Tetovë, 20 nëntor – Në një nga lagjet periferike të qytetit të Tetovës, gjegjësisht në lagjen Kolltuk apo rrugës për në Kalanë e Tetovës, në kushte të vështira ekonomike, përkatësisht në një varfëri ekstreme, në një shtëpi me shumë lagështi, ku i ftohti depërton nga të gjitha anët dhe pa kurrfarë të ardhurash, jeton familja shtatëanëtarëshe Jashari, shkruan gazeta KOHA. Zonja Nurie jeton me burrin e saj të sëmurë nga zemra, i cili së fundi ka pësuar edhe infarkt kardiak dhe është i shtrirë në spital, me vëllain dhe katër fëmijët, më i vogli 8 muajsh. Sikur të mos mjaftonin vështirësitë ekonomike, për ironi të fatit njëra nga vajzat e zonjës Nurie, është e sëmurë dhe e njëjta nuk mund të ecë, mjekët i kanë thënë që ka nevojë të operohet, por kushtet ekonomike kësaj familje nuk ia mundësojnë që të paguaj shpenzimet e operacionit, andaj ajo apelon deri tek të gjithë institucionet, njerëzit human që ta ndihmojnë për ta shëruar vajzën dhe për të plotësuar nevojat për ushqim të fëmijëve të saj.
“Unë kam nevojë për ndihmë për vajzën, e cila duhet të operohet në këmbë sepse nuk ecën, ka dy vjet e gjysmë, nuk kemi mundësi, burrin e kam në spital, ka pasur infarkt, është në Spitalin e Shkupit. Kam katër fëmijë, nuk kemi asnjë të ardhur, ndihmë sociale nuk marrë, kush ka mundësi të më ndihmojë do të ishte mirë, gjithçka e siguroj në mënyrë private. Shkoj nëpër xhami si lypëse, kojshitë ndonjëherë më ndihmojnë. Edhe rrymën e kam prej tyre. Vajza duhet të operohet në Shkup dhe nuk kam asnjë mundësi ta dërgoj, kërkojnë shumë para, por unë nuk i kam”, thotë Nurie Jashari. Edhe vëllai më i vogël i zonjës Nurije, i cili më herët kishte siguruar të ardhura për këtë familje, duke punuar punë të ndryshme fizike, fatkeqësisht, duke prerë dru me sharrë ka lënduar dorën dhe nuk është i aftë që për momentin të punojë. “Kam punuar më herët, kur kam mundur kam punuar dhe siguruar të ardhura. Tash nuk mund të punojë dhe jam i paaftë për të siguruar kafshatën e gojës”, thotë Bekim Jashari nga Tetova, i cili kujdeset për motrën e tij, Nurijen. Ndryshe, kjo familje është e dëshpëruar, por jo e dorëzuar. Ata ditët i kalojnë me shpresën se dikush mund të bëj diçka për ata. Do të mund t’ju dalë në ndihmë për të tejkaluar vështirësitë e tyre. Për zonjën Nurije primare është shërimi i vajzës, prandaj të gjithë ata njerëz human, shoqata humanitare që kanë mundësi ekonomike për ta ndihmuar, varësisht mundësive që kanë le të paraqiten në numrin e sajë të telefonit 070 775 560 që edhe kjo familje në veçanti fëmijët t’i gëzohen jetës, në këtë rast kur fati dhe fatkeqësitë bashkëjetojnë në një strehë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.