Vetëm një gol i mjafton sërish Kukësit për të marrë 3 pikët e radhës në Superiore duke ruajtur pathyeshmërinë dhe duke mbajtur larg dhe rivalët. Emini zgjidhi ndeshjen me Teutën në “Zeqir Ymeri”, me durrsakët që nëse do kishin marrë një pikë në këtë transfertë nuk do kishin vjedhur asgjë, pasi zhvilluan një ndeshje shumë të mirë përballë kryesuesve.
Kukësi, në fakt, përballë tifozerisë së tij kërkonte të hidhte hapin e duhur për të ruajtur diferencën me ndjekësit ndërsa Teuta pikët për shpëtimin. Në “Zeqir Ymeri” ishte e natyrshme që sfida do të fliste për vendasit megjithatë Teuta në minutat e para u përpoq të tregonte se diferencat në renditje nuk i vuante. Rastin e parë megjithatë e pati Kukësi në të 13-tën por Kastrati bëri një pritje të jashtëzakonshme. Në të 22-tën portieri i durrsakëve u vu në provë dhe nga Karioka, që pati një shpërthim personal në krah, por Kastrati sërish reagoi mirë. Në të 32-tën ishte radha e Kolicit për të treguar aftësitë e tij ndaj Mustës, ndërsa në të 37-tën një goditje e zgjuar e Eminit detyroi Kastratin të dorëzohej me Kukësin që mori epërsinë.
Pjesa e parë megjithatë mund të ishte mbyllur në barazim, por Musta fillimisht zgjati shumë topin në driblimin e tij ndaj Kolicit, ndërsa në vazhdimin e aksionit portieri verilindorëve kreu një superpritje. Pjesa e dytë nisi me Kukësin përpara por Pejic ui ndal në pozicion jashtë loje në të 49-tën teksa po vraponte drejt portës. Teuta megjithatë nuk u dorëzua dhe në të 60-tën Kukësi ishte me fat, pasi ky top i devijuar përfundoi ngjitur me shtyllën. Në të 64-trën fatin e Kukësit e bëri Alla që largoi mbi vijën fatale një goditje të Kotobellit. Pavarësisht dëshirës së Teutës, nga ky moment Kukësi e menaxhoi mirë rezultatin duke marrë një tjetër 3 pikësh të vështirë por me shumë vlera.