Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të tunelit Euroazia (Avrasya) për automjetet i cili bashkon Azinë me Evropën duke kaluar poshtë ngushticës së Bosforit. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, raporton Anadolu Agency (AA). Gjatë fjalimit të tij në këtë ceremoni Erdogan tha se Turqia është një vend i veçantë që lidh dy kontinentet. “Falënderuar qoftë Zoti që jemi pjesë e një shteti dhe një qyteti që lidh kontinentet me njëri-tjetrin. Ky qytet është i tillë që për të mund të sakrifikosh çdo gjë. Për këtë arsye ne jemi të dashuruar pas tij. Themelin e kësaj vepre e hodhëm në Azi dhe falënderimi i takon Zotit. Ceremoninë e inaugurimit jemi duke e bërë në pjesën e Evropës”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Erdogan në fjalën e tij.