Tetovë, 12 maj – Komuna e Tearcës do të sigurojë hapësirë ku do të themelohet një Qendër lokale për punësim si pjesë e Agjencisë për Punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këtë arritën marrëveshje drejtori i Agjencisë, Abdush Demiri dhe kryetari i Komunës, Isen Asani.
“Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mundësisë së hapjes së një Qendre për punësim në Komunën e Tearcës në mënyrë që të sigurohen shërbimet e Agjencisë së punësimit sa më afër qytetarëve. Kryetari i komunës Isen Asani shprehu gatishmëri për të ndihmuar në sigurimin e hapësirës për Agjencinë për punësim, e cila do t’ua lehtësojë banorëve të Tearcës për të marrë shërbimet e ofruara nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në fund të takimit u dakorduam që të intensifikojmë angazhimin e ndërsjellë që kjo qendër të bëhet funksionale dhe të jetë në shërbim të qytetarëve sa më shpejt të jetë e mundur”, informuan nga Komuna e Tearcës.
Vitin 2020, në rajonin e Tetovës, zyra të Agjencisë së Punësimit u hapën në qendrat komunale rurale Bërvenicë, Jegunovc dhe Zhelinë.