Qeser ABDYLI
Shkup, 15 mars – Dyfish është rritur importi i veturave të reja në janar. Sipas të dhënave të Administratës Doganore, në fillim të vitit janë importuar 450 vetura të reja, çka është për 257 vetura më shumë krahasuar me 193 vetura të importuara në janar të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Njëkohësisht, statistika doganore tregon se në këtë muaj është ulur numri i veturave të përdorura të sjellura nga jashtë. Kështu, në janar janë importuar 1075 vetura të përdorura nga jashtë, që është për 638 vetura më pak krahasuar me 1659 veturat e importuara në janar të vitit të kaluar. Në muajin e parë të vitit janë importuar dhe 36 automjete të reja transportuese dhe 104 të përdorura, si dhe një autobus i ri dhe pesë të përdorur. Kjo e jep numrin e përgjithshëm të veturave të importuara, gjegjësisht 1653 vetura të përdorura, që është për 327 vetura më pak krahasuar më janarin e vitit të kaluar, kur në vend janë importuar 2025 vetura. Këto shifra tregojnë se vazhdon trendi i importit i veturave të reja në krahasim me veturat e përdorura, importi i të cilëve filloi në gjysmën e dytë të vitit 2016 pas vendosjes të standardeve të rrepta ekologjike për hyrjen e tyre në vend. Pas hyrjes në fuqi të ndalesës për import të veturave me eko-standard më të ulët se “Euro 4”, në 1 korrik 2016, katërfish u ulë importi i veturave të përdorura. Të dhënat doganore tregojnë se në qershor të vitit 2016, në vend janë importuar 3998 vetura të përdorura, por prej muajit të ardhshëm, importi i tyre shënon rënie drastike të 1070 veturave. Ndryshe, para futjes së ndalesës kishte rritje të vërtetë të veturave më eko-standard “Euro 3”. Vjet, në qershor, numri veturave të përdorura të importuara në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2015 është rritur pothuajse dyfish, gjegjësisht në këtë muaj janë importuar 3998 vetura. Për shkak të afatit për import të veturave të përdorura me “Euro 3”, interesim për sjellje të veturave nga jashtë kishte gjatë tërë vitit, ndërsa në gjysmëvjetorin e parë janë importuar 16.675 vetura të përdorura, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka shënuar rritje prej 63 për qind. Kjo ka kontribuar që vitin e kaluar të shënohet rritje e importit të veturave në vend. Gjatë tërë vitit 2016 janë importuar 4170 vetura më shumë në krahasim me vitin 2015. Sipas numrave zyrtar të Administratës Doganore të Maqedonisë, deri në fund të vitit 2016 janë importuar 34.101 vetura, prej të cilëve 5027 janë të reja, ndërsa 25.889 të përdorura, 3003 automjete transportuese dhe 182 autobus. Në krahasim, në vitin 2015 në vend kanë hyrë 29.931 vetura.
Nëse analizohen shifrat, përcjell KOHA, mund të vërehet se vitin e kaluar, përveç te veturat e përdorura, rritet dhe importi i veturave të reja. Te veturat e përdorura për një vit importi është rritur për 2693, ndërsa në vend kanë hyrë edhe 783 vetura të reja. Përveç te veturat, rritje ka edhe te importi i automjeteve transportuese, dhe atë 660 të përdorura dhe 32 kamionë të rinj. Rënie të importit ka vetëm të autobusët, vitin e kaluar janë importuar dy më pak autobus të përdorur dhe gjashtë më pak të reja krahasuar me vitin 2015.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.