Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu sot në Zagreb merr pjesë në konferencën ministrore me temë “Nxitja e kohezionit dhe konkurrencës përmes bashkëpunimit rajonal” organizuar nga Ministria e Zhvillimit rajonal dhe fondet e BE-së të Kroacisë.
Siç kumtoi Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, ministrja kroate e zhvillimit rajonal dhe fondeve të BE-së, Gabriela Zhalac, nikoqire e konferencës theksoi se në Forumin e Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit në Katania, vetëm një javë më parë, tetë shtetet anëtare pranuan që Republika e Maqedonisë të jetë vendi i nëntë anëtar me ç’rast pason konfirmimi formal nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian, gjë që e bën Republikën e Maqedonisë pjesë të strukturës makro-rajonale në kuadër të politikës së zhvillimit rajonal të Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit Fazliu, vetëm përmes kyçjes të të gjitha vendeve nga rajoni në politikën makro-rajonale të BE-së do të mund të sigurohet prosperitet ekonomik dhe social dhe rritje në rajon përmes përmirësimit të atraktivitetit të tij, konkurrencës dhe lidhjes.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë në këtë periudhë bën përpjekje të mëdha për përmirësimin e procesit të integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE. Raporti pozitiv i progresit të vendit në të gjitha fushat dhe rekomandimi i qartë për fillimin e negociatave me BE-në për ne paraqesin motiv dhe nxitje të madhe për t’i intensifikuar reformat dhe për të hapur procesin e bisedimeve. Qeveria e Republikës së Maqedonisë nga dita e parë po punon në ndërlidhjen rajonale dhe bashkëpunimin si një prej kushteve kryesore për integrim në BE”, theksoi Fazliu.
Ai shtoi se gjatë vitit 2017 Maqedonia ka shfrytëzuar një shumë rekorde të fondeve IPA të BE-së, gjegjësisht, disa herë më shumë se në vitet e mëparshme.
“Në programin e dytë të IPA-s, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale koordinon zbatimin e programeve për bashkëpunim ndërkufitar me të gjitha vendet fqinje, Bullgarinë, Shqipërinë, Greqinë, Kosovën dhe Serbinë, si dhe programin për bashkëpunim transkufitar, për të cilin janë parashikuar rreth 100 milionë euro. Në këtë mënyrë politikat nacionale zhvillimore të financuara nga fonde buxhetore, marrin vlerë të shtuar përmes financimit të BE-së, por më i rëndësishëm është ndërtimi i vetëdijes për nevojën e bashkëpunimit, për rritjen e atraktivitetit dhe konkurrencës në rajon nga të cilat fitojnë të gjithë”, theksoi Fazliu.