Shkup, 15 korrik – Kryesia e klubit ka vendosur që t’ua lehtësojë të gjithë atyre që dëshirojnë të ndjekin nga afër takimin e kthimit të raundit të parë eliminatorë në Liga Evropa ndërmjet Shkupit dhe Pyunikut. Nga klubi njoftojmë se të gjithë të interesuarit për këtë ndeshje, do të mund të pajisen me bileta falas, përcjellë gazeta Koha.
“Në situatë kur jemi afër kualifikimit për në raundin e dytë dhe na duhet vetëm ta vulosim këtë në ndeshjen e kthimit, FC Shkupi dhe lojtarët tanë kanë nevojë për mbështetje maksimale dhe për të njëjtën ftojmë të gjithë që të vijnë në stadium për të na përkrahur në ndeshjen e dytë ndaj armeneve”, thonë nga FC Shkupi.
Biletat falas do të jepen në pikëshitjen para stadiumit të Çairi, ndërsa ditëve në vijim do të ketë edhe në lokacione tjera, për të cilën klubi do të informojë.
Cekim, ndeshja Shkupi-Pyuniku luhet të enjten në stadiumin “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 20:30.