Shkup, 10 janar – Ky vit do të jetë vit i konsolidimit financiar për komunat, sigurim i funksionalitetit më të madh dhe zhvillim i barabartë dhe dinamik rajonal dhe lokal, përmirësim i infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në komuna, sidomos në komunat e vogla dhe ato rurale”, tha në konferencën e sotme për shtyp ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu duke i prezantuar aktivitetet dhe projektet vjetore të Ministrisë, njofton Koha.
Ministri theksoi se vitin e kaluar me 4.5 milion euro u financuan gjithsej 98 projekte për zhvillimin e rajoneve planore, për zhvillimin e fshatrave dhe për zonat me nevoja të veçanta zhvillimore. Kjo nënkupton 98 projekte infrastrukturore ose përgatitjen e dokumentacionit teknik për ndërtimin e rrjetit rrugor lokal, kanalizime apo ujësjellës, impiant filtrimi ose ndërhyrje të tjera që zgjidhin problemet e qytetarëve.
“Ky vit do të jetë më i suksesshëm se ai i mëparshëm, pasi që fondet e buxhetit për projekte për zhvillim të barabartë rajonal janë rritur për më shumë se 50 për qind, krahasuar me vitin 2018 ndërsa fondet për bashkëfinancimin e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar për 100 për qind”, theksoi ministri Fazliu.
Ministri tha se këtë vit nga Programi buxhetor për zhvillimin e barabartë rajonal, në tetë rajonet planore në vend do të financohen projekte në shumë totale prej shtatë milion euro dhe se qëllimi ynë, i Qeverisë dhe Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, është që përmes orientimit të më shumë mjeteve financiare drejtë rajoneve dhe fshatrave më pak të zhvilluara, të zvogëlojmë dallimet në cilësinë e jetesës të cilat janë mjaft të mëdha. Prioritet i kësaj Qeverie është që me koordinim më të madh, mjetet e departamenteve të ndryshme të drejtohen aty ku është më e nevojshme. Të gjithë qytetarët duhet të kenë qasje të barabartë në shërbimet e sektorit publik, pavarësisht nga vendi i tyre i banimit.
Fazliu theksoi se aspekt tjetër i rëndësishëm për Ministrinë është realizimi i projekteve për bashkëpunim ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të IPA-s.
“Me rritjen e mjeteve për bashkëfinancim prej 100 për qind, Qeveria i ka rritur mundësitë për absorbim më të madh të fondeve nga Bashkimi Evropian. Ne duhet të tregojmë kapacitet më të madh financiar dhe profesional për menaxhimin transparent dhe përgjegjës të fondeve nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë të gjitha dhe të luftojmë për më shumë mjete në periudhën e ardhshme programore, pas vitit 2020”, tha ministri.
Ministri informon se këtë vit do të shpallen thirrje të reja publike për projekte me Serbinë dhe Kosovën. me vlerë të tërësishme prej 2,5 milion euro dhe me Serbinë në vlerë prej 1,8 milion euro.
“Në proces është identifikimi i një projekti të përbashkët strategjik nga Programi ndërkufitar me Greqinë, i cili do të financohet gjatë këtij viti, në vlerë prej 4 milionë euro. Nuk përjashtohet ndërtimi i një vendkalimi të ri kufitar me Greqinë, në vendin e ashtuquajtur “Markova Noga” në rajonin e Prespës”, theksoi Fazliu.
Ministri Suhejl Fazliu theksoi se në vitin 2018-të janë lidhur marrëveshje për realizimin e 40 projekteve në kornizat e Programit për bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë në vlerë të tërësishme prej 20 milion euro dhe marrëveshjet për nëntë projekte nga Programi me Kosovën, në vlerë të tërësishme prej tre milion euro.
“Ishin shpallur dy thirrje të reja publike për projekte me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Thirrja publike me Shqipërinë ende është aktuale, deri më 1 shkurt dhe në dispozicion kemi tre milion euro të reja. Thirrja publike me Bullgarinë përfundoi dhe këtë vit do të nënshkruhen marrëveshjet për financim të projekteve të miratuara, për të cilat nga ana e Bashkimit Evropian janë siguruar shtatë milion euro”, theksoi Fazliu. (Koha.mk)