Kur Vivaldi e mori ofertën nga Teatro della Pergola në Firencë, që për sezonin 1718 ta kompozojë operën mbi Skenderbeun, ishte ky një provokim personal i posaçëm.
Ai zaten deri atëherë kishte botuar disa opuse me muzikë instrumentale, të cilat i siguruan reputacion ndërkombëtar, por si kompozitor operash kishte marrë vetë disa porosi nga teatrot lokale venedikase. Tregimi mbi princin shqiptar kishte marrë konotacione të posaçme politike në fillim të shekullit XVIII.
Gjergj Kastrioti-Skenderbeu -(1403-1468) u morr qysh në moshën tetëvjeçare dhe u detyrua të përqafojë islamin, në mënyrë që pas arratisjes nga sarajet e Sulltanit të kthehet në Shqipëri dhe të vendoset në Krujë. Në fillim Murati II e pranoi si Princ Shqiptar të atribuuar, por së shpejti Shqiptarët vërsulen në sulme për çlirim, të udhëhequr nga princi i ri.
Pas sukseseve fillestare kundër ushtrisë fuqiplote turke, më 1445 u mund dhe u detyrua të kërkoj shpëtim në Itali. Pason episodi në Napoli, ku shpallet udhëheqës i ushtrisë Aragonase kundër Anzhujve, në mënyrë që në luftën mletako-turke rishtas të mbrojë Krujën (1466-1467) dhe shkurt pastaj të vdes. Ishte një ndër luftëtarët e fundit të suksesshëm për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, duke u përpjekur pa sukses të pengojë depërtimin e islamit ndër Shqiptarët.
Së shpejti bëhet personazh i adhuruar ndër krijuesit letrarë dhe të artit figurativ, të pamfleteve politike dhe simbol i luftës kundër rrezikut osman. Humanisti dhe historiani i njohur shkodran, Marin Barleti, profesor në Dubrovnik, Breshë dhe Padovë, në librin ‘De vita et gestis Scenderbegi’ (Romë,1508-1510) ofron një monografi bazë, një përshkrim letrar, i cili ka përjetuar disa ribotime.
Përkthimi i këtij bestselleri në gjuhën kroate, i botuar në Zagreb, më 1743 i përkushtohet banit kroat Karl Baqanit, dhe jo rastësisht vetëm disa vite pas paqes së Pozharevacit, kur u rivendos kufiri në lumin Sava. Që Skënderbeu të jetë futur thellë në kujtesën popullore edhe në hapësirën kroate, dëshmon edhe Andrija Kaciq Mioshiq, në ‘Bisedat me mbretër, banë dhe vitezë sllavë’ trimit shqiptar i përkushton mbi shtatëdhjetë faqe. Populli ‘slovin’ ka qenë posaçërisht i sensibilizuar për tregimet dhe legjendat mbi turqit, ndërsa ne Evropë ‘Arapi i zi’ shihej me një sy tjetër.
Po si rastisi pra që Vivaldi të shkruaj një operë mbi Skënderbeun?
As literatura profesionale e vjetër e as ajo më e reja nuk japin një përgjigje eksplicite mbi këtë çështje. Scenderbeg sikur është një vrimë e zezë në veprimtarinë e Vivaldit, andaj duhet të përvjelën mëngët dhe me durim të madh të hulumtohen burimet.
Në bibliotekën nacionale të Torinos, në kuadër të përmbledhjes së pasur ‘Raccolta Mauro Foa e Renzo Giordano’ është varrosur autografi i Vivaldit me gjashtë fragmente nga opera ‘Scanderbeg’, me dy recitale dhe katër arie, përpos fragmentit të parë, të gjithë numrat e tjerë janë aty. Nga akti i tretë nuk është ruajtur asgjë. Edhe pse nga ky material vështirë që mund të rikonstruktohet dramaturgjia muzikore e operës, por gjithsesi mund të kënaqeni në shijimin e artit të Vivaldit. Libreton e ‘Skenderbeut’ e ka nënshkruar Antonio Salvi, njëri ndër protagonistët e reformës libretiste të shekullit XVII.
Në teatrin e Pergolës janë bërë të gjitha përgatitjet me kujdes. Teatri u mbyll në vitin 1712 për restaurime, ndërsa për sezonin e vitit 1718 u zgjodhën emra të njohur. Publiku vendor tanimë e njihte dhe e respektonte Salvin, por Vivaldi po paraqitej për herë të parë në Firencë me operën Scanderbeg.
Tema që kishte të bënte me princin shqiptar dhe rezistencën ndaj turqve ishte zgjedhur enkas. Premiera ishte caktuar për 25 maj 1718, duke u dhënë 18 herë deri më 15 gusht 1718. Mbi suksesin e operës dëshmojnë kronikat firencase dhe historianët e lashtë. Ajo u hoq papritmas nga repertori, edhe pse Salvi dhe Vivaldi bashkëpunuan edhe në tri raste tjera, por nuk u morën më me tekstin e Salvit, respektivisht me tregimin mbi Skënderbeun.
Salvi sikur edhe në libretët tjerë tragjikomik përpiqet të mos largohet nga faktet historike. Kështu edhe në parathënien e këtij libreti nuk harron të përmendë shkodranin Marin Barleci. Tregimin historik e pasuron me ndodhira dashurie, xhelozie, tradhtie dhe skenave barokene të protagonistëve. Në një studim, recenzë muzikore, të inspiruar nga ikonografia e Erwin Panofskit, tipologjia e tiranit Sulltan Amurat, nga Opera Scanderbeg, krahasohet me tiparet dekadente të Saturn-Kronos, i cili në momentet e shkatërrimit i bashkon mëkatet e njerëzimit, si emblemë e së keçes.
Libreti i Skanderbegut përputhet në mënyrë solide në produksionin libretas të Salvit, ndërsa muzika e Vivaldit, edhe pse e ruajtur në fragmente, lehtë mund të njihet për virtuozitetin dhe motorikën instrumentale. Mbetet pyetja lidhur me arsyet estetike të largimit nga repertori të një opere aq të suksesshme. Vërtetë këtu nuk duhet kërkuar sqarime.
Dikur pata fat të gjej një tekst të panjohur të operës Skanderbeg të Vivaldit, në bibliotekën e Institutit të Gjermanistikës, në Romë. Ky libret ishte përgatitur për shfaqjen e operës në Sienë, në sezonin veror të vitit 1718. Kishte plane që hiti nga Firenca të paraqitet edhe në Sienë, por që kurrë nuk kishte ndodhur. Historia na mëson që kur mungojnë gjurmët, dokumentacioni dhe argumentet, dyshimi bie mbi gishtërinjtë e gjatë të politikës…
Duke filluar nga mesi i vitit 1716 Serenissima ishte disa herë në luftë me turqit. Betejat zhvilloheshin në det dhe në tokë, pra edhe në viset kroate. Më në fund, më 21 maj 1718, u nënshkrua paqja në Pozharevac, kurse vetëm katër ditë më vonë hapet sezoni i ri në Teatro della Pergola të Firencës, me operën Scanderbeg.
Deri pak më parë temat e mirëpritura me tematikë antiturke, përnjëherë ishin më pak interesante, ndoshta edhe të padëshirueshme për shkak të kujtesave antagoniste, të cilat duhej sa më parë të harroheshin. Kështu si duket e pësuan Salvi dhe Vivaldi, që opera e suksesshme Scanderbeg të gjykohet për harresë. Vetë vendosja dhe largimi i operës në teatrin firentinas ishte së pari me motive politike, harresa ishte e përgatitur rrënjësisht, kështu që opera mbeti me shekuj e harruar edhe për njohësit më të mirë të veprimtarisë së Vivaldit.
Nëse luftërat na kanë mësuar diçka në hapësirën tonë dhe në hapësirat që na rrethojnë, kujtesa është e dobët dhe e pabesueshme. Opera Scanderbeg e Vivaldit është fshirë rrënjësisht nga kujtesa, ashtu siç di ta bëjë vetëm politika. Gjashtë fragmentet të ruajtura vështirë që ta mundësojnë depërtimin në bukurinë e veprës. Këtu edhe politika është e pafuqishme.
(Fragment nga një shkrim më i gjatë i autorit Ennio Stipcevic, përkthyer nga Nebih Jashari)