi shpejt se fqinji i tij i moshuar i quajtur kont Pollenzo ishte në fakt ish-mbreti Viktor Emanueli i Italisë dhe Shqipërisë. Në mërgim njerëzit vinin re se familja e Zogut jetonte më mirë se shtëpia e Savojës. Mbreti Zog konsiderohej si një ndër ish-monarkët më të pasur, edhe pse ai do e kishte mohuar këtë. Çekosllovakët sapo kishin marrë tokat e Geraldinës në një konfiskim të përgjithshëm të pronave hungareze, me pretendimin se ajo ishte ligjërisht shqiptare. Ashtu si në Shqipëri, familja e Zogut e ndante kohën mes kryeqytetit dhe bregdetit. I vetmi udhëtim i tyre serioz për të parë vendin ishte një udhëtim në Nil, në dhjetor 1947. Në atë kohë Zogu më në fund i ishte dorëzuar dëshirës së Geraldinës për të pasur një shtëpi. Ai bleu një pikë në periferi të Aleksandrisë, ku baronët e pambukut dhe tregtarët kolonë kishin vilat e tyre bregdetare. Ruhija vdiq nga kanceri në fillim të 1948 duke shkaktuar trishtim të madh tek motrat dhe vëllai, të cilët u zhvendosën në banesën e tyre të re në verë. Leka, i cili ishte nëntë vjeç, por i gjatë sa një adoleshent frekuentonte kolegjin “Victoria College”, gjithnjë i shoqëruar nga dy badigardë. Përveç shqetësimeve të tyre mbi sigurinë, familja mbretërore shqiptare u përfshi shumë mirë në elitën e Aleksandrisë. Një prej vendeve të preferuara të zogut ishte manastiri bektashi në shkëmbim Mukatam, ku mes shatërvanëve dhe gazelave ai mund të ulej e të bisedonte me shqiptaro-egjiptianët. Shumë prej tyre kishin simpati për të, por disa prej tyre identifikoheshin me Shqipërinë moderne. Galaja kombëtare që mbahej çdo 28 nëntor bashkoi shumë patriotë dhe diplomatë miqësorë.
Zakonisht, Zogu i shmangte funksionet e mbrëmjeve të modës. Ai ishte më i lumtur në takime të vogla sociale pasditeve. Pashallarët egjiptianë ngjanin me bejlerët shqiptarë. Me ardhjen në Egjipt, Zogu s’e kishte përshkallëzuar aktivitetin e tij politik. Ai organizoi një konferencë të politikanësh monarkistë (22 vetë morën pjesë) dhe pushimet e para të motrave të tij në Paris pas luftës u përshkruan si lobim i konferencës së paqes. Duke njohur Shqipërinë ai e dinte mirë se Enver Hoxha nuk mund të rrëzohej aq lehtë. Dhe për sa kohë do e duronte vendin influencën sllave? Edhe pse Hoxha duhej akoma të ndërtonte armët e luftës staliniste të partisë monopolitike, policinë sekrete, kapet e punës dhe internimin e brendshëm, kishte mjaft raporte për tortura dhe ekzekutime për të mbajtur anti-komunistët sa më larg. Për mbretin Zog, vizitat nga Faruku u bënë gjithnjë e më të rralla dhe vetëm Geraldina guxoi t’i thoshte të shoqit se pse mbreti më i ri i konsideronte bisedat e tij politike të bezdisshme. Zogut e konsideronte Farukun si inteligjent, por përtac. Askush nuk është i sigurt në fronin e tij, i kishte thënë Faruku. Ideja e kampeve të trajnimit ushtarak në Egjipt nuk nxori gjë në dritë. Pas vitit 1948 Zogu e pranoi faktin se udhëheqësit e Lindjes së Mesme ishin të shqetësuar për çështjen e Palestinës.