Urim HASIPI
Tetovë, 3 shkurt – Rreth një mijë qytetarë të Tetovës kanë protestuar para selisë së EVN-së në dalje të Tetovës. Ata janë të revoltuar nga çmimi i lartë i energjisë elektrike, i cili, sipas protestuesve, nuk është i njëjta me faturat që u vijnë qytetarëve në Maqedoninë Lindore. Krahas kësaj, ndër kërkesat e protestuesve janë lirimi i kryetarit të Shoqatës së elektricistëve, Hysen Saliu. Po ashtu, banorët e Tetovës, kanë kërkuar që tërhiqet vendimi për pagesë prej 500 euro për kyçje në rrjetin e energjisë elektrike. Ankesat e protestuesve tetovarëve janë të shumta. Një pjesë e tyre janë të revoltuar se është zhdukur një person, pasi që është kërcënuar se do të nxjerrë të vërtetat në shesh. Po ashtu, ka edhe mërgimtarë të cilët theksojnë se, edhe pse nuk kanë qëndruar në shtëpi, megjithatë faturat i paguajnë njëjtë sikur të kishin shfrytëzuar rrymën. Kërkesat e tyre janë që të tërhiqet 33 përqindëshi që u vjen qytetarëve në fatura, paushalli, të paguajnë njëjtë sikur qytetarët e Maqedonisë Lindore, të tërhiqet pagesa për kyçje e kështu me radhë. ”Kërkojmë urgjentisht që të lirohet organizatori i protestave, kryetari i Shoqatë së elektriçistëve “Drita”. Kërkojmë që faturat që na vijnë për rrymën elektrike të jenë të barabarta me qytetarët maqedonas dhe ata në Maqedoninë Lindore. Nuk është e drejtë që ne të paguajmë më shumë se sa ata. Kërkojmë që urgjentisht të tërhiqet 33 përqindëshi që na vjen në fatura për fuqinë e rrymës. Kërkojmë që të tërhiqet llogaritja e rrymës paushalle. Të mos paguajmë për kyçje në rrjetin e rrymës elektrike kur vendosen orëmatës të rinj”, tha Jusuf Memishi, nga Këshilli inicues për protestat kundër EVN-së në Tetovë. Nga ana tjetër, zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski, është shprehur se EVN është e hapur për bisedime dhe për të tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet që i kanë me protestuesit. “Qytetarët të cilët protestojnë nuk kanë parashtruar kërkesë zyrtare deri te EVN-Maqedonia. I presim kërkesat e tyre që të mund të shohim se ku qëndron problemi dhe t’i tejkalojmë të gjitha paqartësitë dhe mosmarrëveshjet. Themi se janë keqkuptime dhe nuk ka nevojë për protesta, sepse lartësia e çmimit të rrymë elektrike dhe çmimi për kyçje të re janë çmime që nuk i cakton EVN, por Komisioni Rregullator i Energjetikës. Sa i përket 33 përqindëshit të fuqisë së rrymës, ai është një paragraf në të njëjtin çmim dhe është pjesë e çmimit. Nuk është diçka që e cakton EVN dhe ajo vlen për të gjitha amvisëritë. Të gjitha kërkesat individuale që i kanë qytetarët, munden lirisht t’i sjellin te ne, do t’i shikojmë dhe do të gjejmë mundësi që të gjejmë zgjidhje gjithnjë në pajtim me ligjin për energji elektrike. Nuk ka nevojë për protesta, sepse jemi të hapur për të bisedime për gjithçka që kanë si kërkesë apo paqartësi konsumatorët”, tha Kovaçevski. Ai po ashtu ka hedhur poshtë dhe ka demantuar informacionet se është bërë presion ndaj organizatorit të protestës apo është angazhuar që policia të arrestojë dikend se pse ka protestuar. Sipas tij, këto janë të pavërteta. Protestuesit të cilët të premten ishin në numër më shumë se një javë më parë, kanë kërkuar që të realizohet takim me drejtues të EVNsë, që të shpalosin kërkesat e tyre, në të kundërtën ata janë kërcënuar se do të radikalizojnë protestat.